Çfarë po i bëjnë videot virale shëndetit tonë mendor? - Business Magazine Albania

Çfarë po i bëjnë videot virale shëndetit tonë mendor?

Pamjet e dhunshme që qarkullojnë çdo ditë në rrjetet sociale nuk janë thjesht “video që kalojnë në feed”. Ato lënë gjurmë. Psikologët paralajmërojnë se ekspozimi i vazhdueshëm ndaj skenave tronditëse mund të ndikojë seriozisht në shëndetin mendor, duke rritur ankthin, stresin dhe madje simptomat e traumës post-traumatike.

Sipas studiuesve, të jesh dëshmitar virtual i dhunës nuk do të thotë të jesh i paprekur prej saj. Profesor James Densley nga Metro State University në Mineapolis thekson se personat që kanë ndjekur vazhdimisht pamje të sulmeve apo fatkeqësive kanë shfaqur nivele të rritura të stresit post, traumatik,  në disa raste, pothuajse të krahasueshme me ata që kanë pasur lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen.

Fenomeni njihet si traumë dytësore. Truri, thonë ekspertët, nuk bën dallim të madh mes përjetimit real dhe atij të parë në ekran. Sa herë që shohim një video të dhunshme, sistemi nervor aktivizohet sikur rreziku të ishte i pranishëm. Mund të shfaqen mendime ndërhyrëse, çrregullime gjumi, hipervigjilencë apo mpirje emocionale.

Problemi thellohet nga mënyra si funksionojnë rrjetet sociale, pamje të papritura, pa paralajmërim, në cilësi të lartë dhe me realizëm maksimal. Truri nuk ka kohë të “çaktivizohet”. Çdo rishikim e përforcon reagimin e stresit, duke e kthyer konsumimin pasiv të përmbajtjes në një barrë të heshtur emocionale.

Empatia është një vlerë njerëzore thelbësore, por kur ekspozimi bëhet i vazhdueshëm, sistemi ynë emocional lodhet. Në vend të angazhimit konstruktiv, mund të shfaqet shmangie, frikë apo ndjesi e vazhdueshme kërcënimi.

Ekspertët theksojnë se disa individë janë më të ndjeshëm, sidomos ata me përvoja të mëparshme traumatike ose kur ngjarjet ndodhin në mjedise të njohura për ta. Në këto raste, videot mund të veprojnë si “nxitës” të fortë emocionalë.

Mesazhi i psikologëve është i qartë: truri i njeriut nuk është krijuar për të konsumuar pa kufi dhunë reale në ekran. Kufizimi i ekspozimit, pushimet nga rrjetet sociale dhe kujdesi për mirëqenien emocionale janë hapa të domosdoshëm në një epokë ku dhuna shpërndahet me një klikim.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0