ChatGPT po përdor Grokipedia-n, enciklopedinë e gjeneruar nga inteligjenca artificiale e Elon Musk, si burim informacioni, dhe nuk është i vetmi mjet AI që po e bën këtë. Referenca ndaj Grokipedia-s kanë nisur të shfaqen gjithnjë e më shpesh edhe në përgjigjet e Google AI Overviews, AI Mode dhe Gemini.
Të dhënat tregojnë se përdorimi i këtij burimi është në rritje, duke ngritur shqetësime serioze mbi saktësinë e informacionit dhe rrezikun e dezinformimit, në një kohë kur Musk po përpiqet të riformësojë mënyrën se si ndërtohet dhe shpërndahet njohuria online.
Që nga lançimi i tij në fund të tetorit të vitit të kaluar, Grokipedia, e cilësuar shpesh si një “klon i deformuar i Wikipedia-s”, mbetet teknikisht një burim dytësor informacioni. Megjithatë, ndikimi i saj po rritet.
Sipas Glen Allsopp, drejtues i strategjisë së marketingut dhe kërkimit në kompaninë SEO Ahrefs, testimet e kompanisë tregojnë se Grokipedia është cituar në mbi 263 mijë përgjigje të ChatGPT, nga një total prej 13.6 milionë pyetjesh të analizuara. Këto referenca lidhen me rreth 95 mijë faqe individuale të Grokipedia-s. Për krahasim, Wikipedia në gjuhën angleze është shfaqur në rreth 2.9 milionë përgjigje të ChatGPT. Edhe pse diferenca mbetet e madhe, Allsopp thekson se rritja e Grokipedia-s është mbresëlënëse për një platformë kaq të re.
Sipas Sartaj Rajpal, studiues në platformën e marketingut Profound, bazuar në një dataset që ndjek miliarda citime, Grokipedia përbën rreth 0.01–0.02% të të gjitha citimeve ditore të ChatGPT. Edhe pse kjo përqindje është e ulët, ajo ka shënuar rritje të vazhdueshme që nga mesi i nëntorit.
Edhe kompania Semrush, e cila monitoron dukshmërinë e markave në përgjigjet e AI të Google përmes mjetit të saj AI Visibility Toolkit, ka vërejtur një rritje të prezencës së Grokipedia-s që nga dhjetori. Megjithatë, ajo mbetet dukshëm pas platformave tradicionale të referencës si Wikipedia.
Analistët që kanë ndjekur këtë fenomen theksojnë se citimet e Grokipedia-s shfaqen më shpesh në ChatGPT sesa në platformat e tjera të inteligjencës artificiale. Kjo e bën ChatGPT një nga kanalet kryesore për përhapjen indirekte të këtij burimi të ri.
Rritja e përdorimit të Grokipedia-s si burim nga chatbot-ët dhe mjetet AI ka ringjallur debatin mbi kontrollin e cilësisë së informacionit, transparencën e burimeve dhe ndikimin që mund të kenë enciklopeditë e gjeneruara nga AI në formësimin e opinionit publik. Ndërsa aktualisht Grokipedia mbetet një burim dytësor, tendenca në rritje sugjeron se roli i saj në ekosistemin e informacionit të drejtuar nga AI mund të bëhet më i rëndësishëm, dhe më problematik, në të ardhmen.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto