Dubai ka zbuluar planet për ndërtimin e “Gold Street”, rruga e parë në botë e konceptuar me elemente prej ari, e cila do të jetë një nga atraksionet më të reja dhe më luksoze të emirateve. Projekti do të ndërtohet brenda Dubai Gold District, zonë që sapo është inauguruar dhe që synon të kthehet në qendrën globale të tregtisë së arit.
Njoftimi u bë gjatë hapjes zyrtare të distriktit nga Ithra Dubai, e cila e cilëson këtë zonë si “Shtëpia e Artë” e re e Dubait. Gold District synon të bashkojë në një hapësirë të vetme gjithçka që lidhet me arin dhe bizhuteritë – nga shitja me pakicë dhe tregtia e arit fizik, te tregtia me shumicë dhe investimet.
Sipas të dhënave të raportuara, Emiratet e Bashkuara Arabe eksportuan rreth 53.41 miliardë dollarë ar gjatë vitit 2024–2025, duke forcuar pozicionin e tyre si qendra e dytë më e madhe në botë për tregtimin fizik të arit. Partnerët kryesorë tregtarë përfshijnë Zvicrën, Mbretërinë e Bashkuar, Indinë, Hong Kongun dhe Turqinë.
Aktualisht, Dubai Gold District strehon mbi 1,000 retailerë, që operojnë në sektorë të ndryshëm si parfumeria, kozmetika, lifestyle dhe, natyrisht, bizhuteritë. Marka të njohura si Jawhara Jewellery, Malabar Gold & Diamonds, Al Romaizan dhe Tanishq janë tashmë të pranishme, ndërsa Joyalukkas ka njoftuar hapjen e një dyqani flagship prej 24,000 metrash katrorë – më i madhi i saj në Lindjen e Mesme.
Issam Galadari, CEO i Ithra Dubai, u shpreh se distrikti i ri “bashkon trashëgiminë, shkallën dhe mundësitë”, duke krijuar një ekosistem unik për industrinë e arit. Ndërsa Ahmed Al Khaja, CEO i Dubai Festivals and Retail Establishment pranë Departamentit të Ekonomisë dhe Turizmit, theksoi se ari është thellësisht i rrënjosur në identitetin kulturor dhe tregtar të Dubait, duke simbolizuar trashëgiminë, prosperitetin dhe shpirtin sipërmarrës të qytetit.
“Përmes këtij destinacioni simbolik, ne jo vetëm që festojmë këtë trashëgimi, por e riformësojmë atë për një epokë të re të udhëhequr nga kreativiteti dhe qëndrueshmëria,” u shpreh ai.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto