TikTok nis skanimin e profileve, fëmijët nën 13 vjeç drejt bllokim... - Business Magazine Albania

TikTok nis skanimin e profileve, fëmijët nën 13 vjeç drejt bllokimit masiv

TikTok po përgatitet të prezantojë në Europë një teknologji të re që synon të identifikojë moshën reale të përdoruesve, në kuadër të presionit gjithnjë e më të fortë nga autoritetet europiane për mbrojtjen e fëmijëve në rrjetet sociale. Qëllimi kryesor i këtij sistemi është zbulimi dhe mbyllja e llogarive të përdoruesve nën moshën 13 vjeç.

Ndryshe nga praktika aktuale, ku mjafton të klikosh “jam mbi 13 vjeç” për të krijuar një llogari, teknologjia e re do të analizojë elementë të ndryshëm si profili i përdoruesit, përmbajtja e videove të publikuara dhe sjellja në platformë. Kur sistemi sinjalizon se një llogari mund t’i përkasë një të mituri, rasti kalon për verifikim te moderatorë të specializuar dhe nuk bllokohet automatikisht.

Ky zhvillim vjen në një moment kur rregulloret europiane po ashpërsohen ndjeshëm. Disa shtete kanë ndërmarrë masa drastike: Australia ka ndaluar përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, ndërsa Danimarka po shqyrton kufizime për përdoruesit nën 15 vjeç. Edhe Parlamenti Europian po shtyn për vendosjen e kufijve më të qartë të moshës në platformat digjitale.

TikTok e ka testuar këtë sistem më herët në Mbretërinë e Bashkuar, ku rezultati ishte fshirja e mijëra llogarive që rezultuan se i përkisnin fëmijëve. Paralelisht, kompania mëmë ByteDance po përballet edhe me padi nga prindër, të cilët pretendojnë se algoritmet e platformës kanë promovuar sfida të rrezikshme për të miturit.

Nga ana e saj, TikTok pranon se verifikimi i moshës mbetet një sfidë e madhe për shkak të balancimit mes sigurisë dhe privatësisë. Për rastet e apelimit, platforma do të përdorë mjete shtesë si vlerësimi i moshës përmes analizës së fytyrës dhe dokumenteve identifikuese, në bashkëpunim me autoritetet rregullatore europiane.

Ekspertët vlerësojnë se kjo lëvizje shënon një hap të rëndësishëm drejt një interneti më të sigurt për fëmijët, por njëkohësisht hap debate të reja mbi privatësinë dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në monitorimin e përdoruesve.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0