Filmi Sinners, thriller-i mbinatyrore i vlerësuar nga kritika dhe publiku i regjisorit Ryan Coogler, ka hyrë në histori duke u bërë filmi i parë që siguron 16 nominime për çmimet Oscar.
Produksioni, ku Michael B. Jordan interpreton dy vëllezër binjakë që hapin një klub blues në Misisipin e viteve ’30, ndërsa përballen me racizmin dhe vampirët, ka arkëtuar deri më tani 368 milionë dollarë në rang global.
Sinners është nominuar në kategoritë kryesore, përfshirë Filmi më i Mirë, Regjisori më i Mirë, Aktori Kryesor, Aktori në Rol Dytësor (për aktorin britanik Delroy Lindo), Aktorja në Rol Dytësor (për aktoren britaniko-nigeriane Wunmi Mosaku) si edhe çmimin e ri të Akademisë për casting.
Një tjetër moment historik vjen nga nominimi për kostumografi, që e bën Ruth E. Carter, tashmë me pesë nominime gjithsej, gruan zezake më të nominuar në historinë 98-vjeçare të Oscar-eve.
Me këto nominime, Sinners thyen rekordin e mëparshëm prej 14 nominimesh të mbajtur nga All About Eve, Titanic dhe La La Land. Megjithatë, ndryshe nga këta filma që i kthyen nominimet në një numër të konsiderueshëm fitoreje, pritshmëritë janë që drama e Coogler të mos dominojë plotësisht mbrëmjen e ndarjes së çmimeve më 15 mars.
Lexo edhe: “Made by Albanians”, startup-et që po lënë gjurmë në botë!
Derimë tani, sezoni i çmimeve është dominuar nga komedia kundërkulturore One Battle After Another, e cila në Oscar ndjek nga afër Sinners me 13 nominime.
Regjisori dhe skenaristi Paul Thomas Anderson, i njohur si një “nuse e përhershme” e Oscar-eve me 11 nominime pa fitore, parashikohet gjerësisht të fitojë Filmin më të Mirë dhe Regjisorin më të Mirë. Ndërkohë, Teyana Taylor shihet si favorite për Aktorja në Rol Dytësor. Filmi i tij ka marrë gjithashtu nominime për Leonardo DiCaprio, Sean Penn dhe Benicio del Toro, ndërsa mungesa e Chase Infiniti në kategorinë kryesore të aktores u konsiderua surprizë.
Nga ana tjetër, Hamnet i regjisores Chloé Zhao ka marrë tetë nominime, përfshirë edhe për Jessie Buckley, e cila kryeson bindshëm garën për Aktorja më e Mirë. Zhao, e cila në vitin 2021 u bë gruaja e dytë dhe e para me ngjyrë që fitoi Oscar për regji me Nomadland, është këtë vit e vetmja regjisore femër e nominuar.
Ndërkohë, Timothée Chalamet është favorit për Aktori më i Mirë falë rolit të tij në Marty Supreme. Nëse fiton, ai do të bëhet fituesi i dytë më i ri në histori në këtë kategori, pas Adrien Brody.
Nuk munguan as zhgënjimet: Gwyneth Paltrow mbeti pa nominim pas rikthimit në kinema, ndërsa projekte si Wicked for Good dhe filmi i Noah Baumbach Jay Kelly dolën plotësisht duarbosh.
Ndërkohë, Akademia tregoi edhe këtë vit prirjen drejt ndërkombëtarizimit, me filma jo-anglishtfolës si Sentimental Value, The Secret Agent dhe It Was Just an Accident të nominuar në disa kategori. Veçanërisht Sentimental Value u dallua me nëntë nominime, përfshirë katër për aktrim dhe nominime për filmin dhe regjisorin Joachim Trier.
Një tjetër rekord u vendos nga Wagner Moura, i cili u bë aktori i parë brazilian i nominuar për Aktorin më të Mirë, ndërsa The Secret Agent është nominuar edhe për film ndërkombëtar, casting dhe film të vitit.
Ceremonia e Oscar-eve do të mbahet më 15 mars, nën moderimin e Conan O’Brien, ndërsa votimi final nis më 26 shkurt dhe përfshin një rregull të ri që kërkon nga votuesit të kenë parë të gjithë filmat e nominuar në një kategori përpara se të votojnë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.