Ligji për influencerët në Shqipëri, formalizim i nevojshëm apo qasje shtrënguese? - Business Magazine Albania

Ligji për influencerët në Shqipëri, formalizim i nevojshëm apo qasje shtrënguese?

Ligji për influencerët në Shqipëri, formalizim i nevojshëm apo qasje shtrënguese?

Nga Eni Muça- Prej disa javësh, në Shqipëri po diskutohet gjerësisht ligji i ri që synon formalizimin dhe taksimin e influencerëve dhe krijuesve të përmbajtjes në rrjetet sociale. Një treg që deri më tani ka funksionuar pjesërisht në informalitet, sot po përballet me kërkesën e shtetit për rregulla, deklarim dhe përgjegjësi ligjore, njësoj si çdo aktivitet tjetër ekonomik. Influencer marketing nuk është më një fenomen i vogël apo i rastësishëm. Ai është kthyer në industri, ku qarkullojnë kontrata, bashkëpunime me marka, pagesa dhe ndikim real në vendimmarrjen e konsumatorëve. Pikërisht kjo është arsyeja pse shteti po kërkon që ky aktivitet të trajtohet si profesion dhe jo si hobi.

“Influencimi është profesion, jo hobi”

Sipas Keisli Alia, influencere dhe njëkohësisht juriste, ligji i ri është një hap i domosdoshëm drejt barazisë në treg: “Influencimi është profesion, jo hobi dhe duhet trajtuar si i tillë. Si influencere, por edhe si një person që prej vitesh punon në këtë industri në mënyrë të ndershme, me kontrata, deklarime dhe përgjegjësi profesionale, e shoh ligjin e ri të taksimit si një hap të domosdoshëm drejt formalizimit dhe barazisë në treg.”

Ajo thekson se sot influencimi është një aktivitet ekonomik real dhe nuk mund të qëndrojë jashtë sistemit fiskal. Megjithatë, problematika kryesore, sipas saj, nuk është vetë ligji, por mënyra se si ai zbatohet. “Nuk është e drejtë që të gjithë të trajtohen njësoj, pa diferencuar mes atyre që prej vitesh kontribuojnë, deklarojnë dhe ndërtojnë vlerë, dhe atyre që janë në fazë fillestare ose veprojnë ende në informalitet.”

Sipas Keislit, nëse ligji shoqërohet me kritere të qarta, pragje reale dhe informim korrekt, ai mund të rrisë transparencën, profesionalizmin dhe besueshmërinë e tregut, duke krijuar kushte më të shëndetshme për zhvillimin afatgjatë të industrisë së influencer marketing në Shqipëri.

Lexo edhe:33 milionë euro jashtë ligjit/ Julian Saraçi shpjegon si do të funksionojë formalizimi i influencerëve

Rregullim tregu, por me dallime të qarta

Një qasje më kritike vjen nga Gerti Boshnjaku, sipërmarrës me mbi 20 vite eksperiencë në komunikim dhe marketing, i cili e ndan këtë ligj në disa shtresa dhe ngre pyetje thelbësore mbi logjikën e tij praktike. Sipas tij, rregullimi i tregut është i nevojshëm, por jo në mënyrë uniforme. “Unë e ndaj këtë ligj në disa pika kryesore. E para është rregullimi i tregut, që në parim është i drejtë. Por e dyta lidhet me faktin se ka lloje të ndryshme influencerash dhe kjo nuk po merret parasysh. E treta është të kuptohet se sa e rëndësishme është që këta njerez kanë gjetur mundësi pune dhe krijimi të ardhurash, çka sjell zhvillim ekonomik për vendin. ”

Z. Boshnjaku thekson se influencerët e mëdhenj, ata që funksionojnë praktikisht si kompani, janë tashmë të formalizuar dhe bashkëpunojnë me marka që kërkojnë fatura dhe kontrata të rregullta. “Ata që janë ‘big’, vetë kompanitë që bashkëpunojnë me ta i detyrojnë të jenë të regjistruar. Marrin fatura prej tyre, kanë kontrata, janë prej kohësh pjesë e sistemit. Pra, këtu nuk është problemi.”

Sipas tij, fokusi i ligjit duket se bie më shumë mbi ata që janë në fazë fillestare ose që e ushtrojnë influencimin si një aktivitet dytësor. “Shumë njerëz e kanë këtë si ‘side hustle’. Nuk jetojnë vetëm nga influencer marketing. Dhe këtu lind pyetja: pse u bë ky ligj tani dhe me këtë qasje? Dikush nuhati që ka lekë në qarkullim dhe vendosi qe të marrë taksen? Nuk duhet të funksionojë kështu. Duhet menduar se çfare terreni i ka ofruar Shteti atyre që po ushtrojnë këtë profesion, mbi te cilen ata po zhvillohen? Ata që janë në fashën fillestare nuk mundet dhe nuk duhet të jenë subjekt kontrolli. Mendo sikur të mos ishin duke punuar, ata të rinj cfare do te ishin duke bere? Ata duhen lene te lire te zhvillohen e te rriten, konsolidohen dhe me pas kur te kene kaluar ne nje fashe tjeter (numer followers apo vite operimi online) te jene subjekt regjistrimi. 

Ata që janë në një fashë më të lartë – mbase duke bërë një llogari me numër fansash / ndjekësish – mund të jenë subjekte të ngjashme me profesionistet e lirë. ”

Z. Boshnjaku e cilëson qasjen aktuale më shumë shtrënguese sesa mbështetëse, duke shtuar se shteti duhet të inkurajojë punën e ndershme dhe krijimtarinë, jo ta frikësojë atë. “Shteti duhet të jetë i lumtur që po bëhet një punë e ndershme, që njerëzit po krijojnë vlerë dhe të ardhura në mënyrë transparente. Jo të vijë menjëherë me presion dhe ndëshkim.”

Ai thekson se mungon një infrastrukturë e qartë që ta bëjë procesin e formalizimit të thjeshtë dhe të kuptueshëm. “Ajo që duhet bërë është krijimi i një strukture për vetëdeklarim, një infrastrukturë që ta bëjë këtë proces realisht të zbatueshëm. ” Në thelb, Gerti ngre një pyetje që sipas tij duhet të jetë në qendër të debatit: “Pyetja kryesore e çdo inflenceri këtu është: çfarë më jep shteti që unë t’i jap atij?”

Midis ligjit dhe realitetit të tregut

Debati mbi ligjin për influencerët tregon qartë se formalizimi i industrive të reja nuk mund të bëhet me të njëjtën logjikë si sektorët tradicionalë. Ndërsa ligji synon të rrisë transparencën dhe barazinë fiskale, mënyra e zbatimit të tij do të përcaktojë nëse ky hap do të sjellë zhvillim apo do të krijojë frikë dhe informalitet të ri.

Nëse ligji shoqërohet me kritere të qarta, pragje reale dhe informim korrekt, ai mund të pastrojë tregun dhe të rrisë profesionalizmin. Në të kundërt, rrezikon të penalizojë krijuesit e vegjël dhe të dekurajojë një industri që është ende në fazë ndërtimi. Ligji është vetëm fillimi. Sfidë mbetet balanca mes kontrollit dhe mbështetjes, mes detyrimit dhe bashkëpunimit.

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0