Ndërsa ndryshimet klimatike përkeqësojnë sëmundjet e frymëmarrjes, mjekët dhe kompanitë farmaceutike po kërkojnë diagnoza më të hershme dhe inhalatorë me karbon të ulët, për të reduktuar emetimet nga vetë kujdesi shëndetësor dhe për të mbrojtur pacientët.
Për miliona njerëz në mbarë botën, ndryshimet klimatike tashmë po ndikojnë drejtpërdrejt në sëmundjet e lidhura me frymëmarrjen: nga krizat e astmës të shkaktuara nga ndotja, te dëmtimet e mushkërive nga tymi i zjarreve në pyje. Paradoksi është se edhe vetë sistemet shëndetësore që trajtojnë këto sëmundje po kontribuojnë në ngrohjen globale.
Ekstremet klimatike dhe cilësia e dobët e ajrit po nxisin rritjen e sëmundjeve respiratore, kryesisht përmes ndotjes së ajrit, valëve të të nxehtit, zjarreve në pyje dhe zgjatjes së sezonit të poleneve. Mbi 90% e popullsisë globale merr nga ajri nivele grimcash mbi rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ekspertët theksojnë se një pjesë e konsiderueshme e sëmundjeve të frymëmarrjes lidhet drejtpërdrejt me faktorët mjedisorë. Rritja e zjarreve dhe ndotjes po ndryshon ajrin që thithin njerëzit, duke shtuar rrezikun e përkeqësimit të sëmundjeve, përparimit të tyre dhe, në disa raste, edhe shfaqjes së tyre për herë të parë.
Therese Laperre, drejtuese e departamentit të sëmundjeve respiratore në Spitalin Universitar të Antwerpit, paralajmëron se ndryshimet klimatike po shumëfishojnë shkaktarët e krizave të astmës dhe sëmundjeve kronike të mushkërive, si edhe po ndikojnë në modelet e infeksioneve respiratore.
“E dimë se ndryshimet në grimcat e ajrit kanë ndikim, pas disa ditësh, në numrin e pacientëve me astmë dhe sëmundje pulmonare kronike që paraqiten në urgjencë,” thotë ajo.
Një studim i Agjencisë Evropiane të Mjedisit vlerëson se mbi një e treta e vdekjeve nga sëmundjet kronike respiratore në Europë lidhen me faktorë mjedisorë, si ndotja e ajrit, temperaturat ekstreme, tymi i zjarreve dhe polenet alergjike.
Një rreth vicioz
Në shkallë globale, vlerësohet se 400–500 milionë të rritur jetojnë me sëmundje pulmonare obstruktive kronike (COPD), ndërsa mbi 250 milionë njerëz vuajnë nga astma. Përgjigjja e sistemeve shëndetësore ndaj këtij barrë vjen me një kosto të vetën klimatike.
Organizata ndërkombëtare jofitimprurëse Health Care Without Harm vlerëson se shërbimet shëndetësore gjenerojnë rreth 5% të emetimeve globale të gazeve serrë. Nëse do të ishin një shtet më vete, ato do të renditeshin ndër ndotësit më të mëdhenj në botë.
Pa ndërhyrje, emetimet nga sektori shëndetësor pritet të arrijnë 6 gigatonë në vit deri në 2050, ekuivalente me më shumë se një miliard makina në rrugë.
Spitalet, veçanërisht repartet e terapisë intensive përbëjnë një pjesë të madhe të këtij ndikimi, pasi konsumojnë shumë energji, pajisje dhe materiale njëpërdorimëshe. Specialistët e fushës theksojnë se kontrolli i hershëm i sëmundjeve kronike nuk është vetëm i dobishëm për pacientët, por edhe thelbësor për të ulur gjurmën klimatike të shëndetësisë.
“Diagnoza e hershme është një masë klimatike po aq sa një masë klinike,” thotë Philippe Tieghem nga Shoqata Franceze e Frymëmarrjes Santé Respiratoire. “Nëse diagnostikojmë më herët, kontrollojmë më herët: është mirë për pacientët, për karbonin dhe për ekonominë.”
Inhalatorët, shembulli perfekt
Një produkt që mishëron këtë dilemë janë inhalatorët, të përdorur gjerësisht për trajtimin afatgjatë të astmës dhe COPD-së. Pajisjet më të zakonshme janë inhalatorët me dozë të matur me presion (pMDI), aerosolë të vegjël që përdorin gaz për të dërguar ilaçin në mushkëri.
Gazrat shtytës në këta inhalatorë janë zakonisht hidrofluorokarbure (HFC), gaze serrë me potencial shumë të lartë ngrohjeje. Vlerësimet tregojnë se inhalatorët me presion emetojnë rreth 4–5 milionë tonë CO₂-ekuivalent në vit në Europë dhe 16–17 milionë tonë globalisht, rreth 0.03% e emetimeve totale.
Lexo edhe: Kjo është ora ideale për të fjetur për të mbrojtur zemrën, sipas studimit të ri
Shërbimi Kombëtar Shëndetësor i Mbretërisë së Bashkuar (NHS) vlerëson se këta inhalatorë përbëjnë rreth 3% të gjurmës së tij të karbonit. Edhe pse përqindja është e vogël në nivel global, shifrat janë mjaftueshëm të mëdha që shëndetësia dhe industria farmaceutike t’i vendosin inhalatorët në krye të axhendës së dekarbonizimit.
Deri tani, vetëm një inhalator i gjeneratës së re ka arritur te pacientët: inhalatori i reformuluar për COPD nga AstraZeneca, i miratuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe BE. Ai përmban të njëjtat tre substanca aktive dhe përdoret njësoj si paraardhësi, por gazi shtytës është zëvendësuar nga HFA-134a në HFO-1234ze(E), duke ulur ndikimin ngrohës me rreth 99.9%, një reduktim afro 1,000-fish të potencialit të ngrohjes globale.
Përpjekje të reja për të ulur ndikimin mjedisor
AstraZeneca ka premtuar të ulë emetimet e saj me 98% deri në vitin 2026, duke nisur pikërisht nga inhalatorët dhe nga emetimet indirekte që lidhen me furnitorët dhe përdorimin e produkteve. Edhe kompani të tjera të mëdha kanë ndërmarrë angazhime të ngjashme: Pfizer synon neutralitet klimatik deri në 2040, ndërsa Johnson & Johnson deri në 2045.
Kontrolli më i mirë i sëmundjeve kronike nënkupton më pak shtrime emergjente dhe më pak nevojë për kujdes intensiv me karbon të lartë, ajo që industria e quan “pacienti i gjelbër”: një pacient i stabilizuar, me më pak përkeqësime dhe ndërhyrje të rënda.
Sipas Pablo Panella, zëvendëspresident i lartë për sëmundjet respiratore në AstraZeneca, teknologjia është vetëm një pjesë e zgjidhjes. Tjetra është rregullimi ligjor. “Rregulloret duhet të jenë mikpritëse dhe lehtësuese. Sa më komplekse dhe të rënda të jenë, aq më shumë vonohet që teknologjitë e reja të arrijnë te pacientët,” thotë ai.
Në një botë që përballet njëkohësisht me krizën klimatike dhe atë shëndetësore, pyetja sipas Panella-s nuk është nëse rregullimi duhet të jetë klimatikisht i ndërgjegjshëm, por si të projektohet që të nxisë inovacionin dhe investimin.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.