Rrjetet sociale dhe platformat digjitale po marrin gjithnjë e më shumë vëmendje, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit konsumojnë përmbajtje dhe duke ndikuar edhe tregun e reklamave, ku departamentet e marketingut po kalojnë më shumë buxhet drejt platformave digjitale për të arritur audienca më të targetuara.
Sipas raportit të vitit 2024, qarkullimi vjetor i 10 televizioneve që kanë raportuar të dhënat ishte 6.6 miliardë lekë (rreth 67 milionë euro), me rënie prej 0.35% me bazë vjetore, çka dëshmon se paratë e marketingut të kompanive po shkojnë drejt platformave online dhe tregut të influencerave.
Pas viteve duke vepruar më së shumti në informalitet, sektori i blogerëve dhe influencerave po nis të formalizohet. Julian Saraçi, ekspert ligjor, në një intervistë për BusinessMag thotë se janë 33 milionë euro të ardhura që gjeneruan rreth 100 profile influencërësh në vitin 2025 që tregojnë se kjo industri është rritur shpejt dhe nevoja për ta vendosur brenda kornizave ligjore është e menjëhershme, pasi rëndon jo vetëm mbi buxhetin e shtetit, por edhe dëmton konkurrencën e ndershme.
Lexo edhe: Lea Ypi: 2026-ta …viti që mund të jetë!
A mund të konsiderohet sot formalizimi ligjor i blogerëve, influencërve dhe krijuesve të përmbajtjes si një aktor real ekonomik, në të njëjtin nivel me bizneset tradicionale?
Pa diskutim, po. Sot blogerët, influencërët dhe krijuesit e përmbajtjes përfaqësojnë një segment të konsoliduar të ekonomisë digjitale, i cili gjeneron të ardhura reale dhe ushtron ndikim të drejtpërdrejtë në treg, njësoj si bizneset tradicionale. Për këtë arsye, formalizimi i tyre ligjor nuk është thjesht një rregullim administrativ, por një domosdoshmëri për garantimin e transparencës, barazisë përpara ligjit dhe funksionimit të ndershëm të tregut. Ky hap e vendos këtë kategori aktorësh në të njëjtin regjim përgjegjësie fiskale dhe ligjore me çdo subjekt tjetër tregtar, në përputhje me praktikat e konsoliduara të vendeve të Bashkimit Europian, ku veprimtaria digjitale trajtohet qartë dhe pa ekuivoke si veprimtari ekonomiko-tregtare. Dhe ne këtë po synojmë që të arrijmë.
Çfarë tregojnë konkretisht shifrat zyrtare për të ardhurat e gjeneruara nga influencerët në Shqipëri dhe pse ato u konsideruan alarmante?
Shifra prej rreth 33 milionë euro të ardhura që gjeneruan rreth 100 profile influencërësh në vitin 2025 është vlerësuar si alarmante jo vetëm për shkak të madhësisë, por për faktin se në pjesën dërrmuese këto të ardhura nuk ishin të deklaruara zyrtarisht dhe nuk i nënshtroheshin tatimeve. Kjo do të thotë jo vetëm humbje direkte për buxhetin e shtetit, por edhe një cënim të konkurrencës së ndershme në tregun e marketingut dhe të ekonomisë digjitale.
Në kontekstin e tregut më të gjerë, influencer marketing-u është një industri serioze, me vlerë miliarda euro në Evropë dhe në botë. P.sh për vitin 2025, shpenzimet e markave të BE-së në influencer marketing pritet të arrijnë miliarda euro, ndërsa tregu global i marketingut të influencërëve vlerësohet në mbi 30–33 miliardë dollarë dhe po rritet me dyshifra çdo vit. Kjo rritje tregon se ky sektor nuk është një aktivitet “hobi” apo anësor, por një segment ekonomik i rëndësishëm dhe në zhvillim të shpejtë, ku shumë biznese tradicionale investojnë për të arritur audiencë, ndërsa krijuesit e përmbajtjes shndërrojnë ndjekësit dhe angazhimin në fitime të prekshme.
Në shumë vende të BE-së, autoritetet fiskale kanë intensifikuar kontrollet ndaj të ardhurave të krijuesve të përmbajtjes online psh, investigime të Guardia di Finanza në Itali zbuluan raste të dukshme nën-deklarimi të të ardhurave prej influencërësh dhe autoritete të tjera në Francë dhe Gjermani kanë adresuar boshllëqet me masa për rikuperimin e taksave të papaguara.
Pra, 33 milionë euro të padeklaruara nuk janë thjesht një shifër statistikore, por ato tregojnë për një pjesë të ekonomisë që është rritur shumë shpejt, por deri më tani jashtë kornizës ligjore dhe fiskale. Formalizimi i këtij sektori është pikërisht përgjigjja ndaj këtij problemi për të sjellë transparencë, për të mbrojtur konkurrencën e ndershme dhe për të siguruar që të ardhurat reale të kontribuojnë në shoqëri në një mënyrë të drejtë dhe të matshme.
Si ndikon informaliteti në këtë sektor në konkurrencën e ndershme dhe në drejtësinë tatimore?
Informaliteti krijon pabarazi të pastër. Një kompani marketingu që faturon, paguan TVSH dhe tatim fitimi nuk mund të konkurrojë në kushte të barabarta me një influencer që ofron të njëjtin shërbim pa asnjë detyrim fiskal. Kjo dëmton tregun, nxit evazionin dhe minon drejtësinë tatimore. Formalizimi nuk ka për qëllim ndëshkimin, por barazinë pasi duhet që kush fiton nga tregu, kontribuon në të njëjtën mënyrë si të gjithë të tjerët.
Për më tepër, informaliteti deformon edhe vetë perceptimin e vlerës së punës në tregun digjital. Kur një pjesë e aktorëve operojnë pa rregulla, krijohet presion artificial për ulje çmimesh, duke penalizuar ata që janë të formalizuar dhe që investojnë në staf, kontrata, pajisje dhe cilësi shërbimi. Në afat të gjatë, kjo frenon profesionalizimin e sektorit dhe largon investimet serioze, përfshirë edhe nga kompani ndërkombëtare që kërkojnë transparencë fiskale dhe kontraktuale. Pikërisht për këtë arsye, në shumicën e vendeve të BE-së formalizimi i influencer marketing-ut shihet si një mekanizëm zhvillimi dhe stabiliteti të tregut, jo si një barrë shtesë.
Si do të funksionojë në praktikë identifikimi i subjekteve që ushtrojnë aktivitet ekonomik përmes internetit?
Në praktikë, subjektet që gjenerojnë të ardhura online duhet të publikojnë në faqen apo profilin e tyre të aktivitetit të dhëna bazë si NIPT-i, emri tregtar dhe kontaktet. Në rast se administrata tatimore identifikon aktivitete ekonomike pa këto elemente transparence, dërgohet fillimisht një njoftim. Vetëm nëse nuk ka reagim brenda afatit ligjor 15 ditor, aplikohet masa e bllokimit të përkohshëm të faqes duke njoftuar AKEP-in. Pra, është një proces progresiv, edukues dhe jo ndëshkues, që synon formalizimin real të ekonomisë digjitale.
Këto janë praktika tashmë të konsoliduara në shumë vende të BE-së dhe të rajonit, ku autoritetet tatimore bashkëpunojnë me rregullatorët e komunikimeve elektronike për të garantuar transparencë dhe respektim të rregullave. Edhe në rajon, përfshirë Kosovën, administratat tatimore kanë nisur prej kohësh monitorimin e aktiviteteve digjitale dhe të të ardhurave nga rrjetet sociale, duke i trajtuar krijuesit e përmbajtjes si subjekte ekonomike. Këto shembuj tregojnë se modeli funksionon dhe kontribuon realisht në uljen e informalitetit dhe në forcimin e drejtësisë tatimore. Unë kam besim që do të funksionojë edhe në Shqipëri.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto