Google Classroom prezanton një mjet të ri me Gemini që i kthen mësimet në podcast-e - Business Magazine Albania

Google Classroom prezanton një mjet të ri me Gemini që i kthen mësimet në podcast-e

Google Classroom prezanton një mjet të ri me Gemini që i kthen mësimet në podcast-e

Google Classroom ka prezantuar një mënyrë të re dhe inovative për të tërhequr vëmendjen e nxënësve, veçanërisht atyre që janë dëgjues të rregullt të podcast-eve. Një mjet i ri i fuqizuar nga Gemini u mundëson mësuesve të krijojnë mësime në format audio, të ngjashme me podcast-et, me synimin për të nxitur kuptim më të thellë të materialeve mësimore.

Për ta përdorur këtë funksionalitet, mësuesit duhet të hyjnë në skedën Gemini brenda Google Classroom. Aty, ata mund të personalizojnë mësimin duke zgjedhur nivelin e klasës, temat kryesore dhe objektivat e të nxënit. Për më tepër, audio-mësimet mund të përshtaten sipas stilit të komunikimit, duke përfshirë intervista, diskutime në grup (roundtable) apo biseda më informale, si edhe duke përcaktuar numrin e folësve.

Ky funksion është aktualisht i disponueshëm për përdoruesit e abonuar në **Google Workspace Education Fundamentals, Standard dhe Plus.

Lexo edhe: Eric Schmidt financon një teleskop hapësinor privat më të madh se Hubble

Duke sjellë një format të njohur dhe të dashur për të rinjtë në procesin mësimor, Google synon të lidhet më mirë me interesat e nxënësve. Studimet tregojnë se podcast-et janë jashtëzakonisht të njohura tek të rinjtë, me rreth 35 milionë dëgjues mujorë nga Gjenerata Z vetëm në SHBA.

Ndërkohë, përdorimi i podcast-eve si burime edukative është rritur ndjeshëm. Shumë universitete tashmë prodhojnë podcast-et e tyre, ndërsa studentët kërkojnë gjithnjë e më shpesh seri edukative për t’i ndjekur në kohën e lirë. Mësimet në format podcast mund të nxisin edhe mësimin e pavarur, pasi nxënësit kanë mundësinë t’i dëgjojnë episodet sërish në çdo moment, për përforcim ose në rast se kanë munguar në klasë.

Megjithatë, integrimi i inteligjencës artificiale në mësimdhënie mbetet një sfidë për shumë mësues. Ka shqetësime të vazhdueshme lidhur me varësinë në rritje të nxënësve nga mjetet gjenerative të AI-së, si ChatGPT, për kryerjen e detyrave.

Google u bën thirrje mësuesve të praktikojnë përdorim të përgjegjshëm të AI-së dhe të rishikojnë me kujdes çdo përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, duke e redaktuar atë kur është e nevojshme, për të garantuar saktësi dhe përputhje me kontekstin e klasës dhe politikat lokale.

Gemini për Classroom u lançua fillimisht në vitin 2024 dhe që prej atëherë Google ka shtuar vazhdimisht funksione të reja. Përditësimet më të fundit, të prezantuara në qershor, përfshijnë mjete që ndihmojnë mësuesit të gjenerojnë ide, të zhvillojnë plane mësimore dhe të personalizojnë materialet edukative sipas nevojave të nxënësve.

techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0