Met Office britanik paralajmëron se viti 2026 ka shumë gjasa të bëhet viti i katërt radhazi ku temperaturat globale arrijnë 1,4°C mbi nivelet paraindustriale.
Shkencëtarët parashikojnë se 2026 do të jetë një nga vitet më të nxehta që nga viti 1850, ndërsa emetimet që bllokojnë nxehtësinë vazhdojnë të “ziejnë” planetin.
Më herët këtë muaj, të dhënat nga Copernicus paralajmëruan se viti 2025 aktualisht është në barazim me vitin 2023 si viti i dytë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, me temperaturën mesatare globale nga janari deri në nëntor 2025 që ka arritur 1,48°C mbi nivelet paraindustriale.
Viti 2024 mbetet më i nxehti që nga fillimi i matjeve dhe i pari që e ka tejkaluar pragun 1,5°C krahasuar me bazën 1850–1900.
Sa i nxehtë do të jetë viti 2026
Met Office i Mbretërisë së Bashkuar ka publikuar parashikimin më të fundit për temperaturën mesatare globale, duke paralajmëruar se viti 2026 ka shumë gjasa të bëhet viti i katërt ku temperatura mesatare globale rritet me 1,4°C mbi mesataren paraindustriale.
Studiuesit parashikojnë se temperaturat do të luhaten mes 1,34°C dhe 1,58°C, me një vlerësim qendror prej 1,46°C mbi mesataren e periudhës paraindustriale.
“Tre vitet e fundit ka shumë gjasa të kenë tejkaluar të gjitha 1,4°C dhe presim që 2026 të jetë viti i katërt radhazi që e bën këtë”, thotë profesori Adam Scaife, i cili udhëhoqi ekipin që hartoi parashikimin global.
“Para kësaj rritjeje, temperatura globale nuk kishte kaluar kurrë 1,3°C”, shton ai.
Lexo edhe: Krishtlindje më të shtrenjta, si po ndikon ndryshimi klimatik te ushqimet festive
Marrëveshja e Parisit në rrezik
Në vitin 2015, gati 200 shtete nënshkruan një traktat ligjërisht detyrues për të mbajtur “rritjen e temperaturës mesatare globale shumë nën 2°C mbi nivelet paraindustriale” dhe për të ndjekur përpjekje për ta “kufizuar rritjen e temperaturës në 1,5°C mbi nivelet paraindustriale”.
E njohur si Marrëveshja e Parisit, kjo marrëveshje shihet shpesh si një nga angazhimet më të mëdha mjedisore në histori. Megjithatë, me rritjen e temperaturave që nuk tregon shenja ngadalësimi, shkencëtarët druhen se këto objektiva mund të tejkalohen së shpejti.
Sipas Kombeve të Bashkuara, për të kufizuar ngrohjen globale në 1,5°C, emetimet e gazeve serrë duhet të arrijnë kulmin para vitit 2025, në rastin më të vonshëm, dhe të bien me 43 për qind deri në vitin 2030.
“Viti 2024 shënoi tejkalimin e parë të përkohshëm të pragut 1,5°C dhe parashikimi ynë për vitin 2026 sugjeron se kjo mund të ndodhë sërish”, paralajmëron Dr Nick Dunstone nga Met Office.
“Kjo tregon se sa shpejt po i afrohemi tani objektivit 1,5°C të Marrëveshjes së Parisit”.
Shkencëtarët kanë paralajmëruar vazhdimisht se tejkalimi i pragut 1,5°C sjell një sërë pasojash “të rënda”, si mot ekstrem, humbje të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe rritje të vdekshmërisë.
Pikërisht për këtë arsye, raporti më i fundit i Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin bën thirrje për një ndryshim global kursi, për të siguruar një planet të shëndetshëm dhe “mirëqenie për të gjithë”.
Kjo përfshin kalimin drejt modeleve të ekonomisë qarkulluese që “reduktjnë gjurmën materiale”, dekarbonizimin e shpejtë të sistemit energjetik, zhvendosjen drejt dietave të qëndrueshme, uljen e mbetjeve dhe restaurimin e ekosistemeve të degraduara.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.