Një tortë çokollate me karamel, një akullore kremoze apo një pije e gazuar e ftohtë, tingëllojnë si kënaqësi të vogla të përditshme. Por pas kësaj dashurie universale për shijen e ëmbël fshihet një problem i madh shëndetësor: sheqeri i shtuar, i pranishëm jo vetëm te ëmbëlsirat, por edhe te ushqime që nuk i mendojmë kurrë si “të ëmbla”.
Për shembull, një porcion ketchup-i përmban rreth 4 gramë sheqer të shtuar, dy feta bukë të bardhë rreth 5 gramë, ndërsa një kos vanilje mund të arrijë deri në 14 gramë. Sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës, të rriturit konsumojnë mesatarisht 68 gramë sheqer të shtuar në ditë, gati dyfishin e normës së rekomanduar për burrat dhe trefishin për gratë.
Ekspertët theksojnë se nuk bëhet fjalë për demonizimin e ushqimeve, por për vetëdije dhe masë. “Nga pikëpamja evolucionare, shija e ëmbël lidhej me energjinë dhe sigurinë, ndaj truri ynë është i programuar ta kërkojë,” shpjegojnë dietologët. Industria ushqimore moderne, ndërkohë, e shfrytëzon këtë prirje duke ofruar produkte shumë të përpunuara dhe tepër tërheqëse për shijen.
Sheqer natyral apo i shtuar?
Sheqeri natyral gjendet te frutat dhe qumështi, dhe përthithet më ngadalë nga organizmi falë fibrave dhe proteinave. Ndërsa sheqeri i shtuar, që shtohet gjatë përpunimit ose përgatitjes së ushqimit, përthithet shpejt dhe rrit rrezikun për probleme serioze shëndetësore.
Studimet tregojnë se konsumimi i lartë i sheqerit të shtuar lidhet me sëmundjet e zemrës, diabetin e tipit 2, inflamacionin kronik, mëlçinë yndyrore, madje edhe me rritjen e rrezikut për kancer dhe Alzheimer. Veçanërisht të rrezikshme janë pijet me sheqer, të cilat nuk krijojnë ndjesi ngopjeje, por rrisin ndjeshëm sheqerin në gjak.
Po ëmbëlsuesit artificialë?
Stevia, sukraloza apo ekstrakti i monk fruit konsiderohen përgjithësisht të sigurt kur përdoren me masë dhe nuk rrisin nivelin e glukozës në gjak. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nuk duhet të mbështetemi plotësisht tek zëvendësuesit, por te një dietë e bazuar në ushqime natyrale.
Si ta ulim sheqerin pa stres?
Specialistët këshillojnë:
-
Fillo gradualisht, duke reduktuar pijet e gazuara, kafenë e ëmbëlsuar dhe ëmbëlsirat e paketuara.
-
Zëvendëso, mos hiq dorë: frutat e freskëta ose të ngrira janë “karamelet e natyrës”.
-
Fokusohu te proteinat dhe fibrat, që stabilizojnë sheqerin në gjak dhe ulin dëshirën për ëmbëlsi.
-
Planifiko ushqimet, që të mos biesh pre e zgjedhjeve të shpejta dhe të pashëndetshme.
-
Për ata që kanë nevojë për strukturë, një sfidë 30-ditore pa sheqer të shtuar mund të jetë një “reset” i dobishëm.
5 alternativa të shëndetshme kur të kap dëshira për të ëmbla:
-
“Akullore” me banane të ngrira dhe kakao ose kanellë
-
Kos grek me fruta pylli dhe fara
-
Pudingu me fara chia dhe qumësht bajamesh
-
Luleshtrydhe të zhytura në çokollatë të zezë 85% kakao
-
Mollë ose dardhë e pjekur me kanellë dhe pak gjalpë arror
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.