Në periudha pasigurie ekonomike dhe tensioni në tregje, edhe liderët më me përvojë përballen me frikë dhe dilema për të ardhmen. Pikërisht në këto momente, ekipet nuk kërkojnë premtime boshe apo siguri të rreme, por sinqeritet, qartësi dhe një ndjenjë të përbashkët qëllimi.
Ekspertët e Forbes Coaches Council theksojnë se lidershipi i suksesshëm në kohë krize bazohet në komunikim të hapur, empati dhe vendosjen e njerëzve në qendër të vendimmarrjes. Sipas tyre, liderët që pranojnë realitetin pa e dramatizuar atë arrijnë të ndërtojnë besim afatgjatë dhe stabilitet emocional në ekip.
Një nga hapat kyç është emërtimi i frikës dhe fakteve, duke shmangur spekulimet. Kur lideri flet hapur për atë që di dhe pranon atë që ende është e paqartë, ai krijon një mjedis transparence dhe sigurie psikologjike. “Të vërtetat e thëna qartë parandalojnë panikun dhe forcojnë besimin,” vlerësojnë ekspertët.
Po aq e rëndësishme është rikujtimi i përvojave të kaluara, kur organizatat kanë përballuar sfida dhe kanë dalë më të forta. Këto shembuj ndihmojnë ekipet ta shohin ndryshimin jo si kërcënim, por si një proces të natyrshëm zhvillimi.
Ekspertët theksojnë gjithashtu nevojën për balancë mes vulnerabilitetit dhe forcës. Liderët që pranojnë se nuk kanë të gjitha përgjigjet, por njëkohësisht ofrojnë drejtim dhe mbështetje, perceptohen si më autentikë dhe më të besueshëm.
Në vend që të fokusohen te ajo që nuk mund të kontrollohet, drejtuesit këshillohen të udhëheqin ekipet drejt asaj që është nën kontrollin e tyre: vlerat, cilësia e punës, kujdesi për klientët dhe bashkëpunimi i brendshëm. Kjo qasje e thjeshtë ndihmon në uljen e ankthit dhe rrit ndjenjën e qëllimit.
Një tjetër element kyç është komunikimi i rregullt dhe i strukturuar, edhe kur nuk ka lajme të mëdha për të ndarë. Përditësime të shkurtra dhe të sinqerta mbi situatën aktuale ndihmojnë në krijimin e stabilitetit dhe shmangin pasigurinë që lind nga heshtja.
Sipas Forbes Coaches Council, liderët që udhëheqin me integritet, veprime konkrete dhe transparencë reale janë ata që arrijnë jo vetëm të ruajnë besimin e ekipeve të tyre, por edhe t’i frymëzojnë ato të ecin përpara, edhe kur rruga është e paqartë.
Në kohë pasigurie, mesazhi është i qartë, besimi nuk ndërtohet me fjalë të bukura, por me të vërtetën e ndarë hapur dhe me lidership që vendos njerëzit në radhë të parë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.