Startup-i spanjoll STAMP kërkon revolucion në rimbursimin e TVSH-së për turistët - Business Magazine Albania

Startup-i spanjoll STAMP kërkon revolucion në rimbursimin e TVSH-së për turistët

Pas katër dekadash në të cilat turistëve u është shitur “blerje pa taksa” që në realitet nënkupton një rimbursim të ngadaltë dhe të pjesshëm të TVSH-së, fintech-u spanjoll STAMP po kërkon ta përmbysë modelin, në mënyrë që vizitorët jo të BE-së të mos e paguajnë fare taksën në arkë.

Sistemi i ngathët i rimbursimit të taksave, i cili e quan veten “tax-free”, po vihet në pikëpyetje nga kompania fintech STAMP. Start-up-i ka nisur një fushatë për t’u mundësuar turistëve shmangien e pagesës së TVSH-së në momentin e blerjes duke hapur një debat të gjerë në sektorët e turizmit dhe shitjes me pakicë, mbi nevojën e reformimit të të gjithë sistemit.

Ashtu si shumë vende të BE-së, Spanja vazhdon të përdorë termin “tax-free” për shërbime që në praktikë funksionojnë si rimbursim i shtyrë i TVSH-së për turistët jo të Bashkimit Europian.

Edhe pse ky etiketim është i shfaqur kudo në dyqane, vizitorët paguajnë çmimin e plotë të produktit dhe më pas marrin mbrapsht një pjesë të taksës kur largohen nga vendi, pas proceseve të verifikimit dhe ndërhyrjes së operatorëve ndërmjetësues.

Kjo qasje daton që nga vitet 1980, kur kufizimet teknologjike dhe administrative e bënin të pamundur verifikimin në kohë reale të mallrave që dilnin jashtë vendit. Shitësit nuk mund të garantonin që një produkt i blerë në Spanjë do ta linte realisht vendin dhe nuk do t’i nënshtrohej TVSH-së spanjolle ose asaj të BE-së.

Spanja priti rreth 94 milionë turistë ndërkombëtarë në 2024, me një shpenzim total mbi 126 miliardë euro. Në gjysmën e parë të vitit 2025, numri i vizitorëve u rrit edhe më tej krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, vetëm një pjesë e këtij konsumi kalon përmes sistemit të rimbursimit të TVSH-së, pasi jo të gjitha blerjet janë të përfshira në skemë.

Lexo edhe: Europa ngec në adoptimin e AI, ndërsa Gen Z në ekonomitë në zhvillim po e përqafon me shpejtësi, sipas raportit të OECD

Ekspertët e industrisë sugjerojnë se shumë turistë heqin dorë nga procesi për shkak të kompleksitetit, mungesës së informacionit ose sepse përfitimi përfundimtar konsiderohet i kufizuar.

Rreth 80% e volumit total të përpunuar vjen nga sektori i luksit, çka lë jashtë biznese të vogla e të mesme që mund të përfitonin prej këtij incentivi si mjet komercial.

Një proces i ndërlikuar

Sipas Abel Navajas, CEO i fintech-ut STAMP, problemi nuk qëndron te rregulloret, por te “një sistem i vjetër që krijon një përvojë të ngadaltë dhe të paqartë për turistët”.

Pavarësisht rritjes së digjitalizimit, rikuperimi i taksës kërkon ende pagesën fillestare të TVSH-së, menaxhimin e formularëve dhe ndërhyrjen e operatorëve që aplikojnë komisione.

Në vitin 2019, procesi u digjitalizua plotësisht përmes sistemit DIVA, ku klienti merr një dokument elektronik rimbursimi në dyqan dhe më pas e verifikon atë në kioskat DIVA në aeroport apo port përpara largimit.

Por edhe me DIVA, turisti paguan TVSH-në paraprakisht dhe më pas duhet të ndërveprojë me një operator si Global Blue, Planet ose PieVAT për të marrë rimbursimin.

Me komisionet e shtuara, udhëtarët zakonisht rikuperojnë vetëm 40% deri në 60% të taksës.

Një model i ri për konkurrueshmëri ndërkombëtare

Në kushtet e konkurrencës së ashpër globale, ku qytetet spanjolle kërkojnë të rrisin tërheqin turistike dhe ofertat e shitjes me pakicë,  propozime si ai i STAMP po shihen si mundësi për modernizimin e konceptit “tax-free”.

Sipas start-up-it, ky model sjell disa përfitime. Para së gjithash, turisti përfiton menjëherë kursimin, ndërsa biznesi e di paraprakisht koston e shërbimit, duke e përdorur atë si një mjet shitjeje. Ky stimul gjithashtu e bën më të lehtë pjesëmarrjen e të gjitha llojeve të dyqaneve,  jo vetëm atyre të luksit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0