John Hope Bryant, aktivist i rëndësishëm për edukimin financiar në SHBA, thotë se dallimi mes një jete me frikë nga paratë dhe një jete ku i kontrollon ato, varet nga një gjë e vetme, dija financiare. Por në Amerikë, kjo dije vazhdon të jetë “e bllokuar”, sidomos për fëmijët që nuk rriten në familje të pasura. Bryant, i rritur në një lagje të varfër në Compton, thotë se problemi nuk është mungesa e ambicies, por modeli i keq financiar dhe mungesa e njohurive bazë si buxhetimi, kursimi apo kuptimi i investimeve.
Ai ndan edhe një sekret të thjeshtë: “Paratë i fiton ditën, por pasurinë e ndërton natën.” Pikërisht këtë përpiqet të mësojë me librin dhe organizatën e tij Operation HOPE, që ka investuar mbi 4.5 miliardë dollarë në komunitete të pambështetura, duke ofruar programe edukimi financiar, këshillim dhe ndihmë për biznese të vogla.
Por sipas Bryant, pengesa e parë ndaj edukimit financiar është qasja, shumë pak njerëz kanë pasur fatin të takojnë dikë që t’u shpjegojë financat me thjeshtësi dhe drejtësi. Pengesa e dytë janë vetë kompanitë financiare, të cilat shpesh shesin iluzione, reklama mashtruese apo “investime të shpejta”, që i varfërojnë konsumatorët.
Në librin e tij, Bryant thekson edhe tre këshilla të arta:
1. Pasuria ndërtohet nga zakonet, jo nga rasti.
Njohja e fuqisë së interesit të përbërë dhe planifikimit afatgjatë është bazë.
2. Mos pyet vetëm “sa është pagesa?”, por çfarë kushton vërtet kredia.
Shumë sipërmarrës fundosën bizneset duke mos kuptuar termat reale.
3. Kapitali më i mirë për një sipërmarrës nuk është kredia,por kapitali i marrëdhënieve.
Në epokën e AI, bizneset mund të nisin me pak lekë, por nuk ecin dot pa rrjet, mentorë, bashkëpunëtorë dhe njerëz që të hapin dyer.
Historia personale e Bryant e bën mesazhin edhe më të fuqishëm: ai erdhi nga asgjëja, pa role modele pozitive, mes dyqaneve të kreditimit të shpejtë dhe pawnshop-eve, dhe e ndryshoi jetën kur dikush i tregoi se një ide mund të mbështetet nga një bankë, nëse ke dije dhe strategji.
Për të, edukimi financiar nuk është thjesht shifra, është rrugëdalje, liri dhe një shans për një të ardhme më të drejtë ekonomikisht. Në këtë pikë, ne të dy, shkruan autorja, pajtohemi plotësisht.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.