Qeveria japoneze po përgatitet të rrisë taksën e largimit ndërkombëtar në vitin 2026, ndërsa tarifat për vizat njëpërdorimëshe dhe shumëpërdorimëshe që nuk janë ndryshuar që prej vitit 1978, pritet të rriten ndjeshëm.
Sipas gazetave The Nikkei dhe Asahi Shimbun, të ardhurat shtesë do të përdoren për përmirësimin e infrastrukturës ajrore, forcimin e kontrolleve të sigurisë dhe financimin e programeve të brendshme të propozuara nga qeveria e re, si arsimi falas në shkollat e mesme.
Edhe qytetarët japonezë do të vazhdojnë të paguajnë taksën e largimit, megjithatë autoritetet po shqyrtojnë uljen e tarifave për pasaporta për të zbutur koston për vendasit.Taksat aktuale për largimin nga Japonia, që zbatohen për çdo person që lë vendin, zakonisht me avion u prezantuan në vitin 2019 me një shumë fikse prej 1,000 jenësh (rreth 5.50 euro). Zyrtarët po shqyrtojnë tani rritjen e saj në përputhje me “standardet ndërkombëtare”.
Për shembull, Gjermania aplikon tarifa që variojnë nga 15 deri në 70 euro në varësi të destinacionit. Ndërkohë, tarifat për vizat japoneze, të cilat janë ndër më të ulëtat në botë, janë gjithashtu në rishikim. Aktualisht, një vizë njëpërdorimëshe kushton rreth 3,000 jenë (19 euro), ndërsa një shumëpërdorimëshe 6,000 jenë (38 euro).
Lexo edhe: OpenAI sfidon Google, lançon shfletuesin e ri “Atlas”
Nëse këto tarifa përafruar me ato të ekonomive të tjera, si 150 euro për vizën britanike ose 90 euro për vizën Schengen udhëtarët mund të përballen me rritje të konsiderueshme të kostove.
Në plan është edhe sistemi elektronik JESTA (Japan Electronic System for Travel Authorisation), i ngjashëm me ETIAS-in europian, që do të hyjë në fuqi në vitin 2028 dhe pritet të ketë një tarifë shtesë prej 6,000 jenësh (36 euro).
Autoritetet thonë se ndryshimet janë të vonuara. Japonia përballet me sfida për të siguruar mbi 2.2 miliardë euro të nevojshme për financimin e arsimit të mesëm falas për të gjithë nxënësit, përfshirë ata të shkollave private. Duke rritur tarifat që paguhen kryesisht nga shtetas të huaj, qeveria synon të gjenerojë të ardhura pa rritur barrën fiskale për qytetarët e saj.
Por masat lidhen edhe me shqetësimet në rritje për overtourizmin, tejmbushjen turistike të vendit. Nga janari deri në shtator të këtij viti, Japonia ka pritur një rekord prej 31.6 milionë vizitorësh ndërkombëtarë, duke kaluar nivelet e para pandemisë.
Për të menaxhuar fluksin, disa rajone po vendosin taksa të reja akomodimi. Në Kyoto, Ministria e Punëve të Brendshme ka miratuar një sistem të ri tarifash që hyn në fuqi në vitin 2026, me pagesa që variojnë nga 1 deri në 56 euro për natë, në varësi të nivelit të hotelit.
Sipas autoriteteve lokale, qëllimi nuk është të dekurajohen turistët, por të sigurohet që ata të kontribuojnë në mbulimin e kostove të menaxhimit të turizmit masiv.
Ekspertët e industrisë së udhëtimeve theksojnë se këto tarifa “nuk synojnë të pengojnë udhëtimet, por të ndihmojnë në ruajtjen e pasurisë kulturore, pastërtisë dhe transportit publik”.
Nën drejtimin e kryeministres së re, Sanae Takaichi, e para grua në këtë post në historinë e Japonisë debati për turizmin ka marrë tone më të ashpra. Komentet e saj për sjelljen e turistëve të huaj kanë nxitur diskutime mbi kufijtë midis hapjes dhe mbrojtjes së kulturës kombëtare.
Me tarifa më të larta dhe ndjeshmëri të shtuar ndaj fluksit turistik, Japonia duket se po hyn në një fazë të re të menaxhimit të industrisë së saj të turizmit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto