Kush e kontrollon vërtet OpenAI? Pasuria, borxhet dhe partneritetet e Sam Altman - Business Magazine Albania

Kush e kontrollon vërtet OpenAI? Pasuria, borxhet dhe partneritetet e Sam Altman

Kush është në kontroll të OpenAI? Startup-i më i vlefshëm në botë, vlerësuar në 500 miliardë dollarë, lindi me ambicien për të ndërtuar një inteligjencë artificiale “për të mirën e njerëzimit”. Por pas marrëveshjes më të fundit me prodhuesin e çipeve AMD, bashkëpunimet  me Nvidia, Oracle dhe Microsoft, pyetja mbi pronësinë dhe drejtimin po bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar.

E themeluar në vitin 2015 si organizatë jofitimprurëse nga Sam Altman, Elon Musk dhe investitorë të tjerë të Silicon Valley, OpenAI kishte si synim zhvillimin e një inteligjence artificiale të përgjithshme (AGI) që mund të barazojë aftësitë njerëzore në fushat kryesore. Suksesi global i ChatGPT e shndërroi kompaninë në motor të revolucionit teknologjik, por struktura e saj korporative dhe marrëdhëniet financiare tregojnë një realitet shumë më të ndërlikuar.

Struktura dhe pronësia

OpenAI është ndërtuar mbi dy nivele: organizata jofitimprurëse OpenAI Inc., që kontrollon misionin dhe bordit e saj, dhe degën fitimprurëse OpenAI Global LLC.. Në teori, kontrolli i takon organizatës jofitimprurëse, por kapitali tregon një tjetër histori: Microsoft zotëron rreth 28%, vetë organizata 27%, punonjësit 25% dhe pjesa tjetër ndahet mes fondeve ndërkombëtare. Edhe pse Microsoft është investitori më i madh, ai nuk ka kontroll formal dhe është larguar edhe nga bordi i kompanisë.

Në praktikë, OpenAI është bërë pjesë e një rrjeti të dendur partneritetesh financiare dhe industriale, që përfshin aktorët më të fuqishëm të teknologjisë.

Lexo edhe: Shqipëria po humbet garën e startupe-ve: energji ka, por sistemi nuk funksionon ( Raporti)

Rrjeti i varësive

Për të përballuar rritjen marramendëse të ChatGPT, që tashmë numëron mbi 700 milionë përdorues në javë, OpenAI ka nënshkruar kontrata që kapin mbi 1.000 miliardë dollarë, për furnizime me çipe, qendra të dhënash dhe kapacitete energjetike.
Marrëveshja e fundit me AMD parashikon blerjen e procesorëve për 6 GW dhe mundësinë e blerjes deri në 10% të aksioneve të kompanisë. Nga ana tjetër, marrëveshja me Nvidia përfshin investime që mund të arrijnë deri në 100 miliardë dollarë.

Në këmbim, partnerët sigurojnë fitime afatgjata dhe qasje në një treg që po zgjerohet me shpejtësi. “Është koha të investojmë agresivisht në infrastrukturë dhe për këtë kemi nevojë për mbështetjen e gjithë sektorit,” ka deklaruar Altman.

Por marrëdhëniet janë komplekse: Nvidia zotëron pjesë në kompaninë CoreWeave, ku OpenAI është aksionare; Microsoft ka investuar 13 miliardë dollarë, por bashkëpunon edhe me kompani rivale si Mistral; ndërsa OpenAI përdor edhe cloud-in e Google dhe bashkëpunon me Apple për përmirësimin e Siri-t.

Borxhet dhe rreziqet

Megjithëse pritet të gjenerojë mes 12 dhe 20 miliardë dollarë të ardhura këtë vit, OpenAI mbetet thellësisht e varur nga kredia dhe kapitali i jashtëm. Kompania ka marrë mbi 4 miliardë dollarë hua bankare dhe 47 miliardë nga fondet e kapitalit sipërmarrës, ndërsa po përgatitet për emetim të ri borxhi.

Analistët paralajmërojnë se rritja e sektorit mund të mbështetet më shumë te flukset financiare sesa te kërkesa reale. Krahasimet me flluskën e dot.com-ve të viteve ’90 po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, ndërsa Nvidia cilësohet tashmë si “banka qendrore e inteligjencës artificiale”.

Altman vetë ka pranuar: “Fitimi nuk është ndër dhjetë shqetësimet e mia kryesore. Një ditë do të jemi shumë fitimprurës, por kemi kohë.”

Dimensioni gjeopolitik

Çështja e OpenAI ka kaluar tashmë në nivel strategjik. Kontrolli mbi GPU-të dhe burimet energjetike për funksionimin e qendrave të të dhënave është bërë fushë beteje mes SHBA-së dhe Kinës.
Administrata amerikane ka nisur projektin Stargate, një plan infrastrukturor prej 500 miliardë dollarësh që mbështet zhvillimin e OpenAI.

Sipas investitorit italian Matteo Manfredi, i pari që hyri në kapitalin e kompanisë me Gestio Capital, “OpenAI nuk është më një startup, por një aset strategjik kombëtar. Inteligjenca artificiale është bërë çështje gjeopolitike. Kërkesa për GPU dhe energji elektrike është shumë më e madhe se furnizimi aktual  dhe kjo do të përcaktojë balancat e pushtetit teknologjik në vitet e ardhshme.

Zyrtarisht një organizate jofitimprurëse, por në realitet, ajo është produkt i një ekosistemi kompleks partnerësh industrialë, fondesh, qeverish dhe interesash strategjike. OpenAI nuk është më “e dikujt”, por e të gjithë atyre që kanë vënë bast mbi suksesin e saj.

Burimi: Corriere della Sera

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Mos ndiq pararatë, ndiq pasionin.”
— Tony Hsieh
Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0