Nga Fatima Gorezi – Nga një fshat i vogël në Drenicë, deri te auditorët prestigjiozë të Zvicrës dhe institucionet më të njohura ndërkombëtare, rruga e Prof. Dr. Fadil Çitakut është dëshmi e fuqisë që ka vizioni i bazuar në dije dhe përkushtim. Themelues i Academy of Leadership Sciences Switzerland dhe i Institutit për Avancim Kombëtar, ai ka ndërtuar një karrierë ku lidershipi shihet jo si retorikë, por si shkencë. Modelet e tij të validuara ndërkombëtarisht në neuroleadership, neuromarketing dhe neuroekonomi janë sot literaturë në universitete si Harvard, Stanford apo Yale, duke e bërë atë një prej mendjeve më inovative të diasporës shqiptare. Në këtë intervistë për Business Magazine, Prof. Çitaku flet për sfidat dhe mundësitë e diasporës, për rolin e shkencës në formimin e liderëve modernë dhe për mesazhin që u jep të rinjve shqiptarë: të ëndërrojnë dhe të ndërtojnë rrugën me integritet.
Pas kaq shumë vitesh eksperiencë në udhëheqje dhe edukim, si e vlerësoni zhvillimin e karrierës tuaj dhe cilat ishin momentet kyçe që formuan rrugën tuaj drejt krijimit të organizatave që drejtoni sot? Si u gjendët në Zvicër?
Rruga ime ka qenë e gjatë dhe e mbushur me sfida, por edhe me mundësi të jashtëzakonshme. U linda në fshatin Çitak të Drenicës dhe vitet e para i kalova në Kosovë. Për shkak të rrethanave të kohës, shumë shqiptarë kërkuan shkollim dhe jetë më të mirë jashtë vendit. Edhe unë, me dëshirën për të ndërtuar një karrierë akademike, u gjenda në Zvicër ku përfundova një pjesë dërrmuese të studimeve, deri në PhD.
Prej 25 vitesh ligjëroj në arsimin e lartë të Zvicrës, duke kontribuar në përgatitjen e gjeneratave të reja të profesionistëve dhe duke sjellë inovacion në mësimdhënie e kërkim shkencor. Ky angazhim afatgjatë më ka dhënë mundësinë të ndërthur përvojën akademike me vizionin për lidershipin shkencor.
Momenti që më hapi horizonte të reja ishte krijimi i Akademisë së Shkencave të Lidershipit në Cyrih (ALSS) në vitin 2014, një institut unik në llojin e vet, i fokusuar në fusha të reja shkencore si Neurobiznesi, Neuroekonomia, Neuroleadershipi dhe Neuromarketingu. Këtë akademi e kam iniciuar dhe themeluar vet, pas publikimit të modelit tim shkencor të parë për kompetencat e lidershipit në mjekësi dhe shëndetësi. Ky model – i bazuar 100% në shkencë doli në arenën ndërkombëtare si i pari në botë, duke u botuar në British Medical Journal (BMJ) dhe sot mbetet më i cituari në këtë fushë.
Sot, ALSS, të cilën e udhëheq bashkëpunon me mbi 100 profesorë eminentë nga e gjithë bota, duke e bërë ALSS një qendër ndërkombëtare të dijes dhe inovacionit në fushën e lidershipit modern.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto