Nga Adelina Onuzi – Kur Plug and Play vendosi të zbarkonte në Shqipëri, nuk kërkoi një treg të përsosur, kërkoi një energji që nuk mund të fshihej. Dhe e gjeti. Mes një ekosistemi ende të ri, por me zemër që rreh fort për ide të mëdha, ky sezon i parë solli në të njëjtën skenë vizionarë vendas, talente të kthyer nga Diaspora dhe fqinj që panë Tiranën si stacionin e tyre të radhës për rritje. Ishte një fillim që nuk priti garanci, por e krijoi.
Në këtë përmbyllje të kapitullit të parë, Business Magazine intervistoi Uranik Begun, drejtor i Plug and Play Tech Center për Ballkanin Perëndimor, për të kuptuar nga afër çfarë ka ndryshuar dhe çfarë vjen më pas për inovacionin në Shqipëri.
Kur erdhët me Plug and Play në Shqipëri, a ndjetët se tregu ishte realisht gati për këtë hap?
Kur vendosëm të sillnim Plug and Play në Shqipëri, e dinim që ekosistemi i startup-eve ishte ende në fazë të hershme, por me një energji të madhe dhe potencial të padiskutueshëm. Nuk prisnim një “gatishmëri” të plotë në sensin klasik, por një terren që kërkon mbështetje, struktura dhe lidhje ndërkombëtare. Dhe këtë gjetëm, një komunitet të uritur për mundësi, që donte të provojë veten në një skenë më të madhe.
Cilat kanë qenë momentet që ju kanë bërë të thoni: “Po, ia vlejti!” gjatë këtij sezoni të parë?
Ka pasur shumë momente të tilla, nga dita e parë e bootcamp-it kur pamë shkëlqimin në sytë e themeluesve, te momenti kur startup-et shqiptare filluan të tërhiqnin vëmendjen e mentorëve e investitorëve ndërkombëtarë. Por një dëshmi shumë e fortë për mua ishte fakti që 5 startup nga Diaspora u regjistruan për herë të parë në Shqipëri, si dhe 4 startup nga rajoni (3 nga Kosova dhe 1 nga Maqedonia e Veriut) iu bashkuan programit. Kjo tregon se Shqipëria po kthehet në një pikë referimi për inovacionin në rajon dhe po tërheq talente që më parë nuk do ta kishin parë vendin si destinacion për të ndërtuar biznesin e tyre.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.