Siguria ushqimore në Shqipëri, mes sfidave dhe garancive të cilësisë - Business Magazine Albania

Siguria ushqimore në Shqipëri, mes sfidave dhe garancive të cilësisë

Rastet e fundit të produkteve shqiptare që janë kthyer nga tregjet ndërkombëtare apo polemikat mbi cilësinë e produketeve që prodhohen në vendin tonë, kanë rikthyer në qendër të debatit publik pyetjen thelbësore: a janë produktet ushqimore në Shqipëri të sigurta? Nga prodhimi deri te konsumatori, rruga e ushqimit përshkohet nga rreziqe të padukshme; pesticide, konservues, standarde të ulëta higjiene dhe mungesë kontrollesh efektive.
Në këtë artikull, tre përfaqësues të kompanive kryesore prodhuese Luis Ndreka (Lufra), Aldo Hako (Hako) dhe Sandër Xhambazi (Veza Savio) tregojnë qasjet, teknologjitë dhe sfidat e tyre në ruajtjen e cilësisë dhe sigurisë ushqimore.

“Siguria ushqimore për ne është prioritet absolut” –  thotë Luis Ndreka, CEO i Lufra. Për industrinë e bulmetit, ku çdo neglizhencë higjienike apo temperaturë e pakontrolluar mund të ndikojë drejtpërdrejt në shëndetin e konsumatorit, garancia e cilësisë kërkon disiplinë dhe teknologji.
“Ne zbatojmë sistemin ISO 22000:2018 dhe HACCP, që mbulon çdo hallkë, nga grumbullimi i qumështit e deri te produkti i paketuar,” – shpjegon Ndreka. Çdo sasi qumështi analizohet për parametra kimikë e mikrobiologjikë përpara se të hyjë në fabrikë, ndërsa gjurmueshmëria është e plotë: “Çdo produkt mund të ndiqet deri te ferma dhe pika e shitjes ku është dërguar.”

Ndreka tregon se teknologjia është thelbi i garantimit të sigurisë ushqimore. Laboratori modern i kompanisë përdor pajisje të standardit europian si Gerber, MilkoScan dhe Foss për analiza të përditshme, ndërsa proceset e pasterizimit dhe fermentimit janë plotësisht të automatizuara.
“Pa automatizim, është thuajse e pamundur të ruash siguri ushqimore në këto volume pune. Teknologjia e shmang gabimin njerëzor, duke e çuar atë në zero,” – shton ai.

Lexo edhe: PwC Albania dhe Emanuela Sardi sjellin frymën e solidaritetit në Maratonën e Tiranës

Sipas tij, sfidat më të mëdha nuk janë vetëm teknike, por njerëzore. “Është gjithnjë e më vështirë të gjesh njerëz të kualifikuar me kulturë cilësie. Ne investojmë në trajnime të vazhdueshme dhe shkojmë përtej detyrimeve ligjore, madje monitorojmë edhe temperaturat e rafteve frigoriferike në pikat e shitjes për të garantuar që produktet mbeten të sigurta deri te konsumatori.”

Në industrinë e përpunimit të mishit, ku rreziku mikrobiologjik është edhe më i ndjeshëm, Aldo Hako, menaxher i marketingut pranë  Hako Sallameri, thotë se siguria ushqimore është një proces që nuk lejon asnjë hap të pambuluar.
“Ne përdorim vetëm mish të certifikuar nga furnitorë të licencuar, me dokumentacion veterinar dhe analiza mikrobiologjike të vlefshme. Çdo ngarkesë kontrollohet fizikisht dhe laboratorikisht për freski, ngjyrë, erë dhe përmbajtje ushqyese,” – shpjegon Hako.

Në fabrikë, standardet HACCP dhe ISO 22000 zbatohen me rigorozitet të plotë. Ambientet janë të ndara sipas fazave të përpunimit, me temperatura të kontrolluara dhe linja pastrimi automatike CIP. “Pas çdo cikli prodhimi, çdo pajisje dezinfektohet me solucione të certifikuara ushqimore,” – shton ai.

Teknologjia, sipas Hakos, është një nga shtyllat kryesore të garancisë së cilësisë. Linjat e automatizuara për grirje, përzierje dhe mbushje ruajnë temperaturën optimale gjatë gjithë procesit. Furrat me kontroll elektronik sigurojnë tharje e pjekje uniforme, ndërsa paketimi bëhet me gazra ushqimore të certifikuara ose me vakum për të zgjatur jetëgjatësinë e produktit.
Në laboratorët e kompanisë, analizohen rregullisht prania e mikroorganizmave patogjenë si salmonela apo listeria, përveç analizave fiziko-kimike që përcaktojnë cilësinë organoleptike të produktit.

“Investimet janë të përvitshme,” – shton Hako. “Çdo vit përmirësojmë linjat e prodhimit, sistemet e ftohjes dhe softuerët për menaxhimin e gjurmueshmërisë. Përdorim detektorë metalikë dhe sensorë që identifikojnë çdo anomali gjatë procesit. Këto masa na kanë lejuar të reduktojmë kostot, të rrisim efikasitetin dhe mbi të gjitha, të garantojmë produkte të sigurta e të qëndrueshme.”

Përballë sfidave, si ndryshimet e vazhdueshme ligjore apo kërkesat gjithnjë e më të larta të tregut europian, kompania punon në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet inspektuese. “Çdo sfidë është një mundësi për përmirësim. Ne synojmë që çdo produkt të jetë jo vetëm i sigurt, por edhe ambasador i besueshmërisë sonë në treg.”

Në prodhimin e vezëve, ku rreziku i kontaminimit është i lartë, kontrolli i zinxhirit ushqimor është vendimtar. “Garancia e cilësisë fillon nga ushqimi i shpendëve,” – thotë  Sandër Xhambazi, drejtues i kompanisë Veza Savio.
“Ashtu si te njerëzit, edhe shpendët prodhojnë atë që konsumojnë. Ne sigurohemi që lëndët e para si:  misri, soja, vaji  të jenë të certifikuara dhe pa kompromis në cilësi. Nuk ka tolerancë në asnjë fazë të ushqimit që ato marrin.”

Procesi i mbledhjes, standardizimit dhe paketimit të vezëve bëhet me një kujdes të jashtëzakonshëm. “Çdo vezë kalon nëpër kontrolle të rrepta për paraqitje, peshë dhe freski. Vetëm më pas ajo etiketohet dhe ambalazhohet në kushte sterile. Dorëzimi te bashkëpunëtorët tanë bëhet me automjete frigoriferike, duke ruajtur temperaturën optimale deri te konsumatori,” – shpjegon Xhambazi.

Ai thekson se teknologjia moderne është bërë aleati më i madh i sigurisë ushqimore: “Sa më të automatizuara të jenë proceset, aq më e lehtë bëhet garantimi i cilësisë. Analizat laboratorike të vazhdueshme janë mënyra më e sigurt për të mbajtur nën kontroll çdo rrezik të mundshëm.”
Investimet janë të pandërprera; në makineri, linja paketimi, sisteme ftohjeje dhe laboratorë të certifikuar. Por sipas tij, sfidat më të mëdha mbeten jashtë fabrikës: “Jemi të varur nga importi i lëndëve të para, prandaj kërkohet kujdes ekstrem në përzgjedhjen e furnitorëve. Konsumatori është gjykatësi përfundimtar: nëse ai kthehet e blen sërish, kjo do të thotë se kemi bërë gjithçka siç duhet.”

Siguria ushqimore, një kulturë që (po) ndërtohet

Nga qumështi te mishi e vezët, panorama e industrisë ushqimore shqiptare po ndryshon. Kompanitë që kanë zgjedhur të investojnë në teknologji, trajnime dhe standarde ndërkombëtare, po vendosin themelet e një kulture të re sigurie dhe transparence.
Por në një treg që ende përballet me raste sporadike të mashtrimeve, importesh të paqarta apo mungesë monitorimi, besimi i konsumatorit mbetet i brishtë.

Në këtë kuptim, sfida për sigurinë ushqimore në Shqipëri nuk është më vetëm e institucioneve apo kompanive, por e gjithë zinxhirit që fillon nga ferma dhe përfundon në tavolinën e konsumatorit. Dhe në këtë zinxhir, çdo hallkë ka peshën e vet për të ndërtuar besimin më të çmuar të tregut… atë të ushqimit të sigurt.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0