Startup-et me vlerë miliarda dollarë nuk janë më aq të rralla sa dikur. Sipas të dhënave të CB Insights, deri në korrik 2025 ekzistonin rreth 1,200 kompani në mbarë botën me vlerësim mbi 1 miliard dollarë. Disa prej tyre kanë arritur nivele të jashtëzakonshme: OpenAI vlerësohet në 500 miliardë dollarë, SpaceX në 400 miliardë, ndërsa ByteDance në 300 miliardë dollarë globalisht (ndërkohë që filiali amerikan ende i paformalizuar vlerësohet në vetëm 14 miliardë).
Këto shifra mund të krijojnë përshtypjen se arritja e pragut të 1 miliard dollarëve është bërë më e lehtë. Por realiteti është ndryshe. Nga rreth 10 milionë biznese të krijuara në dy vitet e fundit, vetëm katër kanë arritur këtë vlerësim.
Financimet globale për startup-et ranë me 20% në tremujorin e dytë të vitit, krahasuar me periudhën paraardhëse, edhe pse ishin 11% më të larta se një vit më parë. Për shumicën e themeluesve, ka qenë një periudhë e vështirë trevjeçare. Dhe nëse një startup nuk ka lidhje me inteligjencën artificiale, tërheqja e investitorëve mbetet një sfidë.
Katër startup-et që e kanë kapërcyer këtë prag kanë një të përbashkët: të gjitha janë të fokusuara në AI, edhe pse vetëm njëra ka aktualisht produkt.
Thinking Machines Lab
E themeluar në shkurt 2025 nga Mira Murati, ish-CTO e OpenAI, kjo kompani me bazë në San Francisko synon të ndihmojë individët të përdorin fuqinë e AI për qëllime personale. Që në fillim, ajo tërhoqi investitorë të mëdhenj si Andreessen Horowitz, Nvidia, Cisco dhe AMD, duke mbledhur 2 miliardë dollarë dhe duke u vlerësuar me 12 miliardë.
Kompania nuk ka ende të ardhura apo produkte, por planifikon të funksionojë me kod të hapur dhe të publikojë rregullisht punime shkencore e materiale teknike. Kohët e fundit është raportuar se po zhvillon modele të personalizuara AI për biznese.
The Bot Company
Themeluar në maj 2024 nga Kyle Vogt, bashkëthemelues i Cruise dhe ish-inxhinierët e Tesla-s Paril Jain dhe Luke Holoubek, kjo kompani zhvillon robotë shtëpiakë për ndihmë në punët e përditshme. Pas dy raundeve financimi, ajo arriti një vlerësim prej 2 miliardë dollarësh, megjithëse ende pa produkte apo të ardhura. Ndryshe nga konkurrentët, kompania do të shmangë dizajnin humanoid.
Lovable
Lançuar në dhjetor 2023, kjo kompani suedeze përdor AI për të shkruar kod nga komanda në gjuhë natyrore. Themeluesit Anton Osika dhe Fabian Hedin e ngritën vlerën e saj në 1.8 miliardë dollarë brenda tetë muajsh. Me plane falas dhe me pagesë, Lovable gjeneron tashmë mbi 100 milionë dollarë të ardhura vjetore.
Safe Superintelligence
E krijuar në qershor 2024 nga Ilya Sutskever, bashkëthemelues i OpenAI, kompania synon të ndërtojë modele AI më inteligjente se njeriu, por të sigurta dhe të përafruara me interesat njerëzore. Vetëm tre muaj pas themelimit, ajo u vlerësua me 5 miliardë dollarë, duke arritur në 32 miliardë në prill 2025 pas një raundi të ri prej 2 miliardë dollarësh. Kompania ka refuzuar një ofertë blerjeje nga Meta.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.