New York padit Facebook, Google, Spanchat dhe TikTok: “Rrjetet sociale po dëmtojnë shëndetin mendor të fëmijëve” - Business Magazine Albania

New York padit Facebook, Google, Spanchat dhe TikTok: “Rrjetet sociale po dëmtojnë shëndetin mendor të fëmijëve”

Qyteti i New York-ut ka ngritur një padi të re kundër Facebook, Google, Snapchat, TikTok dhe platformave të tjera online, duke i akuzuar për përkeqësimin e krizës së shëndetit mendor tek fëmijët përmes varësisë që krijojnë ndaj rrjeteve sociale.

Padia, e dërguar të mërkurën në Gjykatën Federale të Manhatanit dhe me një gjatësi prej 327 faqesh, kërkon dëmshpërblim nga Meta Platforms (kompania mëmë e Facebook dhe Instagram), Alphabet (pronar i Google dhe YouTube), Snap Inc. (pronar i Snapchat) dhe ByteDance (kompania prapa TikTok). Ajo i akuzon kompanitë për neglizhencë të rëndë dhe krijimin e një shqetësimi publik. New York i është bashkuar kështu mbi 2,050 padive të ngjashme nga qeveri, distrikte shkollore dhe individë në të gjithë SHBA-në, që po trajtohen në një proces të përbashkët gjyqësor në Kaliforni. Me një popullsi prej 8.48 milion banorësh, nga të cilët rreth 1.8 milion janë nën moshën 18 vjeç, Nju Jorku është një nga paditësit më të mëdhenj. Në këtë padi janë përfshirë edhe sistemet e arsimit dhe të shëndetësisë të qytetit. Zëdhënësi i Google, Jose Castaneda, i hodhi poshtë akuzat ndaj YouTube, duke deklaruar se platforma “nuk është një rrjet social ku njerëzit lidhen me miqtë, por një shërbim transmetimi video”. Një përfaqësues i departamentit ligjor të qytetit tha se New York është tërhequr nga padia e mëparshme e shpallur nga kryetari Eric Adams në shkurt 2024 në gjykatat shtetërore të Kalifornisë, për t’iu bashkuar procesit federal.

Lexo edhe: Trump kundër BE-së/ Stiglitz paralajmëron për rrezikun ekonomik dhe politik

Sipas padisë, kompanitë kanë dizajnuar qëllimisht platformat e tyre për të manipuluar psikologjinë dhe neurofiziologjinë e të rinjve, duke nxitur përdorim kompulsiv për të rritur fitimet. Në dokument thuhet se 77.3% e nxënësve të shkollave të mesme në Nju Jork, dhe 82.1% e vajzave, pranojnë se kalojnë më shumë se tre orë në ditë përpara ekranit,  qoftë në televizor, kompjuter apo smartphone, duke ndikuar në mungesën e gjumit dhe rritjen e mungesave në shkollë. Në janar 2024, Komisioneri i Shëndetit i Qytetit e shpalli përdorimin e rrjeteve sociale si rrezik për shëndetin publik. Si rezultat, qyteti është detyruar të shpenzojë më shumë fonde publike për të trajtuar krizën e shëndetit mendor tek të rinjtë.

Padia fajëson gjithashtu platformat sociale për përhapjen e fenomenit të rrezikshëm të “subway surfing”, ku adoleshentët udhëtojnë mbi ose anash trenave në lëvizje për të filmuar video virale. Sipas të dhënave policore, të paktën 16 persona kanë humbur jetën që prej vitit 2023, përfshirë dy vajza 12 dhe 13 vjeçare këtë muaj. “Këto kompani duhet të mbahen përgjegjëse për dëmet që kanë shkaktuar,” thuhet në padi. “Nëse situata vazhdon kështu, qyteti dhe institucionet publike do të mbeten të vetmet që përballojnë pasojat dhe koston e kësaj krize.” Ky proces gjyqësor mund të bëhet një nga më të rëndësishmit në historinë e betejave ligjore kundër gjigantëve të teknologjisë, duke vënë në qendër të vëmendjes etikën e dizajnit të platformave sociale dhe përgjegjësinë e tyre ndaj brezit të ri.

nyp

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0