Presidenti Donald Trump pritet të nënshkruajë të enjten një urdhër ekzekutiv që do të hapë rrugën për finalizimin e një marrëveshjeje mbi shitjen e aseteve amerikane të TikTok tek një konsorcium investitorësh amerikanë, ka konfirmuar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për CNN.
Trump ka zhvilluar një bisedë me presidentin kinez Xi Jinping të premten për të diskutuar marrëveshjen. Më herët këtë vit, në SHBA hyri në fuqi një ligj që ndalonte aplikacionin e njohur të mediave sociale, përveçse në rast se ai shiste rreth 80% të aseteve tek investitorë të mbështetur nga SHBA.
Urdhri ekzekutiv i së enjtes pritet të përcaktojë se marrëveshja përbën një “shitje të kualifikuar” sipas ligjit “ndalim ose shitje”, i cili u miratua vitin e kaluar me konsensus të gjerë dypartiak. Presidenti pritet gjithashtu të zgjasë me 120 ditë të tjera pezullimin e zbatimit të ligjit, në mënyrë që të përfundojnë procedurat e dokumentacionit dhe miratimet rregullatore. Kohët e fundit Trump e kishte zgjatur afatin deri më 17 dhjetor.
Lexo edhe: Ish-CEO i Google, Eric Schmidt paralajmëron: SHBA mund të humbasë garën për AI ndaj Kinës
Marrëveshja do të transferojë kontrollin e operacioneve të TikTok në SHBA, së bashku me një kopje të algoritmit, tek një sipërmarrje e përbashkët e bazuar në SHBA. Grupi i ri do të ketë shumicë investitorësh amerikanë dhe do të drejtohet nga një bord kryesisht amerikan, ndërsa Oracle do të mbikëqyrë algoritmin e aplikacionit, si dhe çështjet e të dhënave dhe privatësisë.
Marrëveshja e pritshme gjithashtu përgatit terrenin për takimin e parë ballë për ballë mes Trump dhe Xi që prej rikthimit të Trump në detyrë. Dy liderët pritet të takohen muajin e ardhshëm në Samitin APEC në Korenë e Jugut.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto