Më 10 shtator 2025, Piramida e Tiranës do të kthehet në epiqendrën e inovacionit dhe mundësive, ku do të mbahet Tech Career Day 2025. Aktiviteti, i organizuar nga Protik, Innovation Hub, 42 Tirana dhe AADF, do të bashkojë studentët më premtues të teknologjisë me disa prej kompanive më të njohura të tregut vendas dhe ndërkombëtar. Në këtë edicion do të jenë të pranishme emra të rëndësishëm të industrisë si: Facilization, Deloitte, Smartwork, Asystems, Vodafone, Ritech, LOGISTIQO, Lufthansa Industry Solutions, Division 5, Cardo AI, ATIS dhe Tegeria.
Eventi do të hapet me prezantimet e kompanive pjesëmarrëse, të cilat do të ndajnë kulturën e tyre të punës dhe mundësitë konkrete për punësim dhe internship. Në vijim, studentët do të kenë mundësi të marrin pjesë në sesione “speed dating” profesionale, ku do të prezantojnë veten e tyre përballë rekrutuesve dhe ekspertëve teknikë, duke shkëmbyer CV-të dhe duke krijuar kontakte të vlefshme për të ardhmen e tyre.
Një moment i veçantë do të jetë prezantimi i projekteve më të mira të studentëve të akademisë së kodimit Protik, ku aftësitë praktike dhe kreativiteti i tyre do të dalin në pah përballë ekspertëve të industrisë. Ky format do të shërbejë si një dëshmi reale e potencialit në rritje që mbart komuniteti i teknologjisë në Shqipëri.
Lexo edhe: Mbi 10 startup-e evropiane arritën statusin “unicorn” në vitin 2025
Pasditja do të rezervojë hapësirë për intervista më të detajuara, ku kompanitë do të kenë mundësi të njohin më nga afër kandidatët më premtues. Në përmbyllje, do të mbahet ceremonia e diplomimit për studentët që përfunduan programet gjatë verës, duke e kthyer ditën në një festë të dyfishtë: të arritjeve akademike dhe hapjes së dyerve të reja drejt karrierës.
Tech Career Day 2025 nuk do të jetë thjesht një aktivitet karriere; do të jetë një pikëtakim ku ëndrrat e studentëve do të gjejnë rrugën drejt realizimit, ndërsa kompanitë do të kenë mundësinë të investojnë në talentin e gjeneratës së re. Evente të kësaj natyre konfirmojnë se e ardhmja e teknologjisë në Shqipëri është e mbushur me potencial, energji dhe vizion.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto