Rreziqe të reja ekonomike po shfaqen në Francë ndërsa vendi përballet me paqëndrueshmëri politike, pasi qeveria e tretë në më pak se një vit rrezikon të rrëzohet. Përpjekjet për të frenuar borxhin e madh të vendit mund të shtyhen deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
Kjo paqëndrueshmëri politike po ushqen frikën e recesionit në ekonominë e dytë më të madhe të Europës, ku rritja, ndonëse e brishtë, ka treguar një rezistencë të habitshme, pavarësisht presionit të tarifave tregtare. Megjithëse ekonomia jep disa shenja inkurajuese, Franca ka një nevojë urgjente për të konsoliduar financat publike, pasi deficiti buxhetor ka arritur në 5.8% të PBB-së dhe borxhi publik pritet të shkojë në 113% deri në fund të vitit 2024. Masat shtrënguese, të cilat përfshijnë ulje shpenzimesh dhe rritje taksash, janë politikisht të debatueshme – arsye që çuan edhe në rrëzimin e qeverisë së ish-kryeministrit Michel Barnier vitin e kaluar.
Më 8 shtator 2025, Kryeministri François Bayrou përballet me një test vendimtar: votëbesimin që ai vetë kërkoi për të siguruar mbështetjen e Asamblesë Kombëtare për planin e tij të kursimeve buxhetore prej 44 miliardë eurosh. Por opozita, e cila ka shumicën në parlament, ka paralajmëruar se do ta rrëzojë, duke e futur vendin në pasiguri politike dhe ekonomike.
Çfarë rreziqesh përbën kjo për ekonominë franceze?
Nëse nuk krijohet një horizont i qartë për familjet, bizneset dhe investitorët, rritja e brishtë ekonomike mund të humbasë ritmin. Ekonomia franceze ka vuajtur për të gjetur momentum: rritja vjetore e PBB-së ka mbetur nën 1% që nga tremujori i katërt i vitit 2024. Megjithatë, tremujori i dytë i 2025-s shënoi një zgjerim prej 0.3% krahasuar me tre muajt e parë, pas një rritjeje modeste prej 0.1% në fillim të vitit – një sinjal i qëndrueshmërisë edhe pse SHBA vendosi tarifa ndaj partnerëve tregtarë.
Sipas të dhënave më të fundit, sektori i prodhimit në Francë rifilloi rritjen në gusht, për herë të parë pas dy vjetësh e gjysmë.
Lexo edhe: Pse euroja digjitale mund të mos mjaftojë për Evropën?
Analistët, megjithatë, nuk presin që kriza politike ta shtyjë vendin në recesion. Jérémie Peloso, strateg kryesor europian në BCA Research, deklaroi për Euronews Business se “institucionet franceze janë të forta”, duke shtuar se një tranzicion politik do të ishte i qetë. “Ndikimi në aktivitetin ekonomik do të ishte i kufizuar, përtej pasigurive politike dhe një goditjeje mbi besimin e konsumatorëve dhe bizneseve. Edhe aty, mendoj se ndikimi do të mbetet i kufizuar.”
Por federata më e madhe e biznesit në Francë, Medef, e sheh ndryshe. Presidenti i saj, Patrick Martin, paralajmëroi në një konferencë biznesi më 28 gusht se pasiguria politike sjell pasoja të menjëhershme: “ngrirje investimesh, humbje besimi, rritje të rrezikut të falimentimeve dhe humbje vendesh pune”. Ai shtoi se sektorë si ndërtimi, kimikatet, hotelet dhe restorantet janë tashmë në krizë. Sipas tij, rritja është çelësi për të ulur deficitin dhe borxhin – dhe taksat e reja vetëm do të ngadalësonin aktivitetin ekonomik.
Pse Franca duhet të ”shtrëngojë rripin”?
Kryeministri Bayrou e sheh të domosdoshme ndërhyrjen për të ulur deficitin buxhetor në 4.6% të PBB-së nga 5.4% që pritet këtë vit. Në një intervistë televizive të dielën, ai e quajti votëbesimin “vendimtar për fatin e vendit”.
Situata financiare është e ndërlikuar: sipas INSEE, borxhi publik francez arriti 3.345 trilionë euro në fund të tremujorit të parë 2025. Nga 60% e PBB-së në fillim të viteve 2000, borxhi ka arritur tashmë 116%. Në qershor, Ministrja e Buxhetit Amélie de Montchalin paralajmëroi se Franca rrezikon që financat e saj të vihen nën mbikëqyrjen e FMN-së ose institucioneve europiane, një skenar i ngjashëm me atë të Portugalisë dhe Greqisë pas krizës së 2008-s.
Megjithatë, presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde, e hodhi poshtë këtë skenar. “Vendet i drejtohen FMN-së kur përballen me defiçite të llogarisë korrente dhe nuk arrijnë të përmbushin detyrimet. Ky nuk është rasti i Francës sot,” tha ajo për Radio Classique.
Edhe Peloso e konsideron të pamundur një ndërhyrje të FMN-së: “Franca nuk është as Argjentina e as Greqia”. Ai theksoi se pavarësisht rritjes së kostos së huamarrjes, “aftësia e Francës për të hyrë në tregjet e kapitalit mbetet e paprekur dhe kjo është më e rëndësishmja”.
Aktualisht, pagesat neto të interesit të qeverisë franceze po i afrohen 2% të PBB-së, niveli më i lartë në një dekadë. Tendencat tregojnë se këto shpenzime mund të rriten ndjeshëm vitet e ardhshme. Një tjetër rrezik është ulja e vlerësimit të kredisë sovrane, që do të sillte rritje të mëtejshme të kostos së huamarrjes. “Franca ka shumë gjasa të humbasë statusin ‘AA’ dhe të përballet me rritje të yield-eve”, tha Peloso.
Pasojat afatgjata të paralizës politike
Nëse qeveria rrëzohet të hënën, pritet që presidenti Emmanuel Macron të emërojë një kryeministër të ri. Por sipas analistëve, kjo nuk do ta zgjidhë paralizën politike. Deri tani, çdo qeveri centriste e propozuar nga Macron është rrëzuar në përpjekje për të kaluar buxhetin. Dhe ndryshime të mëdha nuk priten deri në vitin 2027, kur përfundon mandati i presidentit dhe hapet terreni për një riformatim politik.
Sipas Oxford Economics, qeveritë e ardhshme do të kenë objektiva më modeste: të kalojnë një buxhet pa u rrëzuar. Kjo ul ndjeshëm pritshmëritë për konsolidim fiskal para zgjedhjeve të 2027-s, duke nënkuptuar se borxhi publik pritet të kalojë pragun 120% të PBB-së deri në fund të atij viti.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto