“Truri” i ri 3,500 dollarësh i Nvidia-s, një hap drejt fazës përfundimtare të AI sipas Jensen Huang - Business Magazine Albania

“Truri” i ri 3,500 dollarësh i Nvidia-s, një hap drejt fazës përfundimtare të AI sipas Jensen Huang

“Truri” i ri 3,500 dollarësh i Nvidia-s, një hap drejt fazës përfundimtare të AI sipas Jensen Huang

Kur CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, mbajti fjalimin kryesor në konferencën vjetore GTC në mars, ai shpjegoi “katër valët” e evolucionit të inteligjencës artificiale. Sipas tij, vala e parë ishte AI e perceptimit, që nisi rreth 10 vite më parë dhe u përqendrua tek njohja e zërit dhe klasifikimi i imazheve. Vala e dytë është AI gjenerative, e cila ka dominuar pesë vitet e fundit me modele gjuhësore të mëdha si ChatGPT, që krijojnë tekste dhe imazhe. Vala e tretë, ku ndodhemi tani, është AI agjentike, që u jep modeleve aftësinë të arsyetojnë dhe të kryejnë detyra në mënyrë të pavarur. Por Huang thotë se vala e katërt dhe përfundimtare do të jetë AI fizike, ku AI do të integrohet në aplikime reale dhe sisteme të avancuara automatizimi, përfshirë robotë me aftësi njerëzore.

Hyrja e Jetson Thor

Të hënën, Nvidia hodhi një hap drejt këtij vizioni. Kompania njoftoi një “tru” të ri për robotët: një kit zhvilluesi prej 3,499 dollarësh, që fillon shpërndarjen muajin tjetër. Pas lajmit, aksionet e Nvidia-s u rritën lehtë dhe vijuan të ngjiten edhe më shumë të martën. Pajisja është e fuqizuar nga çipet më të fundit Blackwell, shumë të kërkuara nga vendet që duan të ndërtojnë AI në shkallë të gjerë. Nvidia thotë se Jetson Thor ofron “performancë dhe shkallëzim të pakrahasueshëm” për të përballuar fuqinë masive që kërkojnë modelet gjenerative. Krahasuar me pararendësin, Jetson Thor jep deri në 7.5 herë më shumë fuqi llogaritëse për AI dhe 3.5 herë më shumë efikasitet energjie. I gjithë sistemi prezantohet si bazë për robotë që mund të perceptojnë mjedisin dhe të reagojnë në kohë reale, një aftësi që Nvidia e sheh si thelbësore për fazën tjetër të adoptimit të AI në botën fizike.

Lexo edhe: Biznesi familjar i Trump bashkohon forcat me Crypto.com

Çfarë është Jetson Thor?

Jetson Thor është një kompjuter kompakt që vendoset brenda një roboti dhe ekzekuton njëkohësisht shumë modele AI – duke parë, kuptuar dhe vepruar pa pasur nevojë për lidhje me cloud. Me fjalë të thjeshta, është si të vendosësh në të njëjtën “kaskë” një brigadier me përvojë, një oficer sigurie dhe një navigator: makina mund të dallojë një kabllo të lirshme, të shmangë një derdhje në dysheme dhe të vazhdojë punën normalisht. Sipas Nvidia-s, kombinimi i fuqisë në bord dhe softuerit i lejon robotit të menaxhojë shumë “ndjenja” e aftësi njëkohësisht – ashtu si një shofer që kontrollon pasqyrat, dëgjon për një sirenë dhe ndërkohë ndërron korsi, pa vonesa. Rezultati është lëvizje më e qetë, vendime më të shpejta dhe funksionim i besueshëm edhe nën presion.

Pse ka rëndësi për investitorët

Nvidia po zgjeron perandorinë e saj të AI nga serverët që trajnojnë chatbot-e deri tek teknologjitë ku AI ndërvepron me botën reale. Nëse ia del me sukses, kjo hap një treg gjigant në logjistikë, prodhim, shëndetësi, ndërtim, tregti dhe sisteme autonome,  sektorë që kërkojnë efikasitet dhe siguri maksimale. Në njoftimin zyrtar, kompania theksoi se klientët e parë dhe testuesit përfshijnë emra të njohur të industrisë në e-commerce, industri dhe teknologji, duke lënë të kuptohet se pilotët e parë mund të kthehen shpejt në porosi masive nëse rezultatet dalin pozitive. Për inxhinierët e robotikës, përfitimi është konkret: më pak vonesa dhe më pak gabime. Thor u jep robotëve aftësinë të reagojnë në milisekonda, diferenca mes hedhjes së një pakete dhe kapjes së saj, ose mes goditjes së një palete dhe shmangies së saj. Kjo shpejtësi është kritike sepse çdo sekondë e kursyer shumëzohet në mijëra hapa, skanime apo lëvizje, ndërsa incidentet e sigurisë janë të kushtueshme dhe problematike. Nvidia gjithashtu nënvizon efikasitetin energjetik dhe aftësinë për të përpunuar disa detyra AI njëkohësisht, gjë që mund të ulë numrin e kompjuterëve për robot dhe të thjeshtojë dizajnin e sistemit.

Sipas Nvidia-s, kompanitë e robotikës dhe korporatat e mëdha kanë nisur tashmë adoptimin e Jetson Thor, duke u mbështetur tek ekosistemi Isaac që shpejton prototipimin dhe zbatimin. Për drejtuesit e bizneseve, përfundimi afatshkurtër është i qartë: testimet mund të nisin me kitin e zhvilluesit dhe të shkallëzohen më pas me module prodhimi nëse pilotët sjellin kursime apo përfitime në siguri. Historia afatgjatë është ambicioze: Nvidia po synon ta bëjë robotin një pajisje po aq të zakonshme dhe të besueshme sa makineritë e tjera industriale, me AI që funksionon lokalisht për të siguruar shpejtësi, aftësi dhe kontroll të plotë.

yahoo

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0