Sam Altman, CEO dhe bashkëthemelues i OpenAI, ka diskutuar një marrëveshje të mundshme me vlerë 2 miliardë £ (2.5 miliardë $) për t’u dhënë qasje falas në versionin premium të ChatGPT të gjithë banorëve të Mbretërisë së Bashkuar, sipas një raporti të publikuar nga The Guardian.
Sipas burimeve, ideja u përmend gjatë një takimi me sekretarin britanik të Teknologjisë, Peter Kyle, si pjesë e një bisede më të gjerë mbi bashkëpunimin mes OpenAI dhe qeverisë britanike. Megjithatë, Kyle nuk e mori seriozisht sugjerimin, pjesërisht për shkak të kostos së lartë që do të kishte një nismë e tillë. Bisedimet pasqyrojnë megjithatë entuziazmin e qeverisë britanike për sektorin e AI, pavarësisht shqetësimeve të vazhdueshme lidhur me saktësinë e teknologjisë, privatësinë dhe çështjet e të drejtave të autorit. Aktualisht, OpenAI ofron qasje falas dhe me pagesë në ChatGPT. Plani i abonimit, ChatGPT Plus, kushton 20 dollarë në muaj dhe u ofron përdoruesve përgjigje më të shpejta si dhe akses të hershëm në funksione të reja.
Lexo edhe: CEO i Reddit paralajmëron Google: “Çdokush që përdor Google, përfundon në Reddit”
Duke iu referuar faktit se Mbretëria e Bashkuar është një nga pesë tregjet më të mëdha të kompanisë për abonime me pagesë, një zëdhënës i OpenAI deklaroi: “Miliona britanikë tashmë po e përdorin ChatGPT çdo ditë falas. Në korrik, nënshkruam një memorandum mirëkuptimi me qeverinë për të eksploruar mënyrat më të mira se si mund të mbështesim rritjen e AI në Mbretërinë e Bashkuar. Në përputhje me vizionin e qeverisë për të përdorur këtë teknologji në krijimin e mundësive ekonomike për qytetarët, synimi ynë i përbashkët është të demokratizojmë aksesin në AI. Sa më shumë njerëz të kenë mundësi ta përdorin, aq më gjerë do të përhapen përfitimet.”
Përveç SHBA-së dhe Britanisë, OpenAI ka zhvilluar diskutime me disa qeveri të tjera dhe së fundmi ka arritur një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) për të “mundësuar ChatGPT në shkallë kombëtare”, duke e integruar teknologjinë në sektorë publikë si transporti, shëndetësia dhe arsimi. Sipas të dhënave të transparencës së qeverisë britanike, Kyle është takuar disa herë me Altman, përfshirë darka në mars dhe prill. Në korrik, palët nënshkruan një marrëveshje jodetyrimore për të eksploruar përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbimet publike të Mbretërisë së Bashkuar, gjë që mund t’i hapë OpenAI-së akses në të dhënat e qeverisë dhe aplikimin e softuerëve të saj në fusha si arsimi, mbrojtja, siguria dhe sistemi i drejtësisë. Sekretari Kyle më herët e ka quajtur ChatGPT një “mjet fantastik”, duke shtuar se aty ku njerëzit kanë vështirësi të kuptojnë thellësisht një temë, ChatGPT mund të shërbejë si një “tutor i shkëlqyer”. Ky zhvillim tregon jo vetëm përpjekjen e OpenAI për të zgjeruar ndikimin e saj global, por edhe garën në rritje mes shteteve për të përfshirë inteligjencën artificiale në shërbime publike dhe ekonomi.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.