xAI e Elon Musk padit Apple dhe OpenAI - Business Magazine Albania

xAI e Elon Musk padit Apple dhe OpenAI

xAI e Elon Musk padit Apple dhe OpenAI

Startup-i i inteligjencës artificiale i Elon Musk, xAI, ka paditur Apple dhe OpenAI të hënën, duke i akuzuar për një “skemë antikonkurruese” që synon të pengojë rivalët në fushën e inteligjencës artificiale.

Padia, e depozituar nga xAI dhe rrjeti social X (ish-Twitter), pretendon se Apple dhe OpenAI kanë “bashkëpunuar” për të ruajtur monopolin në tregun e smartphone-ve dhe të inteligjencës artificiale gjenerative. xAI bleu X në muajin mars, nëpërmjet një marrëveshjeje tërësisht me aksione.

Sipas padisë, Apple akuzohet se ka ulur renditjen në App Store të aplikacioneve rivale si super-apet dhe chatbot-et gjenerative të AI, përfshirë Grok të xAI, ndërsa ka favorizuar OpenAI duke integruar ChatGPT në produktet e saj. “Për të mbrojtur me çdo kusht monopolin e saj mbi smartphone-t, Apple është bashkuar me kompaninë që përfiton më shumë nga pengimi i konkurrencës dhe inovacionit në AI: OpenAI, një monopolist në tregun e chatbot-eve gjenerues,” thuhet në padi, e paraqitur në Gjykatën Federale të Teksasit Verior. Një zëdhënës i OpenAI tha në një deklaratë: “Kjo padi e fundit është në përputhje me modelin e vazhdueshëm të zotit Musk për ngacmim.”

Lexo edhe:Tirana humbet terren në garën globale të startup-eve. Marku: Po rritemi më ngadalë se konkurrentët

Musk, i cili themeloi xAI në vitin 2023 për të konkurruar me OpenAI dhe prodhues të tjerë kryesorë të chatbot-eve, këtë muaj kishte paralajmëruar një padi ndaj Apple për “shkelje të qarta të ligjeve antitrust,” duke thënë në një postim në X se kompania “po vepron në mënyrë që e bën të pamundur për çdo kompani tjetër AI përveç OpenAI të arrijë vendin e parë në App Store.” Pas këtyre kërcënimeve, CEO i OpenAI, Sam Altman, reagoi duke thënë: “Ky është një pretendim i jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh ato që kam dëgjuar për mënyrat se si Elon përdor X për të manipuluar në favor të vetes dhe kompanive të tij, dhe për të dëmtuar rivalët dhe njerëzit që nuk i pëlqen.”

Më herët, një zëdhënës i Apple ishte shprehur se App Store “është krijuar të jetë i drejtë dhe paanshëm,” duke shtuar se kompania promovon “mijëra aplikacione” bazuar në një sërë kriteresh. Vitin e kaluar, Apple lidhi një partneritet me OpenAI për të integruar ChatGPT në iPhone, iPad, si edhe në kompjuterët Mac. Megjithatë, disa përdorues reaguan ndaj postimeve të Musk përmes funksionit Community Notes në X, duke theksuar se aplikacione rivale si DeepSeek dhe Perplexity kishin zënë vendin e parë në App Store pas njoftimit të partneritetit Apple–OpenAI. Kjo padi është zhvillimi më i fundit në përplasjen e gjatë mes Musk dhe Altman. Musk e bashkëthemeloi OpenAI në vitin 2015, përpara se të largohej në 2018 për shkak të mosmarrëveshjeve mbi drejtimin e kompanisë. Vitin e kaluar, Musk paditi OpenAI dhe Altman, duke i akuzuar për shkelje kontrate, pasi sipas tij kishin vendosur interesat komerciale mbi misionin fillestar të kompanisë për të zhvilluar AI “në të mirë të mbarë njerëzimit.” Nga ana tjetër, OpenAI ka kundërpaditur duke akuzuar Musk dhe xAI për “ngacmim” përmes proceseve gjyqësore, sulmeve në media dhe në rrjetet sociale, si edhe për një “ofertë të rreme” për të blerë OpenAI me vlerë 97.4 miliardë dollarë, të cilën kompania e konsideron një përpjekje për të dëmtuar marrëdhëniet e saj tregtare.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0