Nga Fatima Gorezi – Një raport i fundit i Indeksit të Ekosistemeve StartupBlink e rendit Tiranën në vendin e 467 nga lista me 500 qytetet në botë që shërbejnë si inkubatorë të zhvillimit të inovacionit dhe startup-eve.
Tirana ka rënë me dy pozicione krahasuar me renditjen e mëparshme, ndonëse ka shënuar një normë rritjeje vjetore prej +13% ( duke referuar periudhën Prill 2024 – Prill 2025).
Raporti theknson se Tirana numëron 39 startup-e, që përbëjnë 98% të totalit të startup-eve në Shqipëri. Në raport me popullsinë, qyteti ka rreth 11 startup-e për çdo 100 mijë banorë. Prej vitit 2024, Tirana si qytet mban pozicionin e ekosistemit më të fortë të startup-eve në Shqipëri.
Në nivel rajonal, kryeqyteti renditet në vendin e 32-të në Europën Lindore, duke u ngjitur me një pozicion krahasuar me një vit më parë.
- Renditja kombëtare: 1 në Shqipëri
- Renditja rajonale: 32 në Europën Lindore (+1)
- Renditja globale: 467 në botë (-2)
Startup-et dhe industritë kryesore në Tiranë
Sipas raportit sektori më i fortë i teknologjisë në Tiranë është transporti, i cili renditet në vendin 174 në botë. Aktualisht në këtë sektor veprojnë 4 startup-e, që përbëjnë 10% të totalit të startup-eve në qytet.
Industri të tjera premtuese janë:
- EdTech (teknologjitë e lidhura me arsimin) – përkatësisht vendi i 291 në botë, me 6 startup-e përfaqësuese
- E-commerce & Retail (tregtia online dhe shitja me pakicë) – renditet në vendin e 339 në botë, me 6 startup-e përfaqësuese
Lexo edhe: Onemor, startupi i themeluar nga Alban Fejzaj, synon të bëhet “Spotify i Fitnesit”
“Tirana po rritet, por jo aq shpejt sa konkurrentët”
Shkëlzen Marku, konsulent për inovacion dhe drejtues i Growpreneur Accelerator e shpjegon faktin qe ekosistemi i startup-eve ne Tirane ka shenuar nje rritje vjetore prej +13%, por megjithate ka rënë me dy vende në renditjen globale duke argumentuar Tirana është rritur në një vit, por jo mjaftueshëm sa të tjerët përreth.
‘’Tirana sigurisht është përmiresuar (me +13%), një rritjë e ndjeshme, por jo aq sa të tjerët përreth saj për të ruajtur pozicionin, ndaj ka humbur (me -2) pozicione në renditjen globale. Indeksi merr parasysh jo vetem volumin e startup-eve, por edhe faktorë si: exit-e, financimet, unicorn-et, nderkombëtarizimin dhe ndikimin e starup-eve në industri specifike. Në këto dimensione, Tirana ende ka peshë të vogël. ‘’
Por përkundër zbritjes në nivel botëror , Tirana ka shënuar një rritje në krahasim me vendet e tjera të Europës Juglindore duke u ngjitur një pozicion në renditje .
‘’Qytete të tjera janë rritur më shpejt ose më thellsisht në cilesi, sasi apo ndikim. Për shembull, shumë qytete të tjera në Evropën Lindore dhe Azi kanë përjetuar rritje shumë më të lartë, si Bratislava (Sllovaki) me +37.3%, Varna (Bullgari) me +41.4%, Kosice (Sllovaki) me +43.7%, Tallinn (Estoni) me +35.7% apo Riyadh (Arabia Saudite) me +130%.
Megjithatë, Tirana është ngjitur një vend me lart në renditjen e qyteteve të Evropës Lindore. Por, siç duket kjo vjen kryesisht sepse disa qytete të tjera në rajon kanl pasur norma të medha negative të rritjes, si Plovdiv (Bullgari) me -26.2%, Brasov (Rumani) me -14.7%, Sibiu (Rumani) prej -12.5%, etj. ‘’ – argumenton Marku.
Sipas Markut, renditja ndërkombëtare bazohet në një kombinim faktorësh, që përfshijnë jo vetëm numrin dhe cilësinë e startupeve aktive, por edhe exit-et, financimet (angel, seed, VC), pjesëmarrjen në programe globale si Y Combinator apo Techstars, reputacionin ndërkombëtar të qytetit, mbështetjen publike, kapacitetin e talenteve dhe rolin e universiteteve teknologjike.
Në këtë kuadër, ai rendit disa boshllëqe kryesore të Shqipërisë në këtë fushë:
- Mungesa e exit-eve madhore: asnjë startup shqiptar nuk ka realizuar ende një shitje apo IPO ndërkombëtare me ndikim;
- Financime të ulëta: mungojnë fondet aktive të kapitalit sipërmarrës (VC) dhe bashkëpunimet e qëndrueshme me investitorë ndërkombëtarë;
- Nivel i ulët ndërkombëtarizimi: shumica e startupeve operojnë vetëm në tregun vendas ose rajonal;
- Infrastrukturë e fragmentuar: pak programe akcelerimi të fuqishme dhe lidhje të kufizuara me rrjete globale;
- Tërheqje e dobët e talenteve: mungesë programesh për rikthimin e profesionistëve shqiptarë nga jashtë (brain gain);
- Promovim i dobët ndërkombëtar: histori të pakta suksesi që tërheqin vëmendjen e mediave globale.
Nëse shifrat tregojnë një rritje të qëndrueshme, analiza e thelluar tregon se ekosistemi i startup-eve në Tiranë ndodhet në një pikë ku duhet të tregojë forcën për të qenë në një hap (përpara) konkurrencës. Vendi ka bërë hapa të dukshëm përpara, por konkurrenca globale po rritet me ritme shumë më të larta, duke e bërë të pamjaftueshme vetëm zgjerimin në numër të startup-eve. Ajo që i mungon Tiranës është krijimi i një ekosistemi të integruar ku inovacioni lidhet me kapitalin, universitetet, sektorin publik dhe tregjet ndërkombëtare. Vetëm duke ndërtuar ura më të forta mes këtyre aktorëve, Shqipëria mund të kalojë nga një treg periferik në një pikë referimi për inovacionin në Europën Juglindore.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.