Nga Endrit Çela – Çdo fund gushti, syte e botës financiare janë të drejtuara nga Jackson Hole, një qytet i vogël në Wyoming të SHBA-së, ku mbahet Simpoziumi Ekonomik i Rezervës Federale të Kansas City. Ky është një nga takimet më të rëndësishme të bankierëve qendrorë dhe figurave kryesore financiare në botë. Prej dekadash, Jackson Hole ka qenë skena ku shpesh jepen sinjale të rëndësishme për politikën monetare globale. Dhe arsyeja është e thjeshtë: politika e Rezervës Federale Amerikane (FED) ndikon në kostot e huamarrjes, çmimet e aktiveve dhe rrjedhën e kapitalit në mbarë botën. Prandaj, investitorë nga Tokio në Frankfurt e deri në New York e ndjekin me vëmendje çdo fjalë që thuhet atje.
Këtë vit, gjithë vëmendja ishte te Kryetari i FED, Jerome Powell. Duke e ndjekur drejtpërdrejt, ishte e dukshme që Powell zgjodhi një ton më të kujdesshëm dhe më të butë. Ai pranoi se ekonomia amerikane po kalon një “balancë të re rreziqesh”: nga njëra anë, tregu i punës po tregon shenja ftohjeje, ndërsa nga ana tjetër inflacioni mbetet ende i qëndrueshëm. Powell theksoi se FED do të “veprojë me kujdes” dhe se çdo vendim për normat e interesit do të mbështetet te të dhënat ekonomike që do të vijnë përpara mbledhjes së shtatorit. Kjo tregon se banka qendrore është më e hapur ndaj një uljeje të normave, por pa e konfirmuar ende.
Reagimi i tregjeve ishte i menjëhershëm. Të premten, më 22 gusht, indeksi Standard and Poor’s 500 u rrit me rreth 1.5% vetëm brenda ditës, ndërsa edhe Nasdaq pati një kërcim të fortë. Çmimet e bonove amerikane gjithashtu u rritën, duke ulur yield-et e tyre nga 4.33% në 4.26%. Arsyeja është e thjeshtë: kur investitorët presin që FED të ulë normat e interesit, ata nxitohen të blejnë bono për të “fiksuar” yield-et aktuale më të larta. Kërkesa më e madhe rrit çmimin e bonove, ndërsa yield-et bien.
Lexo edhe: ‘De-banking’, kur llogaria juaj mund të mbyllet pa paralajmërim
Edhe ari u rrit me 1% të premten. Kjo lidhet me faktin që një politikë më e butë monetare nga FED zakonisht sjell para më të lira dhe rrit shpejtësinë e qarkullimit të parasë, duke rritur potencialisht rrezikun e inflacionit. Dhe ari është një mbrojtje natyrale kundër inflacionit, prandaj reagoi pozitivisht.
Disa e shohin Jackson Hole si një “mister” apo “konspiracion,” por në realitet nuk ka asgjë të fshehtë. Është një konferencë e hapur, me agjenda dhe materiale publike. Ajo që e bën kaq të rëndësishme është përmbajtja e sinjaleve që jepen aty dhe pjesëmarrësit: krerët e bankave qendrore, ekonomistët më të njohur dhe drejtuesit e institucioneve më të mëdha financiare. Kur Powell flet, tregjet globale reagojnë – nga yield-et e eurobonove deri te vlerësimet e kompanive të mëdha të teknologjisë në Wall Street.
Mesazhi i këtij viti ishte i qartë: FED po afrohet drejt një politike më të butë dhe mund të ulë normat e interesit që në shtator, nëse të dhënat e justifikojnë. Tregjet e lexuan këtë si një sinjal pozitiv dhe reaguan në përputhje me të: aksionet u rritën, yield-et ranë dhe ari u forcua. Jackson Hole edhe një herë tregoi pse mbetet epiqendra e vendimmarrjes monetare botërore.
* Endrit Çela, AMF Capital AG. Ai është kontributor me kolonën e tij javore si pjesë e newsletter-it të Business Magazine Albania në LinkedIn, e cila publikohet rregullisht çdo të shtunë, ku shkruan për zhvillimet më të fundit në tregjet e kapitalit dhe bursat botërore, gjithmonë nga perspektiva e një ‘portfolio manager’ dhe ‘fund manager’ që është aktivisht pjesë e tregjeve.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.