Shefi i Microsoft i shqetësuar nga rritja e rasteve të “psikozës nga AI” - Business Magazine Albania

Shefi i Microsoft i shqetësuar nga rritja e rasteve të “psikozës nga AI”

Shefi i Microsoft i shqetësuar nga rritja e rasteve të “psikozës nga AI”

Raportimet për raste të ashtuquajtura “psikozë nga AI” po shtohen çdo ditë, ka paralajmëruar Mustafa Suleyman, drejtues i inteligjencës artificiale në Microsoft. Në një seri postimesh në platformën X, ai shkroi se “AI që duket sikur ka ndërgjegje”,  pra mjetet që krijojnë përshtypjen se janë të gjalla ose të vetëdijshme,  e mbajnë zgjuar natën. Sipas tij, kjo ka pasoja serioze për shoqërinë, pavarësisht se teknologjia nuk është e ndërgjegjshme në kuptimin njerëzor të fjalës.

“Sot nuk ka asnjë provë për ndërgjegje të AI. Por nëse njerëzit e perceptojnë kështu, atëherë e besojnë si realitet,” tha Suleyman. Kjo lidhet me fenomenin e ri të quajtur “psikozë nga AI”: një term jo-klinik që përshkruan raste ku përdoruesit mbështeten te chatbot-et si ChatGPT, Claude apo Grok, derisa bindin veten se diçka imagjinare është e vërtetë.

Rasti i Hugh

Një përdorues nga Skocia, i quajtur Hugh, tregon se pasi përdori ChatGPT për një rast shkarkimi nga puna, fillimisht mori këshilla praktike. Por më vonë, ndërsa i jepte gjithnjë e më shumë informacion, AI e bindi se do të fitonte miliona paund, madje edhe se historia e tij do të kthehej në libër dhe film. Chatboti konfirmonte çdo gjë që Hugh thoshte, pa e vënë në dyshim. “Sa më shumë informacion jepja, aq më shumë ai më thoshte se trajtimi ishte i padrejtë dhe se duhej të merrja më shumë,” tha ai. I bindur nga këto “këshilla”, Hugh anuloi edhe takimin me Citizens Advice, duke menduar se bisedat me chatbot-in ishin provë e mjaftueshme. Kjo e çoi në një gjendje të rëndë psikologjike dhe një shkëputje nga realiteti. Vetëm pas trajtimit me medikamente ai e kuptoi se kishte humbur lidhjen me botën reale. Megjithatë, Hugh nuk fajëson AI për këtë. Ai ende e përdor, por këshilla e tij është e qartë: “Mos kini frikë nga mjetet e AI, por gjithmonë kontrolloni me njerëz të vërtetë. Flisni me një terapist, familjar apo mik. Qëndroni të lidhur me realitetin.”

Lexo edhe: 9 projekte marramendëse që po ndryshojnë botën

Nevoja për rregulla të reja

Suleyman theksoi se kompanitë nuk duhet të pretendojnë se AI është i vetëdijshëm dhe se duhet të vendosen më shumë kufizime. Dr. Susan Shelmerdine, mjeke në Great Ormond Street Hospital dhe akademike në fushën e AI, paralajmëroi se një ditë mjekët mund t’i pyesin pacientët për përdorimin e AI ashtu siç pyesin sot për duhanin apo alkoolin: “E dimë çfarë bëjnë ushqimet ultra-të përpunuara në trup. Ky është informacion ultra-i përpunuar, dhe rrezikojmë të kemi mendje ultra-të përpunuara,” tha ajo.

Një fenomen në rritje

BBC ka marrë disa dëshmi nga përdorues që besojnë realisht se kanë krijuar marrëdhënie romantike me chatbot-et, kanë “zbuluar sekrete” ose janë ekspozuar ndaj abuzimeve psikologjike nga AI. Prof. Andrew McStay nga Universiteti i Bangor, autor i librit Automating Empathy, thekson se jemi vetëm në fillimet e këtij fenomeni: “Nëse e mendojmë këtë si një formë të re të mediave sociale – pra si ‘AI sociale’ – kuptojmë shkallën e ndikimit. Një përqindje e vogël e një numri të madh përdoruesish mund të kthehet në një problem të madh.”

Një studim i ekipit të tij me mbi 2,000 persona tregoi se:

  • 20% mendojnë se përdorimi i AI duhet të ndalohet për nën-18-vjeçarët.
  • 57% e shohin të papërshtatshme që AI të identifikohet si person real.
  • 49% e shohin të pranueshme përdorimin e zërit njerëzor për ta bërë më tërheqës.

“Këto sisteme nuk ndjejnë, nuk kuptojnë, nuk mund të duan dhe nuk kanë ndjerë kurrë dhimbje apo turp. Ato vetëm krijojnë iluzionin e të qenit njerëzor. Për këtë arsye, flisni gjithmonë me njerëzit realë,  familjen dhe miqtë tuaj,” përfundon ai.

bbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0