OpenAI raportohet se është në prag të një vlerësimi prej rreth 500 miliardë dollarësh, një shifër që do ta bënte kompaninë startup-in më të vlefshëm privat në botë, më të madh se SpaceX, kompania mëmë e TikTok, Bytedance, dhe madje edhe disa gjigantë të listuar publikisht si Palantir. Një shifër e jashtëzakonshme për një kompani me një “normë djegieje” (burn rate) po aq të lartë. Po si është e mundur?
Dy marrëveshje në lojë
Sipas Axios, aktualisht janë dy skenarë financiarë: një raund investimi i udhëhequr nga SoftBank që vlerëson kompaninë në 300 miliardë dollarë (i cili nuk mbyllet para fundit të vitit), dhe një shitje sekondare e aksioneve të punonjësve me një vlerësim shumë më të lartë, në 500 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e aksioneve më të lira tashmë është blerë, duke i lënë investitorët të konkurrojnë për ato më të shtrenjtat. Një investitor i OpenAI, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të një marrëveshjeje mos-zbulimi—e krahasoi momentin aktual me lindjen e internetit.
“Ne jemi në një nga ndryshimet më të mëdha teknologjike në histori,” tha ai. “Rezultatet vazhdojnë të jenë më të mëdha nga sa njerëzit mendojnë.”
Investitori argumenton se matematika pas këtij vlerësimi është e drejtpërdrejtë: hipotetikisht, nëse ChatGPT arrin 2 miliardë përdorues dhe monetizohet me 5 dollarë në muaj për përdorues, gjysma e normës së platformave si Google apo Facebook—atëherë do të gjeneroheshin rreth 120 miliardë dollarë të ardhura vjetore. “Kjo vetëm do të mbështeste një kompani me vlerë mbi 1.5 trilionë dollarë,” tha investitori. “Pa përfshirë gjithë pjesën tjetër të projekteve ku po punojnë, zgjidhjet për biznes, zhvillimet në agjentë inteligjentë, apo edhe përpjekjet në harduer.”
Sot ChatGPT ka rreth 700 milionë përdorues aktivë në javë, por më pak se 10% e tyre paguajnë për shërbimin. Kjo e bën shifrën 500 miliardë më shumë një tregues të etjes së investitorëve sesa një pasqyrim të saktë të të ardhurave. Në fakt, vlerësimet në tregun privat pasqyrojnë atë që një numër i vogël investitorësh është i gatshëm të paguajë për një numër të kufizuar aksionesh. Pra, efekti i “frenzisë” së tregut është tashmë i integruar në çmim.
Ekspertët theksojnë se kjo shifër është më tepër një afrim, dhe jo një vlerësim i pastër i kompanisë. Sipas PitchBook, 65% e kapitalit të ngritur këtë vit nga investitorët e riskut ka shkuar drejt startup-eve të inteligjencës artificiale. Rekorde janë thyer: Thinking Machines Lab, startup-i i themeluar nga ish-CTO e OpenAI Mira Murati, mori raundin më të madh të investimit në fazën e hershme në histori; ndërsa marrëveshja e Meta me Scale AI ishte e dyta më e madhe ndonjëherë, me mbi 14 miliardë dollarë.
Një tjetër flluskë teknologjike?
A është kjo një flluskë? Vetë Sam Altman e pranoi gjatë një darke së fundmi. Por, sipas tij, flluskat shpesh nisen nga një bërthamë e së vërtetës: “Kur ndodhin flluskat, njerëz të zgjuar ekzagjerojnë nga një e vërtetë e vogël,” tha Altman. “Nëse shikojmë shumicën e flluskave në histori, si ajo e teknologjisë në vitet 2000, aty kishte një realitet. Interneti ishte realisht një gjë e madhe.” Në fund, vlerësimi i startup-eve pasqyron aftësinë e CEO-s për të shitur vizionin. Tek OpenAI, Altman e çon këtë në ekstrem—dhe për momentin duket se po funksionon. Investitorët po vënë bast se ChatGPT do të bëhet po aq i domosdoshëm sa Google, se miliarda njerëz do të jenë të gatshëm të paguajnë për të, dhe se konkurrenca do të zbehet gradualisht. Nëse kjo do të ndodhë apo jo, mbetet për t’u parë. Por, për momentin, historia që po shet OpenAI vlen gjysmë trilioni dollarë. “Sigurisht që ka rrezik,” përfundon investitori. “Historia ende nuk është shkruar plotësisht.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.