Brandan Mativi, është sipërmarrësi amerikan që po sjell për herë të parë në Shqipëri katër nga pronat më të mira globale përmes Capital Point dhe Forbes Global Properties.
Me përvojë të gjatë në tregje ndërkombëtare si Spanja dhe Kroacia, ai ka zgjedhur ta vendosë Shqipërinë në qendër të strategjisë së tij afatgjatë.
“Nuk ishte një vendim i planifikuar,” kujton Mativi për vizitën e parë në vend. “Një mik më tha: ‘Duhet ta shohësh këtë vend. Po ndodh diçka.’ E kuptova menjëherë se kishte potencial të madh zhvillimi.”
Nga treg i nënvlerësuar në qendër të vëmendjes
Tetë vite më parë, sipas tij, Shqipëria ishte një treg i paprekur, me prona që ofronin mundësi të qarta për kthim afatgjatë të investimit. Sot, panorama ka ndryshuar dukshëm, Tirana është trefishuar në madhësi, aeroportet janë në zgjerim, ndërsa bregdeti po fiton vëmendje të madhe ndërkombëtare.
“Kur erdha për herë të parë, aeroporti ishte thuajse bosh. Sot funksionon 24 orë në ditë. Ky është një tregues i rritjes së shpejtë,” thotë Mativi. Ai i atribuon një pjesë të rëndësishme të kësaj rritjeje mediave sociale:
“Tetë vite më parë Shqipëria nuk ekzistonte në YouTube. Sot, çdo platformë është plot me përmbajtje që e promovon vendin si destinacion të ri.”
Strategjia e investimit, përpara boom-it
Për Mativi-n, koha e hyrjes në treg është vendimtare. “Investitori i vërtetë është ai që hyn kur ndjen se diçka po vjen. Duhet ta besosh për ta parë,” thekson ai.
Ky parim e ka udhëhequr edhe në vendimin për të sjellë Forbes Global Properties në Shqipëri përpara se tregu të arrijë pjekurinë e plotë:
“Mund të kisha pritur edhe dy vjet, por nuk doja. Dua që Forbes të jetë i njohur si marka që vendosi Shqipërinë në hartën e pronave luksoze.”
Sinjalet nga investitorët e mëdhenj
Mativi beson se interesimi i aktorëve të rëndësishëm globalë është tregues i qartë i potencialit të Shqipërisë. Shembulli më i fortë, sipas tij, është hyrja e familjes Kushner:
“Njoh familjen Kushner personalisht. Kam bërë biznes me Trump. Mund t’ju them se ata nuk vijnë për të humbur. Nëse ata vendosin të investojnë, është sepse shohin fitim dhe perspektivë. Ata nuk do të hynin në një vend për të pësuar humbje të mëdha.”
Për Mativi-n, kjo lloj pranie ka një efekt zinxhir, nxit besimin e investitorëve të tjerë dhe krijon kërkesë për projekte të standardeve më të larta. “Në Shqipëri tashmë ka kërkesa për hapësira të klasit të parë që ende nuk mund të plotësohen. Ndërtesat që po ngrihen nuk janë thjesht spekulim, ka kompani që presin të futen në to,” thotë ai.
Rritje e qëndrueshme dhe përfshirja e vendasve
Për Mativi, zhvillimi nuk duhet të përjashtojë komunitetin vendas:
“Shqiptarët do të jenë transferues të pasurisë përmes tokës. Zhvillimi duhet të jetë i qëndrueshëm, në mënyrë që brezat e ardhshëm të mos thonë se humbën vendin e tyre.”
Ai këshillon që balanca mes modernizimit dhe ruajtjes së trashëgimisë të mbetet prioritet: “Turistët nuk duan një kopje të vendeve të tjera. Duan të shohin autenticitetin shqiptar.”
Përveç suksesit të Forbes Global Properties në vend, Martini ka edhe një objektiv personal:
“Dua të jem i njohur si një ambasador i trashëgimisë së Shqipërisë. Dua që njerëzit të thonë se ne ishim këtu para se vendi të ishte ‘gati’ dhe qëndruam deri në fund për ta bërë historinë një sukses të qëndrueshëm.”
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto