Në vitin 1974, profesori hungarez i arkitekturës, Erno Rubik, krijoi një objekt të pazakontë: një kub druri, i përforcuar me letër, shirita gome, ngjitës dhe kapëse letre. Ishte një eksperiment i thjeshtë në pamje të parë, por që shumë shpejt do të kthehej në një nga lodrat më ikonike të shekullit XX. Vetëm pak vite më pas, Rubik aplikoi për patentimin e shpikjes së tij, e cila do të bëhej e njohur në të gjithë botën si Kubi i Rubikut.
Në gjysmëshekullin që ka kaluar që nga ajo ditë, kjo enigmë gjeniale ka sfiduar mendjet e miliona njerëzve dhe ka arritur të shitet në më shumë se 500 milionë njësi deri në vitin 2024 – duke e bërë atë lojën me enigma më të shitur në historinë botërore. Suksesi i saj nuk qëndron vetëm te popullariteti i viteve ’80, por te përzierja e saj unike midis thjeshtësisë në koncept dhe kompleksitetit në zgjidhje. Kubi mbetet po aq tërheqës për brezin e sotëm të Gjeneratës Z, sa edhe për ata që u rritën me të dekada më parë.
Në vitin 1982, Budapesti mikpriti kampionatin e parë botëror të Kubit të Rubikut, ku fituesi vendosi një rekord prej 22.95 sekondash. Sot, gara të tilla mbahen në mbarë botën nën kujdesin e Shoqatës Botërore të Kubit (WCA), ndërsa rekordet janë bërë gjithnjë e më mbresëlënëse. Deri në tetor të vitit 2024, rekordi zyrtar për zgjidhjen më të shpejtë ishte vendosur nga amerikani Max Park, i cili e përfundoi kubin në vetëm 3.13 sekonda – një arritje e certifikuar nga Libri i Rekordeve Guinness.
Por zhvillimet më të fundit e kanë çuar sfidën në një tjetër nivel: robotët. Në maj të 2024-s, inxhinierët e Mitsubishi Electric në Japoni prezantuan një robot të avancuar të kontrolluar nga inteligjenca artificiale, i cili zgjidhi Kubin e Rubikut për vetëm 0.305 sekonda – një tjetër rekord Guinness që vendos kufijtë e rinj të teknologjisë dhe logjikës.
Përtej rekordeve, Kubi i Rubikut ka dëshmuar vlera të mëdha edukative dhe psikologjike. Ai ndihmon në zhvillimin e aftësive kognitive, përmirësimin e kujtesës, rritjen e përqendrimit dhe është një nga ushtrimet më efikase për zgjidhjen e problemeve. Shumë e përdorin edhe si një mënyrë për të ulur stresin, duke e kthyer në një mjet jo vetëm argëtues, por edhe terapeutik.
Vetë shpikësi, Erno Rubik, pranon se kur krijoi për herë të parë enigmën, i u desh një muaj për ta zgjidhur. Sot, ai arrin ta përfundojë për rreth një minutë, duke treguar se edhe krijuesit e gjërave më brilante kanë nevojë për kohë për t’i kuptuar ato.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto