Imagjinoni një të ardhme ku ndërtesat nuk i mbijetojnë vetëm kohës, por edhe luftojnë ndryshimet klimatike. Një zhvillim revolucionar nga studiuesit e Universitetit të Kalifornisë Jugore (USC) e sjell këtë vizion më pranë realitetit.
Studiuesit në Shkollën Inxhinierike “Viterbi” të USC-së kanë krijuar një model të fuqishëm të inteligjencës artificiale, të quajtur Allegro-FM, i aftë të simulojë më shumë se 4 miliardë atome në të njëjtën kohë. Ky përparim teknik hap rrugën drejt një betoni të gjeneratës së re: një material që jo vetëm kap karbonin nga atmosfera, por edhe mund të zgjasë me shekuj, duke rivalizuar jetëgjatësinë e strukturave të lashta romake.
Përtej qëndrueshmërisë, drejt betonit që mbron klimën
Në një të ardhme të afërt, betonet që përdorim në ndërtesa dhe ura mund të mos jenë më thjesht rezistente ndaj zjarrit dhe plakjes, por edhe vetëriparuese, madje me aftësi për të thithur CO₂ nga ajri. Dhe tanimë, kjo nuk është më fantashkencë.
Motivuar nga pasojat shkatërrimtare të zjarreve në Los Anxheles në janar, profesorët Aiichiro Nakano dhe Ken-Ichi Nomura, dy studiues me mbi 20 vite bashkëpunim vendosën të rigjeneronin qasjen ndaj materialeve ndërtimore. Rezultati ishte lindja e Allegro-FM, një platformë e fuqishme e simulimit atomik me bazë inteligjencën artificiale.
Një zgjidhje që mund ta bëjë betonin karboneutral
Një nga risitë më të mëdha të modelit është aftësia për të rivendosur dioksidin e karbonit të lëshuar gjatë prodhimit të betonit, sërish brenda vetë materialit.
“Mund ta fusësh thjesht CO₂-në brenda betonit, dhe kështu krijohet beton karboneutral,” – shpjegon profesori Nakano.
Betoni është aktualisht përgjegjës për rreth 8% të emetimeve globale të CO₂, dhe ky zbulim hap rrugën drejt ndërtimit të materialeve që veprojnë si rezervuarë karboni, jo si burime ndotjeje.
Simulime në shkallë të paparë më parë
Allegro-FM funksionon me efikasitet 97.5% kur simulon mbi 4 miliardë atome në superkompjuterin “Aurora” të Laboratorit Kombëtar Argonne. Kjo përfaqëson një kapacitet 1,000 herë më të madh se metodat konvencionale të simulimit molekular.
Për më tepër, modeli mbulon 89 elementë kimikë dhe mund të parashikojë sjelljen molekulare në fusha që variojnë nga kimia e çimentos deri te ruajtja e karbonit.
Një hap drejt betonit që zgjat me mijëvjeçarë
Përveç aspektit mjedisor, Allegro-FM ofron zgjidhje edhe për qëndrueshmërinë strukturore. Ndërsa betoni modern ka një jetëgjatësi mesatare prej 100 vitesh, ai romak ka rezistuar për mbi 2,000 vjet. Shtimi i shtresës së karbonatit në strukturën e betonit mund ta bëjë atë edhe më rezistent ndaj kalimit të kohës.
Një revolucion që buron nga fuqia e AI-së
Për të përshkruar sjelljen e atomit, dikur kërkoheshin formula komplekse të mekanikës kuantike, por falë teknologjisë së re, modelet e mësimit makinerik mund të mësojnë sjelljet atomike përmes të dhënave, duke shmangur nevojën për llogaritje të gjata teorike.
Allegro-FM simulon me saktësi kuantike ndërveprimet mes atomeve dhe mund të punojë në të njëjtën kohë me pjesën më të madhe të tabelës periodike, diçka e pamundur më parë pa formula të ndara për secilin element.
Profesorët Nakano dhe Nomura janë të vendosur ta çojnë kërkimin më tej. Ata synojnë të eksperimentojnë me forma më komplekse dhe sipërfaqe të reja për betonin inteligjent. Studimi është publikuar së fundmi në revistën prestigjioze The Journal of Physical Chemistry Letters, ku ka zënë edhe faqen e parë të numrit të qershorit.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto