Euro nuk arriti të rikuperojë humbjet e mëdha të një dite më parë, pasi investitorët u përballën me realitetin se kushtet e marrëveshjes tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian favorizonin dukshëm SHBA-në dhe nuk përmirësonin në mënyrë domethënëse perspektivën ekonomike të bllokut.
Franca e cilësoi të hënën këtë marrëveshje si një “ditë të errët” për Europën, duke akuzuar bllokun se kishte bërë lëshime të mëdha përballë presidentit amerikan Donald Trump, me një marrëveshje të pabalancuar që vendos një tarifë doganore prej 15% mbi produktet e eksportuara nga BE-ja.
Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se ekonomia e vendit të tij do të pësonte “dëme të konsiderueshme” si pasojë e tarifave të dakorduara.
Në sesionin e kaluar, euro pësoi një rënie prej 1.3%, humbja ditore më e madhe në më shumë se dy muaj e nxitur nga frika për ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe rënia e interesave të obligacioneve qeveritare në eurozonë.
Të martën, monedha e përbashkët nuk arriti të përmbyste humbjet, duke u tregtuar me një rënie të lehtë prej 0.02%, në nivelin 1.1584 dollarë amerikanë.
“Ka mjaftuar shumë pak kohë që tregjet të kuptojnë se edhe një lajm ‘relativisht i mirë’ është në thelb lajm i keq, sa i përket ndikimit afatshkurtër në rritjen e eurozonës,” tha Ray Attrill, drejtues i kërkimeve mbi kursin e këmbimit valutor në Bankën Kombëtare të Australisë.
“Marrëveshja është dënuar fort nga Franca, ndërsa të tjerë përfshirë kancelarin gjerman Merz theksojnë pasojat negative për eksportuesit, dhe për rrjedhojë, për rritjen ekonomike,” shtoi ai.
Rënia e euros solli një forcim të dollarit amerikan, i cili u rrit me 1% kundrejt një shporte monedhash gjatë natës.
Të martën, dollari amerikan i ruajti fitimet dhe çoi paundin britanik në nivelin më të ulët të dy muajve, prej 1.3338 dollarësh. Jeni japonez u forcua lehtë me 0.2%, duke u këmbyer në kuotën 148.22 për dollar. Indeksi i dollarit mbeti i qëndrueshëm në 98.66.
“Ndërkohë që fuqizimi i dollarit mund të pasqyrojë perceptimin se marrëveshja e re SHBA-BE është e njëanshme në favor të Amerikës, po aq mund të nënkuptojë edhe një ndjesi se SHBA-ja po riangazhohet me BE-në dhe aleatët kryesorë,” u shpreh Thierry Wizman, strateg global për kurset valutore dhe normat e interesit pranë grupit Macquarie.
Lexo edhe: AI kundër vetes, si po përpiqet teknologjia të ndalojë valën e “deepfake”
Megjithatë, Trump deklaroi të hënën se shumica e partnerëve tregtarë që nuk arrijnë marrëveshje bilaterale me SHBA-në do të përballen së shpejti me tarifa nga 15% deri në 20% mbi eksportet e tyre drejt Amerikës, shumë më të larta se tarifa e përgjithshme 10% që ai shpalli në prill.
Në tregjet e tjera valutore, dollari australian u rrit me 0.04% në 0.6524 dollarë amerikanë, ndërsa dollari i Zelandës së Re mbeti pothuajse i pandryshuar në 0.5970 dollarë.
Ndërkohë, juani kinez në tregun vendas shënoi nivelin më të ulët të një jave prej 7.1794 për dollar, ndërsa investitorët prisnin rezultatet e bisedimeve tregtare mes Uashingtonit dhe Pekinit.
Zyrtarë të lartë ekonomikë të SHBA-së dhe Kinës u takuan të hënën në Stokholm për më shumë se pesë orë bisedime, me qëllimin për të zgjidhur mosmarrëveshjet e vjetra tregtare që janë në qendër të luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë dhe për të zgjatur për tre muaj të tjerë periudhën e “armëpushimit ekonomik”.
Përveç negociatave tregtare, vëmendja e investitorëve këtë javë është gjithashtu e përqendruar te vendimet e pritura mbi normat e interesit nga Rezerva Federale Amerikane (Fed) dhe Banka e Japonisë (BOJ).
Të dyja bankat qendrore pritet të mbajnë të pandryshuara normat, por tregtarët do të ndjekin me kujdes deklaratat që do të pasojnë, për të kuptuar më qartë se kur mund të ndërmerren lëvizjet e radhës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.