Një maçok ka mbijetuar pasi u rrotullua për gati një orë në ujë të ftohtë brenda një lavatriçeje, pasi mbeti i bllokuar aksidentalisht gjatë një cikli pastrimi.
Besohet se Pablo, një mapok burmez nëntë muajshe, po flinte brenda lavatriçes në shtëpinë e tij në Queensland të Australisë, kur pronari i saj e vuri në punë pa e ditur që maçoku ndodhej brenda. Pas një cikli 55-minutësh me ujë me sapun , ku nuk kishte rroba brenda, Pablo u gjet në gjendje kritike dhe u dërgua menjëherë në një klinikë urgjence për kafshë. Spitali i Specializuar për Kafshët e Vogla (SASH) në Gold Coast konfirmoi për Yahoo News se ngjarja ndodhi muajin e kaluar dhe se Pablo ka kryer disa vizita që prej asaj kohe për të marrë trajtimin e nevojshëm.
“Ata thonë që macet kanë nëntë jetë, por unë mendoj se Pablo ka më shumë se kaq, duke parë çfarë ka kaluar,” tha një punonjës për 7News. Ella Yarsley, veterinerja që trajtoi macen, shpjegoi se Pablo pësoi dëmtim në tru, dëmtim në mushkëri dhe humbi disa gishta të këmbës gjatë incidentit. “Janë shumë të rralla rastet kur një mace i mbijeton të gjithë ciklit të larjes… ishte një mrekulli e vërtetë,” tha ajo. Fatmirësisht, Pablo tashmë është “gati tërësisht i shëndetshëm”.
Lexo edhe:Roboti humanoid kryen procedura mjekësore përmes distancës!
Pronarët e maceve këshillohen të kontrollojnë lavatriçet përpara përdorimit
Nuk është hera e parë që një mace përfundon brenda një lavatriçeje. Në vitin 2019, një grua në SHBA e vuri në punë lavatriçen pa e ditur se brenda ishte edhe macja e saj, Felix. “Dëgjova një mjaullimë dhe papritur pashë një këmbë të bardhë të ngrihej në ajër! Nuk mund t’ju përshkruaj dot çfarë ndjeva,” tregoi Stefani Carroll-Kirchoff për CNN. Lavatriçet janë shpesh vende tërheqëse për macet, pasi ofrojnë një hapësirë të qetë dhe të mbyllur ku ato mund të flenë. Modelet me hapje nga përpara paraqesin rrezik të veçantë, ndaj pronarët e maceve këshillohen të kontrollojnë gjithmonë brendësinë e pajisjes përpara se ta përdorin.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto