Për herë të parë pas pesë vitesh, Forbes ka një emër të ri në krye të listës së grave më të pasura në botë: Alice Walton. Me një pasuri të vlerësuar në 101 miliardë dollarë, trashëgimtarja e Walmart ka rimarrë titullin nga pasardhësja e L’Oréal, Francoise Bettencourt Meyers, e cila nga viti 2021 kishte mbajtur vendin e parë dhe tani renditet e dyta, me një pasuri prej 81.6 miliardë dollarësh.
E vetmja vajzë e themeluesit të Walmart-it, Sam Walton (v. 1992), Alice është sot 28.7 miliardë dollarë më e pasur se një vit më parë, kryesisht falë një rritjeje prej 40% të aksioneve të saj në Walmart, që kapin rreth 11% të kompanisë. Konsumatorët u drejtuan tek zinxhiri i supermarketeve për çmimet “Every Day Low Prices” në kushtet e inflacionit të lartë, çka ndikoi drejtpërdrejt në vlerën e aksioneve të saj. Ndërkohë, pasuria e Bettencourt Meyers u tkurr me 17.9 miliardë dollarë, për shkak të rënies me gati 20% të aksioneve të L’Oréal, të goditura nga të njëjtat kushte ekonomike globale.
Në moshën 75-vjeçare, Walton është një nga vetëm 15 individët në “Klubin e 100 Miliardë Dollarëve”, njerëz me pasuri dymbëdhjetëshifrore. Ajo është gruaja e dytë në histori që ka arritur këtë nivel pasurie, pas Bettencourt Meyers që e arriti këtë në qershor të vitit 2024. Alice renditet në vendin e 15-të në listën globale të më të pasurve, pak vende pas vëllezërve të saj, Rob Walton (80 vjeç, me 110 miliardë dollarë) dhe Jim Walton (76 vjeç, me 109 miliardë dollarë).
Lexo edhe: 5 trende për bizneset e vogla që duhen ndjekur në vitin 2025
Pas diplomimit në Trinity University në Teksas në vitin 1971, Alice Walton punoi fillimisht si blerëse për veshje fëmijësh në Walmart, e më pas u transferua në New Orleans si brokere aksionesh për E.F. Hutton. Në vitet ’80 u kthye në Bentonville, qyteti i familjes së saj në Arkansas, për të drejtuar investimet në bankën familjare Arvest Bank. Më pas themeloi Llama, një kompani financiare me një kapital fillestar prej 19.5 milionë dollarësh nga fondet familjare. Pas mbylljes së Llama në vitin 1998, ajo u rikthye në Teksas dhe iu përkushtua pasionit për artin.
Ajo është themeluese dhe për një dekadë drejtuese e Crystal Bridges Museum of American Art në Bentonville, një muze i krijuar nga ajo kur kuptoi se një hapësirë e tillë për artin nuk ekzistonte në një rreze prej 300 miljesh nga qyteti i saj. Projekti kushtoi rreth 1.6 miliardë dollarë dhe u financua thuajse tërësisht nga truste në emër të vëllait të ndjerë John Walton dhe nënës së tyre Helen Walton (v. 2007).
Në dekadën e fundit, Alice Walton ka shtuar ndjeshëm edhe angazhimin e saj filantropik. Ajo ka kontribuar mbi 5.8 miliardë dollarë në pesë fondacione familjare bamirëse, të cilat kanë shpërndarë deri tani rreth 1.7 miliardë dollarë nga fondet e saj. Përmes Walton Family Foundation (themeli nga prindërit e saj në 1987, në 25-vjetorin e Walmart), janë shpërndarë rreth 400 milionë dollarë për reforma në arsim, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e rajonit të Bentonville. Ndërkohë, fondacioni i saj për artin, Art Bridges, ka investuar mbi 500 milionë dollarë për të blerë dhe huazuar vepra arti amerikane në më shumë se 230 muze në SHBA, përfshirë Institutin e Artit në Çikago, MoMA në Nju Jork dhe Galerinë Kombëtare të Portreteve në Uashington, D.C.
Në gusht të vitit të kaluar, fondacioni Art Bridges njoftoi një tjetër kontribut prej 249 milionë dollarësh për themelimin e Alice L. Walton School of Medicine në Bentonville. Kjo shkollë synon të integrojë edukimin tradicional mjekësor me artet, humanitetin dhe qasjen holistike ndaj shëndetit. Klasa e parë e studentëve pritet të nisë në korrik, me 48 studentë.
“Dua të krijoj mundësi që ndihmojnë njerëzit dhe komunitetet të realizojnë ëndrrat e tyre,” shprehet Walton në faqen zyrtare të fondacionit të saj. “Kjo është kënaqësia më e madhe e jetës sime dhe një privilegj i vërtetë.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto