OpenAI njoftoi një veçori të re për ChatGPT, që i lejon chatbot-it të njohur të kryejë veprime në emër të përdoruesit. Ky zhvillim është pjesë e një tendence globale në industrinë e teknologjisë, që synon të transformojë mënyrën se si njerëzit përmbushin detyrat në internet: gjigantët e teknologjisë shpresojnë se, në vend që përdoruesit të kalojnë nga një aplikacion në tjetrin apo të kërkojnë manualisht në web, do të mund të mbështeten tek “agjentët” digjitalë për të bërë gjithçka.
Funksionaliteti i ri, i njohur si “agent mode”, do të fillojë të shpaloset menjëherë, dhe përbën një tjetër hap drejt zhvillimit të asistentëve digjitalë më të avancuar. Ky përditësim rrit konkurrencën mes OpenAI dhe Google, i cili po ndjek objektiva të ngjashme përmes ndihmësit të tij Gemini. Sipas OpenAI, “agent mode” i ChatGPT mund të ‘mendojë’ dhe të ‘veprojë’ nëpërmjet një kompjuteri virtual, duke i mundësuar përdoruesve të japin komanda komplekse dhe të orientuara drejt veprimit. Për shembull, përdoruesit mund të kërkojnë: “shiko kalendarin tim dhe më përgatit për takimet me klientët bazuar në lajmet më të fundit” ose “planifiko dhe bli përbërës për një mëngjes japonez për katër persona”. Në një demonstrim video të publikuar nga OpenAI, punonjësit i dhanë agjentit një kërkesë të gjatë dhe të detajuar për të ndihmuar një përdorues që po përgatitej për një dasmë. Kjo përfshinte instruksione të tilla si: “gjej një veshje që i përshtatet kodit të veshjes”, duke kërkuar pesë propozime, si dhe hotele për qëndrime disa ditore përpara dhe pas ngjarjes.
Lexo edhe:ITP Prizren – Motori i inovacionit në zemër të Ballkanit
Veçoria e re është e disponueshme për abonentët e planeve Pro, Plus dhe Team, dhe ndërthur aftësitë e mëparshme të ChatGPT, si Operator (për kërkime në internet) dhe Deep Research (për analizimin e burimeve online dhe krijimin e raporteve të detajuara). Ky përditësim shënon një tjetër hap të OpenAI drejt transformimit të ChatGPT në një asistent universal dhe të gjithanshëm. Megjithatë, industria e inteligjencës artificiale po përballet ende me sfida të rëndësishme në lidhje me gabimet faktike, paragjykimet dhe veprimet e paparashikueshme të modeleve AI, siç ndodhi së fundmi me chatbot-in Grok të xAI, që lëshoi përmbajtje antisemitike pas një kërkese provokuese. Në një postim në blog, OpenAI pranoi se funksionaliteti i ri paraqet rreziqe të reja. Kompania deklaroi se ka vendosur kufizime në të dhënat që modeli mund të aksesojë, dhe se disa veprime , si dërgimi i një emaili , kërkojnë miratimin aktiv të përdoruesit. Po ashtu, modeli është trajnuar të refuzojë “detyrat me rrezik të lartë” si transferimet bankare. “Unë do t’ia shpjegoja familjes sime këtë si një teknologji të re eksperimentale, një mundësi për të provuar të ardhmen, por ende jo për t’u përdorur në situata me rrezik të lartë apo për të dhëna personale”, tha Sam Altman, CEO i OpenAI, në një postim në platformën X. Ai këshilloi përdoruesit të jenë të kujdesshëm kur i japin ChatGPT akses në informacione personale. Për shembull, leja për të aksesuar kalendarin për të koordinuar një darkë në grup mund të ketë kuptim, por nuk është e nevojshme për të blerë veshje në emër të përdoruesit. Ky njoftim vjen në një moment kur gjigantët e teknologjisë janë në një garë intensive për të zhvilluar agjentë AI, të aftë të automatizojnë veprime dhe vendimmarrje në jetën e përditshme. Google, gjatë konferencës së zhvilluesve në maj, prezantoi një ndihmës që mund të rezervojë restorante dhe të blejë bileta për evente. Ndërkohë, Apple po punon për një version më të avancuar të Siri, i cili do të përdorë aplikacione në emër të përdoruesit edhe pse përditësimi është aktualisht i pezulluar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto