Nga Eni Muça– Shumë herë kemi dëgjuar që universitetet dhe bizneset duhet të bashkëpunojnë më shumë. Por rrallë ndodh që dikush të ndërmarrë hapa konkretë për ta bërë këtë ndërlidhje realitet. Dr. Alba Skendaj, pedagoge dhe eksperte e projekteve evropiane, ka vendosur të mos presë që kjo lidhje të ndodhë vetvetiu , por ta ndërtojë vetë një urë të qëndrueshme mes dy botëve që shpesh nuk flasin të njëjtën gjuhë. Kjo është pikërisht ajo që synon Match4Research, një platformë digjitale e cila ka lindur për të afruar akademikët me industrinë, kërkimin shkencor me sfidat reale të tregut, dhe dijen me ndikimin konkret në ekonomi dhe shoqëri.
Nga auditorët tek zgjidhjet konkrete për tregun
Dr. Skendaj, e njohur për rolin e saj si ish-Pikë Kombëtare Kontakti për Horizon 2020 dhe si konsulente për kompani globale si Airbus Americas, Bank Muscat apo Ayala Corporation, ka ndërtuar një karrierë ku akademia takohet me realitetin praktik. E frymëzuar nga kjo përvojë, ajo krijoi Match4Research me një mision të qartë: të transformojë dijen në ndikim real përmes bashkëpunimeve të strukturuara midis studiuesve dhe sektorit privat.
Platforma u mbështet nga StartUp Albania Grant 2025, një skemë financimi e mbështetur nga Ministria e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit.
Zgjidhja për një boshllëk të gjatë
“Akademia në Shqipëri ka shumë potencial, por shpeshherë mbetet e shkëputur nga nevojat reale të tregut,” – shprehet Skendaj. Match4Research synon të zgjidhë pikërisht këtë boshllëk, duke krijuar një platformë inteligjente që ndërmjetëson aktorë nga fusha të ndryshme – akademikë, biznese, konsulentë, studentë dhe organizata, për të zhvilluar projekte të përbashkëta dhe për të aplikuar në grante vendase apo ndërkombëtare.
Lexo edhe:100% saktësi, roboti që mund të zëvendësojë kirurgët
Çfarë e bën Match4Research ndryshe?
Ndryshe nga platforma si ResearchGate (që fokusohet në publikimin e kërkimeve) apo JobTeaser (që lidh studentë me tregun e punës), Match4Research është një mjet praktik për bashkëpunime të drejtpërdrejta dhe të strukturuara, i mbështetur nga teknologji të avancuara si inteligjenca artificiale. Krijimi i çiftimeve (matchmaking) midis ekspertizës akademike dhe nevojave të tregut, ofrimi i projekteve reale për bashkëpunim dhe ndërtimi i një komuniteti të qëndrueshëm bashkëpunimi – janë disa nga shtyllat mbi të cilat ndërtohet kjo platformë.
Sfidat e para dhe ekipi pas suksesit
Pavarësisht sfidave që përballin startup-et në Shqipëri, sidomos në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, Dr. Skendaj thekson se procesi i aplikimit për grantin ishte transparent dhe inkurajues. Sfida më e madhe? Të ndërtoje ekipin e duhur si një jo-profesioniste në IT. Por sot, ajo është krenare për ekipin e saj: dy ekspertë të njohur të AI në Shqipëri – Evis Plaku dhe Ndriçim Topalli, CTO-n Albina Bardhi, si dhe tre të diplomuar nga Holberton School – Ergi Lama, Flori Mecaj dhe Ergis Fejza, të cilët sjellin një frymë të re dhe ide kreative.
Reagimet dhe planet e së ardhmes
Pavarësisht se është në fazat e para të zhvillimit të MVP-së, Match4Research ka gjeneruar interes të konsiderueshëm. Janë kontaktuar më shumë se 5 universitete dhe disa prej korporatave më të mëdha në vend si Balfin Group, Agna Group, Salillari shpk, REVO Group, TEXO Solutions, Albacademy, të cilat janë të interesuara për të eksploruar bashkëpunime konkrete në projekte zhvillimi apo në kuadër të fondeve evropiane. “Disa nga kolegët e mi janë shumë të entuziazmuar që më në fund kanë një mundësi për të bërë kërkim të aplikuar dhe për të kontribuar realisht në zhvillimin e vendit,” – shton Skendaj.
Rruga përpara: rritje në WB6 dhe aktivizim i komunitetit
Pas lançimit të versionit fillestar të platformës dhe aktivizimit të mbi 20 profileve, fokusi është te zgjerimi. Qëllimi është të përfshihen qindra aktorë, nga profesorë dhe studentë, te kompani dhe organizata , për të ndërtuar një komunitet aktiv që krijon bashkëpunime, trajnim dhe aplikime për grante. Synimi afatgjatë? Të bëhet një histori suksesi jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto