Goodies Farm – Nga pasioni familjar, në një rrjet artizanal që sjell shijen e vërtetë të fshatit - Business Magazine Albania

Goodies Farm – Nga pasioni familjar, në një rrjet artizanal që sjell shijen e vërtetë të fshatit

Goodies Farm – Nga pasioni familjar, në një rrjet artizanal që sjell shijen e vërtetë të fshatit

Nga Eni Muça- Në ditët e sotme ku supermarketi thuajse e ka zëvendësuar bahçen e gjyshes, një fermë e quajtur “Goodies Farm” guxoi të sjellë shijen e vërtetë në tryezë. Ajo që nisi si një kërkim familjar, sot është kthyer në një mision për të rikthyer besimin tek produktet natyrale shqiptare. Në këtë intervistë ekskluzive për Business Magazine, flasim me Marian Saliaga, themelues i Goodies Farm, për fillimet e biznesit, sfidat, përzgjedhjen e produkteve dhe planet për të ardhmen.

Çfarë ju frymëzoi për ta nisur Goodies Farm në vitin 2018?
Ideja për të krijuar Goodies Farm lindi fillimisht nga nevoja personale për të gjetur produkte ushqimore të fshatit, cilësore, natyrale dhe pa konservues për konsum familjar. Një tjetër shtysë e fortë ishte pasioni personal për ushqimin dhe tradita familjare në këtë drejtim.

Cili ishte qëllimi themelor – për të promovuar traditën shqiptare, shëndetin, apo një pasion personal?
Kur hapëm dyqanin, qëllimi ishte të promovonim traditën shqiptare, por gjithashtu kishim të qartë se po hynim në një biznes që kërkon të gjenerojë të ardhura. Prandaj, vendosëm të ndërthurim pasionin për ushqime cilësore dhe natyrale me trashëgiminë tradicionale, për të tërhequr klientë që kërkojnë një mënyrë jetese të shëndetshme dhe të lidhur me rrënjët shqiptare.

Si organizoni rrjetin e fermerëve artizanalë dhe si zgjidhni produktet që përfshihen në ofertë?
Në fillimet tona, organizimi ka qenë sfidues. Merrnim sasi të vogla nga secila fermë, gjë që e rritte shumë koston për analiza cilësie dhe transport. Gjithçka e bënim vetë. Tashmë që sasitë janë rritur ndjeshëm, procesi është bërë më i lehtë, megjithëse koordinimi operativ mbetet sfidues. Zgjedhja e produkteve bëhet gjithmonë me kujdes dhe sipas standardeve të vendosura.

Lexo edhe:Restoranti shqiptar “Çka Ka Qëllue” renditet në listën e NY Times!

Çfarë standardesh cilësie/ekologjike kërkoni në bashkëpunime?
Kushti ynë kryesor është që produktet, veçanërisht bulmeti, mjalti dhe vaji i ullirit, të jenë të ambalazhuara në kavanoza qelqi, për të ruajtur më mirë cilësinë. E njëjta gjë vlen edhe për produkte të tjera si zahiretë tradicionale.

Sa e rëndësishme është prezenca në Instagram/TikTok në rritjen e biznesit tuaj? Cilat janë formatet që kanë pasur më shumë angazhim (reels, tutoriale, video-historik)?
Rrjetet sociale kanë pasur një rol thelbësor në rritjen e Goodies Farm. Në vitin 2023, nisëm të punonim me formatin reels, dhe vetëm nga ky ndryshim patëm një rritje mbi 40% në punë. Ky ishte një moment kyç për rritjen e markës.

A planifikoni të zgjeroheni në qytete të tjera apo të implementoni shpërndarje më të gjerë online?
Dëshira jonë është të zgjerohemi në 2-3 qytete të tjera, por për shkak të natyrës së produkteve të freskëta dhe sfidave logjistike, menaxhimi bëhet shumë i vështirë. Sa i takon shpërndarjeve online në rrethe, ekziston interes i lartë nga klientët, por aktualisht nuk kemi gjetur kompani transporti që të ofrojë dërgime brenda ditës dhe me kushte frigoriferike të përshtatshme.

Mendoni të shtriheni drejt turistëve (p.sh. në hotele ose tregti të suvenireve)?
Deri tani, nuk kemi menduar ta orientojmë ofertën drejt turistëve, pasi ata zakonisht preferojnë ushqim të gatuar dhe jo produkte për përgatitje vetjake. Nuk e shohim si një prioritet për momentin.

Cilat teknika janë më të rëndësishme kur fillon biznes me produkte artizanale?
Ky është një biznes shumë i bukur, por edhe i vështirë. Produktet kanë jetëgjatësi të shkurtër (2-3 ditore), dhe nëse nuk planifikon si duhet shitjet ditore, humbjet mund të bëhen të papërballueshme. Ndaj, planifikimi i kujdesshëm i shitjeve është kyç.

Çfarë gabimesh mund të shmangen në fazat e hershme?
Ka shumë sfida që duhen marrë parasysh: planifikimi i saktë i shitjeve, koordinimi i furnizimeve, realizimi i analizave të produkteve, ruajtja në kushte profesionale frigoriferike, ndjekja e prodhimeve dhe paketimi i duhur. Rekomandojmë që të fillohet me sasi shumë të vogla për të shmangur humbjet e mëdha.

Ku e shihni Goodies Farm pas 5 vitesh?
Pas 5 vitesh, synojmë të kemi përpunimin në dorën tonë për të gjithë gamën e produkteve , mish, bulmet, fruta-perime  për të garantuar cilësi maksimale dhe kontroll të plotë mbi produktin. Ky është hapi i radhës drejt rritjes dhe profesionalizimit të markës sonë.

Duke u nisur nga një nevojë personale dhe duke u zhvilluar falë pasionit dhe përkushtimit, Goodies Farm ka arritur të ndërtojë një urë mes fermerëve artizanalë dhe konsumatorëve që kërkojnë cilësi dhe autenticitet. Me sytë nga e ardhmja dhe këmbët fort në tokë, Goodies Farm vazhdon të rritet me qëllimin për të ofruar produkte të sigurta, të përpunuara me kujdes dhe të frymëzuara nga trashëgimia jonë ushqimore.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
✨ Thënia e ditës
“Ti jeton vetëm një herë, por nëse jeton ashtu si duhet, edhe një herë mjafton.”
— Mae Uest
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0