Rreth 630 mijë njerëz në mbarë botën janë 100 vjeç apo më të moshuar, dhe pjesa dërrmuese e tyre jeton vetëm në 10 shtete. Të gjithë ata që festojnë 100-vjetorin e lindjes këtë vit kanë kaluar përmes shumë epokave. Të lindur në vitin 1925, midis dy Luftërave Botërore, ata kanë qenë dëshmitarë të zbulimeve të mëdha, nga penicilina deri te TikTok-u. Këto vende përfshijnë Azi, Evropë dhe Amerikën e Veriut, dhe variojnë në madhësi, fuqi ekonomike, sistem politik, cilësi të kujdesit shëndetësor dhe struktura sociale.Një në pesë centenarë, rreth 123 mijë njerëz, jeton në Japoni, vendi që mban gjithashtu një nga jetëgjatësitë më të larta në botë: 88 vjet për gratë dhe 82 për burrat. Pas Japonisë renditet SHBA-ja, me rreth 74 mijë centenarë, më pas vijnë Kina (rreth 49 mijë) dhe India (38 mijë).
Megjithatë, duke marrë parasysh numrin e centenarëve në raport me madhësinë e popullsisë, SHBA-ja dhe Kina bien më poshtë në renditje, ndërsa vende evropiane si Franca, Greqia dhe Italia ngjiten më lart.
Japonia mbetet rast unik, me 100 centenarë për çdo 100 mijë banorë, duke u renditur menjëherë pas Hong Kongut, që ka 133 centenarë për 100 mijë banorë.
“Japonia është në krye të çdo liste,” tha për Euronews Health profesorja Solveig Cunningham, e cila udhëheq kërkimin për shëndetin, plakjen dhe jetëgjatësinë në Institutin Ndërdisiplinor të Demografisë në Holandë.
Sipas saj, kjo ndoshta shpjegohet me një kombinim faktorësh si ushqyerja, aktiviteti fizik dhe një “mjedis jetese i shëndetshëm”. Por testi i vërtetë, shton ajo, do të ishte të ndiqeshin shëndetësisht njerëzit që kanë emigruar në Japoni disa dekada më parë dhe të shihej nëse ata jetojnë po aq gjatë sa japonezët vendas.
Lexo edhe: Zbulohet një vendbanim gati 3 000-vjeçar i fisit Maja
Çfarë qëndron pas jetëgjatësisë së jashtëzakonshme?
Jetëgjatësia ekstreme ka qenë gjithnjë një mister për shkencëtarët dhe një temë që tërheq publikun, duke frymëzuar libra, emisione televizive dhe udhëzues të panumërt për stilin e jetesës.
Një nga shpjegimet më të njohura është teoria e “zonave blu”, rajone gjeografike ku njerëzit jetojnë jashtëzakonisht gjatë, falë një kombinimi të dietave të shëndetshme, jetesës aktive, marrëdhënieve të forta sociale dhe gjeneve. Por disa studiues kanë ngritur pikëpyetje mbi saktësinë e këtyre “zonave blu”, duke sugjeruar se ato mund të jenë rezultat i të dhënave të pasakta. Një studim i vitit të kaluar tërhoqi vëmendjen kur identifikoi dy arsye pse disa vende mund të duken sikur kanë shumë centenarë: gabime administrative në certifikatat e lindjes dhe mashtrime në sistemet e pensioneve apo përfitimeve sociale.
Cunningham thekson se ka të ngjarë që të ekzistojnë disa “shmangie të të dhënave”, por sipas saj ato nuk mjaftojnë për të shpjeguar tendencat më të gjera, sidomos sepse vendet me më shumë centenarë janë zakonisht edhe ato me jetëgjatësinë më të lartë në përgjithësi.
“Nëse mendojmë se këto janë vende ku njerëzit zakonisht jetojnë më gjatë, nuk është për t’u habitur që një përqindje më e madhe arrin 100-vjeçarin,” thotë ajo. Madje, edhe vendet me jetëgjatësi më të ulët mund të kenë një numër të habitshëm centenarësh. “Në vende ku ka një shkallë të lartë vdekshmërie në moshë të hershme, ata që mbijetojnë janë jashtëzakonisht të fortë,” shton Cunningham. Ajo gjithashtu thekson se nuk ka ndonjë “recetë magjike” për jetëgjatësi ekstreme.
Për momentin, ka më shumë pyetje sesa përgjigje kur bëhet fjalë për jetën mbi 100 vjeç, por demografët dhe ekspertët e shëndetit bien dakord për disa shtylla të qarta për të plakur mirë: ushtrimet e rregullta, ushqimi i shëndetshëm, qasja në kujdes shëndetësor, gjumi i mjaftueshëm, shmangia e alkoolit dhe duhanit, si dhe menaxhimi i stresit.
“Personalisht nuk e di sa shumë do t’i besoja pretendimeve për përfitimet e vajit të peshkut, çokollatës apo një gote verë,” përfundon Cunningham.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto