Zbulohet një vendbanim gati 3 000-vjeçar i fisit Maja - Business Magazine Albania

Zbulohet një vendbanim gati 3 000-vjeçar i fisit Maja

Zbulohet një vendbanim gati 3 000-vjeçar i fisit Maja

Arkeologët kanë zbuluar mbetjet e një kompleksi të lashtë Majan afërsisht 3,000-vjeçar në veri të Guatemalës, duke identifikuar tempuj, piramida dhe një sistem unik kanalizimesh që mund të ofrojë më shumë njohuri mbi këtë qytetërim të lashtë.

Kompleksi është zbuluar në tre zona arkeologjike Los Abuelos, Petnal dhe Cambrayal  pranë sitit të njohur Majan të Uaxactún, në rajonin Petén. Sipas ministrisë, këto zbulime po i japin një tjetër dimension të rëndësishëm historisë së qytetërimit Majan. Qytetërimi Majan daton që nga viti 2000 para erës sonë dhe arriti kulmin midis viteve 400 dhe 900 të erës sonë, duke u përhapur kryesisht në territorin e sotëm të Meksikës dhe Guatemalës. Në periudhën e tij të artë, ky qytetërim ndërtoi tempuj, rrugë, piramida dhe monumente të tjera madhështore, si dhe zhvilloi sisteme të avancuara të shkrimit, matematikës dhe astronomisë.

Los Abuelos , një qendër ritualesh për të parët

Zona arkeologjike Los Abuelos, që në spanjisht do të thotë “gjyshërit”, ndodhet rreth 21 kilometra nga Uaxactún dhe e ka marrë emrin nga dy figura shkëmbore antropomorfe të cilat besohet se përfaqësojnë një “çift paraardhës”. Këto figura, së bashku me një numër vendesh të shenjta, sugjerojnë se Los Abuelos ka qenë një qendër me rëndësi për ritualet Majane. “Ky është një nga qendrat rituale më të rëndësishme të rajonit, me tempuj dhe vendndodhje të shenjta që na ndihmojnë të rishikojmë historinë e qytetërimit Majan,” deklaroi zëvendësministri i Kulturës dhe Sporteve të Guatemalës, Luis Rodrigo Carrillo, gjatë një deklarate për media.

Lexo edhe:Paga deri në 500 mijë dollarë për talentët e AI-së, Mira Murati trondit Silicon Valley

Petnal dhe piramida me murale simbolike

Lindje të Los Abuelos ndodhet Petnal, ku është zbuluar një piramidë 33 metra e lartë. Në majë të saj gjenden dy dhoma të ruajtura mirë, të stolisura me murale që paraqesin simbole dhe imazhe të shumta me kuptime rituale.

Cambrayal dhe kanalet e ujit brenda pallatit

Vetëm 4.8 kilometra larg nga Los Abuelos ndodhet Cambrayal, ku shkencëtarët kanë zbuluar një sistem të pazakontë kanalizimesh uji brenda një ndërtese pallati. Ky element unik tregon për një infrastrukturë të sofistikuar dhe sjell një kuptim të ri për jetën urbane Majane. “Këto tri site formojnë një trekëndësh urban të panjohur më parë, ekzistenca e të cilit na ka shpëtuar deri më sot. Ky është një dëshmi e madhe e madhështisë së kulturës Majane, të cilën sot po e ndajmë me botën,” thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Kulturës së Guatemalës. Zbulimet janë bërë nga arkeologë guatemalas dhe sllovakë, në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, në kuadër të Projektit Rajonal Arkeologjik të Uaxactún (PARU), me mbështetjen e Universitetit Comenius në Bratislavë, Sllovaki.

Teknologjia për zbulime të reja

Zbulimet e reja Majane mbeten të rralla, por jo të pamundura, falë kërkimeve të vazhdueshme dhe përdorimit të teknologjive të avancuara. Në prill, në qytetin antik Tikal, vetëm 23 kilometra në jug të Uaxactún, arkeologët gjetën një altar 1,700-vjeçar me mbetje njerëzore. Megjithëse ndodhej në një qytet Majan, studiuesit besojnë se dekori nuk i përkiste Majanëve, por ishte realizuar nga artistë të trajnuar në qytetërimin e Teotihuacan, qindra kilometra larg. Po ashtu, përdorimi i teknologjisë së hartëzimit me lazer (LiDAR) ka mundësuar identifikimin e siteve të reja, duke zbuluar rrjetin e ndërlidhur të qyteteve, fshatrave dhe vendbanimeve Majane, duke sjellë një perspektivë më të thelluar mbi organizimin e tyre urban dhe kulturor. Këto zbulime dëshmojnë se, edhe pas mijëra vitesh, qytetërimi Majan vijon të na mahnisë dhe të na mësojë më shumë për rrënjët e qytetërimeve njerëzore.

cnn

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0