Kush tha që aeroportet janë të mërzitshme? Këto janë 6 më të bukurit në botë - Business Magazine Albania

Kush tha që aeroportet janë të mërzitshme? Këto janë 6 më të bukurit në botë

Qoftë duke nxituar nëpër korridore për të kapur portën e nisjes, apo duke kaluar orë të tëra në pritje gjatë një ndalesë, udhëtarët rrallëherë ndalojnë për të admiruar arkitekturën e një aeroporti. Por një element ujor tërheqës apo një tavan i pazakontë mund ta bëjë përvojën frustruese të pritjes më të këndshme. Çmimi prestigjioz ndërkombëtar i arkitekturës, Prix Versailles, ka publikuar listën vjetore të aeroporteve më të bukura në botë. Sekretari i përgjithshëm Jérôme Gouadain thekson se edhe hapësirat funksionale si terminalet e nisjes apo sportelet e check-in-it mund të përfitojnë nga një dizajn i menduar me kujdes.“Gjurmët që lënë aeroportet burojnë kryesisht nga roli i tyre gjithnjë në rritje në shkëmbimet ndërkombëtare. Si rezultat, këto infrastrukturë duhet të përballen me vështirësi të mëdha në menaxhimin e fluksit dhe të vetë avionëve,” thotë ai. “Por kjo gjeneratë e re facilitetesh mund të shihet gjithashtu si vepra arti, ose të paktën si objekte bukurie. Në fakt, duhet të përpiqemi për ta arritur këtë, duke qenë se janë bërë pjesë e pashmangshme e ambientit dhe peizazheve që na rrethojnë.”

Ky çmim vlerëson gjithashtu “qëndrueshmërinë inteligjente” në projektimin e aeroporteve. Ja cilët janë fituesit, të përzgjedhur për “ekscelencën e tyre operacionale, ekologjike dhe estetike”.

Natyra dhe drita mbushin Aeroportin Ndërkombëtar Yantai Penglai, Kinë
Vendi i parë i shkoi Terminalit 2 të Aeroportit Ndërkombëtar Yantai Penglai. Me një sipërfaqe prej 167,000 metrash katrorë, arkitektura e ndërtesës së re  i jep edhe më shumë jehonë peizazhit unik bregdetar të Yantai-t. Forma e harkuar, materialet dhe tonet e brendshme frymëzohen nga natyra dhe drita natyrore përshkon të gjithë terminalin, duke ndihmuar udhëtarët të gjejnë një ndjesi qetësie.

Studioja 404 N.F Aedas, në bashkëpunim me CSWADI dhe Institutin e Projektimit të Aeroporteve të Epokës së Re në Shangai, morën frymëzim nga mali madhështor Kunyu për formën e çatisë dhe vijat e valëzuara.

Plani në formë E u krijua për të optimizuar qarkullimin e pasagjerëve dhe për të minimizuar ndikimin në terrenin ekzistues.

Lexo edhe: Porto bën një ndryshim thelbësor në jetën e natës!

Një restaurim i qëndrueshëm i Aeroportit Marseille Provence, Francë
Një aeroport evropian zuri vendin e dytë. Arkitektët Foster + Partners projektuan një strukturë të ndritshme të re për të unifikuar Terminalin 1 të Aeroportit Marseille Provence në Francë.

Projekti përfshin një zgjerim prej 22,000 metrash katrorë që “përcjell paqe dhe relaks”, sipas jurisë së Prix Versailles.

Salla me dritare që arrin në lartësinë 22 metra është ndërtuar me 70 për qind çelik të ricikluar. Çatia përfshin një mori dritaresh në formë rrjete, të kornizuara me alumin të lëmuar, që mundësojnë ventilim natyral.

Tani, udhëtarët kalojnë nëpër kontrollin e sigurisë nën një strehë prej druri. Projekti përfshiu gjithashtu restaurimin e 28,000 metrave katrorë në përputhje me terminalin origjinal të viteve 1960 të arkitektit francez Fernand Pouillon, duke e integruar me ndërhyrjen e arkitektit britaniko-italian Richard Rogers nga vitet ’90.

Hapësirat tregtare dhe restorantet, po ashtu prej druri, janë një homazh për hambarët e vjetër të Portit të Marsejës. Fasadat prej xhami ofrojnë transparencë maksimale, me pamje nga hinterlandi nga njëra anë dhe një lagunë detare nga ana tjetër.

Përshtatja me fenomenet ekstreme të motit në Aeroportin Roland Garros, Ishulli Réunion
Terminali i ri i mbërritjeve në Aeroportin Roland Garros në Ishullin Réunion, me sipërfaqe 13,000 metra katrorë, renditet i treti dhe përfaqëson strukturën tropikale të parë bioklimatike në këtë shkallë. Ky arritje teknike u realizua falë bashkëpunimit me 91 për qind të bizneseve lokale, të cilët sollën ekspertizën për idenë e një “kanioni” qendror.

Kjo strukturë përcakton formën dhe funksionin e ndërtesës, duke vepruar si një oxhak termik që mundëson ventilim natyral. Ishulli përballet me fenomene gjithnjë e më ekstreme të motit, ndaj janë instaluar 830 grila që reagojnë në kohë reale përmes sensorëve në fasadë, duke rregulluar automatikisht këndin e hapjes. Sipas jurisë së Prix Versailles, studioja AIA Life Designers “ka realizuar një përvojë ndjesore për udhëtarët përmes përdorimit të gjerë të drurit vendas, në një shprehje të gjallë të peizazhit dhe kulturës së ishullit.”

Shërbime të optimizuara në Aeroportin Ndërkombëtar Kansai, Japoni
Fillimisht i projektuar 30 vite më parë nga arkitekti italian Renzo Piano mbi një ishull artificial në Gjirin e Osakës, Aeroporti Ndërkombëtar Kansai është një ikonë arkitekturore.

Me strukturën elegante dhe çatinë aerodinamike, ai është gjithashtu aeroporti më i gjatë në botë. Terminali 1 i rikonstruktuar, i projektuar nga firma Populous, u rendit në vendin e katërt. Kapaciteti për të pritur pasagjerë ndërkombëtarë është rritur me 25 për qind.

Të gjitha hapësirat e brendshme janë rifreskuar me materiale natyrore që i japin një atmosferë tërësisht japoneze. Është instaluar edhe një sistem i zgjuar për menaxhimin e radhëve, për të lehtësuar procesin për pasagjerët.

Një përvojë e frymëzuar nga pyjet në Aeroportin Ndërkombëtar Portland, SHBA
Terminali i ri kryesor i Aeroportit Ndërkombëtar Portland, projektuar nga firma amerikane ZGF, renditet i pesti. Ai u frymëzua nga shëtitjet në pyll, duke krijuar një përvojë qetësuese e përfshirëse për udhëtarët.

Pika kulmore e projektit është çatia prej druri të formuar në valë, që shtrihet mbi 36,000 metra katrorë, dhe simbolizon historinë e shtetit Oregon në industrinë e drurit.

Materialet u siguruan nga industria vendase brenda një rrezeje prej 500 kilometrash, me një sistem “nga pylli në skelet” për të gjurmuar origjinën e drurit. Struktura spektakolare lejon depërtimin e dritës natyrore, pamje të peizazhit pyjor dhe përfshirjen e një sërë elementësh natyrorë.

Një terminal i ndërgjegjshëm për karbonin në Aeroportin Ndërkombëtar San Francisco
Me 25 portat e reja të imbarkimit, Terminali 1 i Aeroportit Ndërkombëtar të San Franciskos renditet i gjashti. Në bashkëpunim me firmën ndërkombëtare të arkitekturës Gensler, një nga objektivat kryesore ishte reduktimi i gjurmës së karbonit me 79 për qind dhe i konsumit të energjisë me 59 për qind.

Me dritë natyrore të butë që depërton në çdo nivel, terminali i ri ofron një ambient qetësues dhe rigjenerues për udhëtarët. Arkitektura e re celebron artizanatin dhe mjeshtërinë, duke reflektuar karakterin e veçantë të Gjirit të San Franciskos. Aeroporti është gjithashtu shtëpia e SFO Museum, muzeu i vetëm i akredituar në një aeroport në botë, i cili sjell ekspozita dhe vepra arti në të gjithë terminalet. Terminali 1 është gjithashtu një homazh për Harvey Milk, një figurë pararendëse për përfshirjen dhe personi i parë haptazi homoseksual i zgjedhur në një funksion publik në Kaliforni.

Euronews.com

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0