Në një botë të trazuar nga konflikte dhe pasiguri, Indeksi Global i Paqes 2025 sjell lajme pozitive për disa shtete që kanë zgjedhur rrugën e stabilitetit.
Islanda kryeson renditjen për të 18-tin vit rradhazi. Mes tyre, edhe Shqipëria shënon përmirësim, duke u renditur në vendin e 52-të me një përmirësim prej 6 pozicionesh nga viti i kaluar. Në renditjen e këtij viti, vendi ynë pozicionohet më mirë se Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por pas Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë. Indeksi Global i Paqes 2025 tregon se stabiliteti është rezultat i institucioneve të forta, drejtësisë sociale dhe politikave të jashtme të zgjuara.
Faktorët kryesorë të vlerësimit përfshijnë sigurinë shoqërore dhe publike, nivelin e përfshirjes në konflikte, kapaciteti ushtarak.
Niveli i GPI do të thotë Global Peace Index (Indeksi Global i Paqes). Ky është një vlerësim numerik që mat sa paqësor është një vend. Sa më i ulët të jetë ky numër, aq më paqësor është vendi. Vendet u vlerësuan me pikë mes 1.000 dhe 5.000. 1.000 është vlerësimi më i mirë (paqja maksimale), ndërsa 5.000 është më i keqi (paqe minimale, domethënë shumë dhunë ose luftë).
Më poshtë do të lexoni listën e dhjetë vendeve më paqësore në botë për vitin 2025 dhe arsyet pse ato dallohen:
1. Islanda (1.095 pikë): Pa ushtri, krimi thuajse i papranishëm, fokus në energji të rinovueshme dhe sistem drejtësie rehabilitues.
2. Irlanda (1.260): Nga një e kaluar e trazuar në një demokraci të qëndrueshme dhe neutrale ndërkombëtarisht.
3. Zelanda e Re (1.282): Qeverisje progresive, theks te të drejtat e popullsisë indigjene dhe angazhim për misione paqeruajtëse.
4. Austria (1.294): Neutraliteti i përhershëm, shtet federal me shërbime sociale të forta.
5. Zvicra (1.294): Demokraci direkte, neutralitet ushtarak, stabilitet financiar dhe diversitet në harmoni.
6. Singapori (1.357): Shtet-qytet i disiplinuar me ekonomi të fortë dhe qasje pragmatike në politikën e jashtme.
7. Portugalia (1.371): Kalim i suksesshëm drejt demokracisë, politika sociale përfshirëse dhe trajtim i avancuar i çështjeve të drogës.
8. Danimarka (1.393): Shoqëri e barabartë, fokus te mirëqenia dhe ndihma ndërkombëtare.
9. Sllovenia (1.409): Histori suksesi pas luftërave të Ballkanit, stabiliteti e karakterizon këtë vend të vogël mes Lindjes dhe Perëndimit.
10. Finlanda (1.420): Sistem arsimor i shkëlqyer, përfitime sociale të gjera dhe qëndrueshmëri përballë sfidave historike.
Në Indeksin Global të Paqes 2025, Shqipëria renditet në vendin e 52-të me një përmirësim prej 6 pozicionesh nga viti i kaluar, duke u pozicionuar më mirë se Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por pas Malit të Zi, Kroacisë dhe Sllovenisë.
Këto shtete kanë diçka të përbashkët: qeverisje demokratike funksionale, ekonomi të zhvilluara, investime në edukim dhe shëndetësi, si dhe politika të jashtme të kujdesshme. Ato tregojnë se paqja nuk është një ideal i largët, por një realitet i ndërtuar me përkushtim, solidaritet dhe vizion afatgjatë.
Nëse pjesa tjetër e botës dëshiron të shmangë krizën e radhës, ndoshta është koha të mësojmë nga këta kampionë të paqes.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto