Mes 2021 dhe 2024, shpenzimet për mbrojtjen në Bashkimin Europian u rritën mbi 30%, duke nxitur kërkesën në rritje për punonjës në këtë sektor. Publikimet për vende pune në fushën e mbrojtjes kanë tejkaluar trendet e përgjithshme të tregut të punës që nga viti 2022.
Shtetet anëtare të BE-së kanë rritur shpenzimet totale për mbrojtjen nga 214 miliardë euro në vitin 2021 në një vlerë të parashikuar prej 326 miliardë eurosh në 2024, sipas Agjencisë Europiane të Mbrojtjes. Industria europiane e mbrojtjes po përballet me nevoja gjithnjë në rritje për fuqinë punëtore, duke çuar në një rritje të dukshme të ofertave për vende pune. Platforma globale e rekrutimit Indeed raportoi se numri i njoftimeve për punë në këtë sektor ka tejkaluar ndjeshëm atë të tregut të përgjithshëm që nga fillimi i vitit 2022.Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar mbeten qendrat kryesore të rekrutimit në fushën e mbrojtjes. Siguria ka qenë prej kohësh një prioritet për Europën, por rëndësia e saj u shtua ndjeshëm pas pushtimit rus të Ukrainës në fillim të vitit 2022. Së fundmi, tensionet në Lindjen e Mesme, lidhur me konfliktin midis Izraelit dhe Iranit, kanë pasur gjithashtu ndikim të dukshëm në industrinë e mbrojtjes në Europë, sipas të dhënave të Indeed.
Pas një rënie të shkaktuar nga pandemia në vitin 2020, njoftimet për vende pune në sektorin e mbrojtjes dhe në tregun e përgjithshëm të punës u rikthyen fillimisht me ritme të ngjashme. Por që nga fillimi i vitit 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës, rrugët e tyre u ndanë në mënyrë të ndjeshme. Njoftimet në tregun e përgjithshëm arritën kulmin në korrik 2022, duke qenë 46% mbi mesataren e vitit 2021, ndërsa ato në sektorin e mbrojtjes u dyfishuan në nëntor 2022, duke arritur një indeks prej 201 pikësh (ku 100 është mesatarja e vitit 2021).
Lexo edhe: Çfarë është Fintech 3.0, epoka që po thyen barrierat financiare
Edhe pse numri i njoftimeve për punë në mbrojtje ka rënë pak që nga ajo kohë, ai mbetet 41% mbi nivelet e vitit 2021 deri në maj 2025, ndërsa tregu i përgjithshëm ka zbritur pak më poshtë benchmark-ut të vitit 2021.

Virginia Sondergeld, ekonomiste në Indeed Hiring Lab, tha për Euronews Business se interesimi i kërkuesve të punës për sektorin e mbrojtjes është rritur që nga shpërthimi i luftës, veçanërisht në Gjermani, ku aktiviteti i kërkimeve në këtë fushë u rrit ndjeshëm në fillim të vitit 2022 dhe që prej atëherë ka mbetur i lartë. Ajo theksoi se ngjarjet gjeopolitike ndikojnë në perceptimin publik të sektorit dhe mund të tërheqin talent të ri. Për të mbajtur dhe zgjeruar fuqinë punëtore të kualifikuar në këtë fushë, është e nevojshme një investim i qëndrueshëm publik, shtoi Sondergeld.
Në Francë, ky sektor zë rreth 43% të njoftimeve për vende pune në Europë deri në maj 2025, një rënie kjo nga 57% në fillim të vitit 2020. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar përbëjnë nga 17% secila. Ndërkohë, pjesëmarrja e vendeve të tjera europiane është rritur nga 7% në 23%, duke reflektuar një diversifikim gjeografik të investimeve dhe punësimeve në mbrojtje.
Sektori ka disa kompani kryesore që operojnë në nivele ndërkombëtare, si Airbus Defence and Space, MBDA dhe KNDS, të cilat udhëheqin programe europiane në fushat e aeronautikës, sistemet raketore dhe mjetet e blinduara. Në Mbretërinë e Bashkuar, interesi për punë në sektorin e mbrojtjes u rrit pak pas fillimit të luftës në Ukrainë, por që nga ajo kohë ka mbetur i qëndrueshëm, ndërsa në Francë dhe Gjermani ky interes vazhdon të rritet.
Në fushën e punësimit, pozicionet më të kërkuara janë në zhvillimin e softuerëve, inxhinierinë industriale, prodhim dhe menaxhim. Kërkesa për këto profile po rritet, ndërkohë që njoftimet për role tradicionale në teknologji kanë pësuar rënie në shumë vende europiane.
Sipas Dr. Calle Håkansson nga Agjencia Suedeze për Kërkime në Mbrojtje, rritja e shpenzimeve për mbrojtjen është shkaku kryesor i kësaj rritjeje të kërkesës për punonjës në industrinë e mbrojtjes në Europë. Ai thekson se shpenzimet ushtarake globale kanë pësuar rritjen më të madhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duke krijuar kërkesa të mëdha për kapacitete prodhimi dhe, në përputhje me këtë, për punësim. Ai vuri në dukje edhe rritjen e interesit të të rinjve për karrierë në këtë sektor, duke përmendur shembullin e kompanisë suedeze Saab, e cila po bëhet një prej punëdhënësve më tërheqës për inxhinierët e rinj.
Dr. Caroline Batka nga Universiteti Comenius tha se industria europiane e mbrojtjes po zgjerohet në përputhje me propozimet e NATO-s për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes mbi 2% të PBB-së së vendeve anëtare.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto