Qeveria daneze ka ndërmarrë një nismë të guximshme për të ndaluar krijimin dhe përhapjen e përmbajtjeve të gjeneruara nga inteligjenca artificiale (IA) të njohura si deepfake duke propozuar ndryshime në ligjin për të drejtat e autorit. Projektligji i ri synon t’u japë individëve të drejtën ligjore mbi trupin, fytyrën dhe zërin e tyre, duke e cilësuar identitetin fizik si një pronë e mbrojtur nga e drejta e autorit.
Sipas njoftimit të qeverisë, ky do të jetë ligji i parë i këtij lloji në Evropë që synon të forcojë mbrojtjen ndaj imitimit digjital të identitetit të individëve. Ministria e Kulturës njoftoi se ka arritur një marrëveshje të gjerë ndërpartiake dhe synon të dorëzojë projektligjin për konsultim publik përpara pushimeve verore, me qëllim që ta prezantojë zyrtarisht në parlament gjatë vjeshtës.
Në draftin e ligjit, një deepfake përkufizohet si një përfaqësim digjital tepër realist i një personi, që përfshin pamjen dhe zërin e tij. Ministri danez i Kulturës, Jakob Engel-Schmidt, u shpreh për The Guardian se ky ligj synon të përcjellë një mesazh të qartë: “Çdo individ ka të drejtën mbi trupin, zërin dhe pamjen e tij. Ligji aktual nuk e mbron siç duhet këtë të drejtë përballë teknologjisë së gjeneruar nga IA”. “Qeniet njerëzore mund të bëhen ‘fotokopje digjitale’ dhe të keqpërdoren për qëllime të ndryshme. Unë nuk jam i gatshëm ta lejoj këtë,” shtoi ai.
lEXO EDHE:Eksodi drejt Metës trondit OpenAI, drejtuesit në alarm nga largimet
Projektligji vjen në një kohë kur teknologjitë e inteligjencës artificiale po zhvillohen me ritme të shpejta, duke e bërë më të lehtë se kurrë krijimin e imazheve, videove apo tingujve fals që imitojnë personazhe reale. Ndryshimet e propozuara në ligjin për të drejtat e autorit do t’u japin qytetarëve danezë të drejtën për të kërkuar fshirjen e përmbajtjeve të tilla nga platformat online, nëse këto janë publikuar pa pëlqimin e tyre. Ligji do të mbulojë gjithashtu imitime digjitale të performancave artistike pa autorizimin e artistit. Çdo shkelje e ligjit do të mund të sjellë kompensim për individët e prekur. Qeveria sqaroi se përmbajtjet satirike dhe paroditë do të lejohen, me kusht që qëllimi i tyre të jetë i qartë. “Sigurisht, po shkelim një terren të ri. Por nëse platformat nuk e zbatojnë këtë ligj, jemi të gatshëm të ndërmarrim hapa të tjerë,” paralajmëroi Engel-Schmidt.
Ai shtoi se pret që vendet e tjera të Bashkimit Evropian ta ndjekin shembullin danez, ndërsa Danimarka përgatitet të marrë presidencën e radhës të BE-së. Nëse platformat teknologjike nuk i përmbahen ligjit, mund të përballen me gjoba të rënda, madje çështja mund të kalojë në nivel të Komisionit Evropian. “Kjo është arsyeja pse besoj se platformat do ta marrin shumë seriozisht këtë nismë,” përfundoi ministri.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto