A mund të vizualizojë inteligjenca artificiale ëndrrat tona? - Business Magazine Albania

A mund të vizualizojë inteligjenca artificiale ëndrrat tona?

Një kompani holandeze thotë se ka zhvilluar një pajisje që përdor inteligjencën artificiale (AI) për të regjistruar dhe vizualizuar ëndrrat. Quhet Dream Recorder, dhe vjen nga Modem Works, një “think tank” dhe studio dizajni me bazë në Amsterdam, e cila e përshkruan pajisjen si një zgjidhje “DIY – Do It Yourself” (Bëje vetë) për të krijuar pamje nga ajo që keni parë në gjumë.

Sipas përshkrimit në faqen zyrtare të projektit:

“Zgjohuni, tregoni me zë të lartë ëndrrën tuaj… dhe shikojeni të shndërrohet në një peizazh ëndrrash, me estetikën që dëshironi.”

Si funksionon?
Përdoruesit udhëzohen të shkarkojnë kodin burimor të hapur, të mbledhin pajisjet e nevojshme dhe të printojnë në 3D guaskën e jashtme të pajisjes. Më pas, ata mund ta montojnë vetë Dream Recorder-in në shtëpi.

Me dy trokitje të shkurtra, nis regjistrimi i zërit të përdoruesit që rrëfen ëndrrën. Pasi përfundon rrëfimi, AI gjeneron imazhet e ëndrrës në “rezolucion ultra të ulët”, të ruajtura në një procesor të vogël me kapacitet 8 GB. Pajisja mund të ruajë deri në shtatë ëndrra dhe t’i rikthejë ato me një trokitje të vetme.

Lexo edhe: Studimi i fundit: Inteligjenca Artificiale mund të marrë vendime të rrezikshme për vetëmbrojtje!

Kompania ka publikuar gjithashtu listën e pjesëve që nevojiten – përfshirë një ekran HDMI, një mikrofon USB, një kartë microSD dhe një procesor të vogël – të gjitha me një kosto totale rreth 285 euro. Kodi i projektit ndodhet në platformën GitHub, ku zhvilluesit e softuerëve ndajnë projektet e tyre.

AI që krijon ëndrra, por me kosto minimale
Për të gjeneruar pamjet e ëndrrave, përdoruesit duhet të paguajnë për përdorimin e API-ve nga OpenAI dhe LumaLabs – kompani që ofrojnë shërbime të avancuara për krijimin e imazheve dhe videove me AI. Kostoja për gjenerimin e një ëndrre vlerësohet të jetë më pak se 0.01 deri në 0.14 dollarë, në varësi të cilësisë së imazheve të prodhuara.

Jo përpjekja e parë
Kjo nuk është përpjekja e parë për të “lexuar” apo “vizualizuar” ëndrrat me ndihmën e teknologjisë. Në vitin 2023, ATR Computational Neuroscience Laboratories në Japoni zhvilluan një sistem të bazuar në skanime MRI, që pretendonte të vizualizonte ëndrrat me një saktësi prej 60%. Po ashtu, një studim paraprak i publikuar nga Universiteti Kombëtar i Singaporit dhe Universiteti Kinez i Hong Kongut mbërriti në të njëjtin përfundim.

Ndërsa teknologjia përpiqet të hyjë edhe në zonën më intime të përvojës njerëzore – ëndrrat – mbetet për t’u parë se sa e besueshme, e sigurt dhe etikisht e pranueshme do të jetë një botë ku as gjumi nuk është më një vend i paprekur nga inteligjenca artificiale.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0