Në garën gjithnjë e më të ashpër për të rekrutuar mendjet më të mira në fushën e inteligjencës artificiale, Meta ka shënuar një fitore të rëndësishme, duke “rrëmbyer” tre studiues të rëndësishëm nga OpenAI, pavarësisht ironizimeve publike të Sam Altman ndaj taktikave joshëse të Mark Zuckerberg. Sipas Wall Street Journal, emrat që tashmë i janë bashkuar ekipit të superinteligjencës së Meta-s janë Lucas Beyer, Alexander Kolesnikov dhe Xiaohua Zhai — themeluesit e zyrës së OpenAI në Zyrih. Ky zhvillim përforcon idenë se strategjitë e rekrutimit të Zuckerberg, sado ekstravagante të duken, po japin rezultat.
Sam Altman, drejtori ekzekutiv i OpenAI, ka zbuluar kohët e fundit në një podkast me vëllain e tij Jack se Zuckerberg po ofron paketa pagash që kalojnë 100 milionë dollarë për të joshur talentet më të mira të kompanisë. Ndërkohë, sipas WSJ, Zuckerberg ka ndërmarrë një fushatë të drejtpërdrejtë duke u dërguar mesazhe në WhatsApp qindra studiuesve të AI-së dhe duke i koordinuar objektivat përmes një grupi me emrin “Recruiting Party 🎉”. Pjesë e strategjisë janë dhe darkat luksoze në rezidencat e tij në Palo Alto dhe Lake Tahoe.
Lexo edhe: Elon Musk rrëfen gabimin që i kushtoi kontrollin mbi startup-in e tij të parë
Rezultatet janë të ndryshme. Një nga “sukseset” më të mëdha të Zuckerberg është CEO-ja i Scale AI, Alexandr Wang, për të cilin Meta ka investuar 14 miliardë dollarë, duke e kthyer 28-vjeçarin në një nga rekrutimet më të kushtueshme në historinë e teknologjisë. Por megjithatë, Zuckerberg nuk ka arritur të rekrutojë “peshqit e mëdhenj” si bashkëthemeluesit e OpenAI, Ilya Sutskever dhe John Schulman, të cilët tashmë kanë nisur projekte të reja të pavarura.
Në të njëjtin podkast, Altman u shpreh me një ton përçmues për fushatën joshëse të Zuckerberg:
“Jam shumë i lumtur që, të paktën deri tani, asnjë nga njerëzit tanë më të mirë nuk ka pranuar ofertat e tij.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.