Erandi Sula: Në biznes nuk të shpëton as pasioni, as shoku, rrëfi... - Business Magazine Albania

Erandi Sula: Në biznes nuk të shpëton as pasioni, as shoku, rrëfimi në “BUSINESS key”

Nga Adelina Onuzi

Ka njerëz që trashëgojnë një emër, një pasuri, një biznes. Ka të tjerë që ndërtojnë gjithçka nga zero, me shumë pikëpyetje, pak garanci dhe asnjë rrugë të shtruar. Erandi Sula bën pjesë në grupin e dytë. Dhe pikërisht për këtë arsye historia e tij të fton ta dëgjosh.

Ultra Post është sot një nga emrat më të besuar në tregun shqiptar të shpërndarjes, por nuk ka qenë gjithmonë kështu. Pas saj fshihet një rrugëtim me zgjedhje të vështira, eksperimente që nuk funksionuan dhe mësime që nuk jepen në asnjë master menaxhimi.

“Punësimi i miqve dhe i shokëve në biznes ishte një gabim që nuk do e bëja përsëri” – thotë ai pa diplomaci.
Më shumë se një rregull personal, ky është një sistem imunitar për çdo sipërmarrje që kërkon jetëgjatësi, miqtë nuk janë staf. Ata që kanë punuar në biznes e dinë, më shpejt shndërrohet një klient në mik, sesa një mik në klient.

Erandi flet si dikush që e njeh mirë terrenin ku ecën. E njeh sfidën e parë për të bindur një klient. E njeh edhe sfidën më të madhe, për ta mbajtur atë.

Ai nuk ka frikë nga ritmi. Përkundrazi. E shijon.
“Më pëlqen kjo pjesa e dinamikës që asnjëherë nuk e di se çfarë sjell minuti”, thotë. Dhe kjo nuk është rastësi. Sepse Ultra Post është krijuar për të qenë pjesë e dinamikës, jo pengesë në të.

Nëse e dëgjon duke folur për çmime, do të kuptosh menjëherë që filozofia e tij nuk përputhet me uljet agresive. “Mos i ul çmimet! Gjithmonë do jetë dikush më i lirë.”
Çfarë bën diferencën atëherë? Shërbimi. Besimi. Koha. Sistemi. Dhe gjithmonë, njerëzit.

Sipërmarrja për të nuk është romantike. As fati nuk është pjesë e formulës. “Bëhet lekë në Shqipëri edhe pa fonde dhe grante”, thotë prerë. “Qëllimi i hapjes së biznesit është për të fituar më shumë të ardhura. Orët jashtë orarit nuk i mendon fare në fillim, janë bonus.”

Ka një qartësi në mënyrën se si mendon. Shumë të rinj i futen botës së biznesit me idenë e pasionit, por Erandi thotë : “Nuk është gjithmonë pasioni që ndërton biznesin. Janë shifrat.”

Ai nuk është përkrahës i shprehjes “i duruari i fituari”. Beson në ata që veprojnë. Në ata që nuk bëjnë llogaritje pafund me laps e letër. Në ata që nuk presin “momentin ideal” sepse e dinë që nuk do vijë kurrë.
“Mos e mendo gjatë! Do ia dalësh. Filloje.”

Kur të gjithë flasin për fondet, grantet, aplikimet dhe rrjetet sociale, ai kthehet te thelbi, merr një vendim dhe ec. Jo gjithmonë i sigurt, por gjithmonë në lëvizje.

Në “BUSINESS key” nuk prezantojmë thjesht modele biznesi.
Prezantojmë njerëz që e kanë parë nga afër sa e bukur dhe e lodhshme është të ndërtosh një ide, ta mbash gjallë dhe ta kthesh në një shërbim që bën diferencën. Si Ultra Post. Dhe si Erandi Sula, një sipërmarrës që nuk pret, vepron.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0