Një zbulim shqetësues vjen nga Holanda: kompania Meta, në bashkëpunim me gjigantin rus të teknologjisë Yandex, dyshohet se ka gjurmuar fshehurazi përdoruesit e pajisjeve Android përmes aplikacioneve të saj si Facebook dhe Instagram – madje edhe pa dijeninë apo pëlqimin e tyre.
Studiues nga Universiteti Radboud dhe IMDEA Networks zbuluan se aplikacionet e këtyre kompanive kanë përdorur skripte që funksiononin në sfondin e sistemit Android, duke ndjekur aktivitetin e përdoruesve në shfletuesin e internetit dhe më pas rikthyer të dhënat në aplikacione. Këto skripte ishin në gjendje të anashkalonin masat e sigurisë së Android-it dhe të funksiononin edhe në modalitetin “incognito”.
“Ky është një shembull tronditës i lidhjes së dy botëve që ne i mendojmë të ndara: shfletimi në internet dhe përdorimi i aplikacioneve mobile”, deklaroi për Sky News Dr. Gunes Acar, profesoreshë asistente në Universitetin Radboud.
Ekspertët thanë se ky gjurmim i fshehtë u zbulua për herë të parë në janar dhe se prek të gjithë shfletuesit kryesorë në pajisjet Android. Ndërsa profesor Narseo Vallina-Rodriguez nga IMDEA Networks theksoi se kjo praktikë “shkel çdo garanci privatësie që ofrojnë platformat moderne mobile dhe shfletuesit”.
Google konfirmoi për Sky News se Meta dhe Yandex kanë shfrytëzuar funksione të Android-it “në mënyra të paautorizuara dhe të papajtueshme me parimet tona të sigurisë dhe privatësisë”.
Meta reagoi duke thënë se po heton çështjen dhe se ka pezulluar përkohësisht funksionin e përfshirë. “Jemi në bisedime me Google për të adresuar një keqkuptim të mundshëm mbi interpretimin e politikave të tyre”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë.
Nga ana tjetër, Yandex mohoi mbledhjen e të dhënave sensitive, duke deklaruar se funksioni kishte vetëm qëllime të personalizimit brenda aplikacioneve të saj dhe ishte në përputhje me standardet e mbrojtjes së të dhënave.
Skandali vë në pikëpyetje sigurinë e përdoruesve dhe ngre alarmin për transparencën e platformave teknologjike në përdorimin e të dhënave personale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto